Greqia ka lançuar një operacion për të mbyllur kampin polemik të refugjatëve Idomeni, në kufi me Maqedoninë, ku mijëra njerëz kanë ngecur prej muajsh, pa pasur mundësi të vazhdojnë më tej në veri.
Rreth 700 forca policie ishin të pranishme teksa autoritetet greke filluan të pastronin kampin Idomeni, në mëngjes herët të martën.
Autoritetet thanë se gjashtë autobusët e parë me mbi 300 njerëz kishte lënë kampin, për t’i çuar refugjatët në kampe të tjera të sapokrijuara më thellë brenda Greqisë dhe larg nga zona kufitare ku ka pasur shpërthime të përsëritura të tensionit që nga përshkallëzimi i krizës së refugjatëve.
Zëdhënësi i qeverisë greke për krizën e refugjatëve, Jorgos Qirici, i tha medias të hënën para se të niste operacioni se largimi do të ishte gradual dhe sa më paqësor.
“Largimi i të gjithë refugjatëve nga poshtërimi që ndodhen në Idomeni është në interesin e tyre më të mirë”, tha Qirici.
Ai shtoi se autoritetet shpresojnë që të largojnë të gjithë popullsinë nga kampi i improvizuar, shifër që shkon në 8,400 njerëz, ku mund të duhen rreth një javë deri në 10 ditë.
“Diçka si Idomeni nuk mund të mbahet. Ai i shërben vetëm interesave të kontrabandistëve,” tha ai.
Idomeni u bë shtëpi e përkohshme për mijëra njerëz të larguar nga vende si Siria, Afganistani dhe Iraku, mes tyre shumë fëmijë.
Ata u bllokuan në kamp, pasi vendet përgjatë rrugës ballkanike mbyllën kufijtë e tyre, duke mos lejuar kalimin e mëtejshëm të refugjatëve për në Europën qendrore dhe perëndimore.
Gjatë kulmit të krizës në mars, Maqedonia fqinje mbylli kufirin e saj dhe ngriti një gardh teli me gjemba. Kampi i improvizuar është vlerësuar të ketë strehuar rreth 14.000 njerëz të cilët kanë refuzuar të heqin dorë nga shpresa për të vazhduar udhëtimin e tyre në veri.
Kampi dhe zona përreth kufirit ka qenë skenë e disa incidenteve të mëdha që kur mijëra refugjatë u përpoqën disa herë të hynin në territorin e Maqedonisë fshehurazi ose duke përdorur forcën.
Në prill, përleshje të dhunshme shpërthyen mes refugjatëve dhe forcave të sigurisë maqedonase pasi mijëra u përpoqën të shembin gardhin dhe të hyjnë në Maqedoni, por u zmbrapsën nga policia.
Incidenti shkaktoi një zënkë diplomatike midis dy fqinjëve, kur Greqia e akuzoi Maqedoninë për përdorimin e tepruar të forcës dhe Maqedonia u përgjigj duke akuzuar Greqinë se nuk ka bërë asgjë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Në mars, BE-ja ra dakord për një marrëveshje me Turqinë për të frenuar valën e emigrantëve dhe refugjatëve. Marrëveshja parashikon kthimin e refugjatëve të cilët mbërrijnë ilegalisht nga Turqia në Greqi, nëse nuk aplikojnë me sukses për azil me autoritetet e Athinës.
Por shumë prej 54,000 refugjatëve dhe migrantëve tashmë të bllokuar në Greqi, një vend tashmë i rënduar nga problemet financiare, mbeten me shpresë se me kalimin e kohës do të arrijnë në vendet e pasura si Gjermania dhe Austria.