Stacioni i radios së Beogradit, i njohur për pavarësinë e patrembur nën regjimin e Millosheviçit po largon shumicën e stafit kur nevoja për zëra të fortë dhe të ndryshëm mbetet kryesore.
Kur u bë publike se Radio B92 kishte hequr nga puna shumicën e stafit që i kishte mbetur, një mik i imi që punonte dikur në atë stacion postoi një kujtim në Facebook – një nekrologji satirike të marrë nga një llogari e rreme e Sllobodan Millosheviçit në Twitter, e cila thoshte thjesht: “Radio B92 (1989-2015).
Ishte lloji i humorit për të cilin u bë i njohur stacioni pasi u themelua në 1989. Në vitet ’90, Radio B92 jo vetëm transmetonte lajme të pavarura dhe informacion të cilin regjimi i Millosheviçit nuk donte të dëgjohej, por zbuloi në humor ngacmues politikanët që e kishin çuar Serbinë në vite konflikti, varfëri dhe izolim.
Nëse nuk do të kishte vdekur, Millosheviçit do t’i kishte pëlqyer të lexonte se armiku i tij dikur i fuqishëm u mund – stacioni ishte një gjemb që e shpoi prej vitesh dhe ndihmoi në rritjen e opozitës që çoi në përmbysjen e tij në 2000.
Nën sundimin e tij autoritar, stacioni luajti një rol kyç në kohë krize kur propaganda dominoi shumicën e transmetimeve. Autoritetet përkohësisht i ndërprenë transmetimin disa herë, por ai ia doli të rikthehej falë kurajës së stafit dhe besimit të dëgjuesve.
Kur po shkruaja një libër rreth Radio B92 atëherë, shumë njerëz që dikur e dëgjonin çdo ditë më thanë se për atë kohë, stacioni përfaqësonte një lloj drite në errësirë; një shembull se si gjërat duhet dhe mund të ishin më mirë.
Siç më tha kryeredaktori i saj Veran Matiç: “Nëpërmjet stacionin ne krijuam gjërat që na mungonin dhe ato që donim më shumë. Ne krijuam një botë ku jetoje ndryshe nga realiteti i dhunës që na rrethonte. Ishte ndoshta e vetmja mënyrë si mund të mbijetonim”.
Kjo ishte atëherë; tani është tjetër gjë. Radio B92 kaloi kohë të vështira pasi Millosheviçi u rrëzua. Duhej të përshtatej me faktin se ishte një tjetër aktor në një treg të egër mediatik në vend të të qenët një kampion i demokracisë që shijonte mbështetjen financiare të huaj. Në një farë kuptimi, vuajti një dëm kolateral nga ndryshimet që ndihmoi të viheshin në lëvizje.
Me kalimin e kohës, telashet financiare çuan që televizioni dhe radio B92 të shiteshin te kompania mediatike Greek Antenna dhe prodhimet e saj u bënë shumë të zakonshme. Persona të brendshëm në Radio B92 thonë se situata në stacion ka vazhduar të përkeqësohet; një nga punonjësit u pushua këtë javë i quajti largimet e kësaj jave “gozhdën e fundit në arkivol”.
Kohët janë të vështira këto ditë për median kudo në botë, por veçanërisht në vende si Serbia ku pavarësia komercialisht e qëndrueshme është një ëndërr e largët; ku presioni nga zyrtarët është i përhapur, paratë e reklamave janë të kontrolluara gjerësisht nga kompanitë afër elitës qeverisëse dhe pronarët oligarkë dhe aleatët e tyre politik përdorin shtypin si propagandë apo armë ekonomike.
Në një kohë kur liria e medias është e kërcënuar dhe demokracia e brishtë e Serbisë mbetet në krizë, zërat alternativë janë po aq të rëndësishëm sa përherë. Çfarëdo që të ndodhë me Radio B92, një media e fortë dhe e fuqishme mbetet jetësore për të ardhmen e Serbisë dhe zhvillimet e fundit në historinë e trazuar të stacionit thjesht e pohojnë këtë edhe një herë.