Pluset dhe minuset e anëtarësimit në BE po e mbajnë një votues britanik në kampin “nuk e di”.
Disa ditë kanë mbetur përpara referendumit për të qëndruar apo për t’u larguar nga BE-ja në Britani dhe unë kam filluar ta shmang tryezën e punës.
Arsyeja është se nuk më pëlqen të shoh letrën e bardhë të votimit që gjendet mbi të, me kutitë e saj në dukje sfiduese, që më pyesin se si dua të votoj.
Në teori, vota ime “të qëndrojmë” duhej të ishte punë e mbaruar. Të gjithë sondazhet tregojnë se ndërsa një shumicë e votuesve britanikë do të përzgjedhin mundësinë e daljes më 23 qershor, londinezët, skocezët dhe profesionistët e klasës së mesme nën 35-vjeç janë të vendosur të përzgjedhin qëndrimin.
Unë mund të mos jem nën 35 vjeç apo skocez, por jam një londinez, në kuptimin kulturor të paktën dhe me prejardhje, jam pjesë e klasës së mesme profesioniste.
Si shumë londinezë, unë kam jetuar tashmë në një mjedis krejtësisht të evropianizuar. Kur marr makiaton matanë rrugës, ajo shërbehet nga Rita – nga Lituania – ose nga Nadija – që është marokene franceze.
Kur pres flokët, shkoj te të njëjtët berberë që kam shkuar për 25 vjet, që drejtohej nga një izraelit, por prej kohësh u bë një sallon i drejtuar nga rumunët.
Lokali i natës, pranë kafenesë drejtohet nga serbët, ashtu si një kafe tjetër më tej në rrugën time.
Kur pastroj makinën në lavash, kjo bëhet shumë mirë nga kosovarët dhe shqiptarët.
Kur i dhuroj rrobat e mia të vjetra te dyqani i bamirësisë në cep të rrugës, ia jap librat dhe këmishat e vjetra një gruaje polake që e drejton atë.
Edhe shtëpia ime është europianizuar. Në 15 vite, vetëm një herë e kam ndarë shtëpinë me një britanik. Tre të tjerët ishin irlandezë, italianë dhe tani një venezuelian që flet spanjisht, kombësia e të cilit çuditërisht është italiane. Jam mësuar kaq shumë të mësoj spanjisht në shtëpi saqë ia kam mësuar të gjitha marifetet gjuhës.
Europa ka hyrë në botën time në heshtje dhe gradualisht, ndaj vetëm tani po ndërgjegjësohem për këtë.
Pra, përse nuk jam më tepër entuziast rreth “qëndrimit”? Përse nuk e di si do të votoj?
Nuk ka të bëjë me faktin që e kam inat këtë që i ka ndodhur Londrës. Përkundrazi, më pëlqen të shfaq dijet e mia për Ballkanin dhe Baltikun. Berberi im rumun ishte shumë entuziast të mësonte se e dija se ku binte qyteti i tij i lindjes – Oradea – dhe se madje e dija se cili ishte Basescu [të cilin ai e urren].
Banakieri serb çmendet sa herë porosis birra në serbisht. I kam falas kafetë sa herë i përgjigjem Nadijas në frëngjisht.
Djemtë që më lajnë makiën nuk e besojnë dot që unë jo vetëm e di ku është Prizreni, por në fakt kam qenë atje.
Ndaj, jetesa në një tokë të BE-së nuk ka vështirësi reale në këtë nivel për mua. Përkundrazi, duhet të luftoj që të mos më japin falas apo mos të më bëjnë ulje te pijet, prerja e flokëve apo larja e makinës.
Problemi është se ka më shumë në jetë sesa uljet e çmimeve të kafesë dhe prerjeve të flokëve dhe se imigracioni në masë në mënyra të tjera ia ka bërë jetën Londrës gjithnjë e më të padurueshme.
Kur isha fëmijë, më thoshin shpesh “mos hyr kurrë në një autobus apo tren pa njerëz!”
Jo vetëm që nuk më kujtohet hera e fundit kur kam parë një vagon të zbrazët treni, por mezi mbaj mend se kur jam ulur në një. I gjithë sistemi i transportit të qytetit duket se po shembet në peshën e numrit të madh të njerëzve që kalojnë nëpër qytet, ku nuk duket se e lehtësojnë punën trenat ekstra.
Sistemi spitalor po shkon në mënyrë të ngjashme. Për shkak se shumë njerëz duhet të mbajnë për disa ditë radhë për të shkuar te doktori në ambulancën e lagjes, departamentet e Aksidentit dhe Emergjencës në spitale janë mbingarkuar dhe vajtja të shtunën mbrëma nuk është e këshillueshme nëse nuk doni t’ju shfaqet përpara syve një zonë lufte.
E gjithë infrastruktura e qytetit i ngjan një trageti që ka pranuar më shumë pasagjerë nga sa mund të mbajë dhe po fillon të zhytet në mënyrë të rrezikshme gjithnjë e më pranë ujit.
Pasanikët nuk e vënë re dhe nuk interesohen. Për ta, emigracioni masiv nënkupton më shumë shërbëtorë në shtëpi dhe punëtorë më të lirë për bizneset.
22 vite më parë, asnjë nuk kishte dado nëse nuk ishte i familjes mbretërore. Tani një dado sllovake, serbe apo kroate që jeton me familjen është shenjë e londinezëve që kanë të ardhura të mjaftueshme dhe një fëmijë. Fqinjët e mi e kanë një të tillë, një serbe, ata nuk janë madje as të pasur. Është kthyer në ekuivalenten e të pasurit një mace.
Të pasurit marrin taksi, jo autobusë, kalojnë më shumë kohë në shtëpitë e dyta, buzë detit, në fshat apo në Francë dhe nuk kanë parë kurr një departament spitalor; siguracioni i tyre i ofron akses te spitalet private ku stafi i ngjan modeleve dhe hotelierëve.
Dhe për këtë arsye gishti më rri pezull mbi letrën e bardhë në tryezë. A dua izolim, një luftë tregtare, një rënie të çmimeve të shtëpive, një krizë të menjëhershme kushtetuese me Skocinë [që do të votojë për të qëndruar] dhe një fund për hidraulikët e lirë polakë? Në fakt, jo.
Por a dua më shumë nga sa na ofrohet tani? Hmm. Mendoj se do ta kem vendosur këtë kur të jem në kutinë e votimit.