Ndërsa miliona fëmijë refugjatë nga Siria i largohen luftës në vendin e tyre, ata duhet të marrin arsimin e nevojshëm në vendet e pritjes për të shtuar mundësitë e tyre në jetë dhe për t’i qëndruar larg radikalizmit.
Më 20 qershor, ishte Dita Botërore e Refugjatëve. Ne nderuam fuqinë dhe kurajën e atyre që janë detyruar të largohen nga shtëpitë. Po mendoj për Mohammed, një refugjat sirian të cilin e takova kur vizitova shkollën fillore Istoc në Turqi muajin e shkuar.
Në një shkollë plot lëvizje, tashmë e angazhuar maksimalisht për të akomoduar një shtim të popullatës, pashë Mohammed në fund të klasës, i cili ishte përqendruar një projekt arti. Klasa po vizatonte artefakte nga muzetë dhe po diskutonte me gjallëri rreth rëndësisë së ruajtjes së kulturës dhe trashëgimisë.
Mohammed ndaloi për të shpjeguar se si shokët e klasës e kishin ndihmuar të mësonte gjuhën e tyre dhe se si ai po ia merrte dorën me mësimet pasi ishte larguar nga vendi i tij i zhytur në luftë për t’u jetuar në Stamboll. Por ëndrra e tij është të ketë mundësinë të kthehet në shtëpi një ditë dhe ai është i vendosur të studiojë shumë për të fituar dijet dhe aftësitë e nevojshme për të ndërtuar një të ardhme atje.
Vura re se vepra e artit të Mohammed ishte e ndryshme nga ajo e studentëve të tjerë dhe ai shpjegoi përmes një përkthyesi se ai donte të vizatonte një imazh nga shtëpia. Mësuesi i tij mendoi se ai po vizatonte një imazh nga Palmira, një qytet historik aq të shkatërruar saqë UNCESCO ndërhyri për ta ruajtur përpara se të mos mbetet asgjë prej tij. Pyeta veten se çfarë do të shohë Mohammed kur të kthehet në Sirinë e tij të dashur.
Historia e Mohammed është një nga ato që përsëritet pafundësisht. Gjatë pesë viteve të fundit, 4.8 milionë sirianë janë larguar nga vendi i tyre prej luftës civile, gjysma e tyre fëmijë. Në Theirworld, një prej shumë projekteve tona që ka ndihmuar fëmijët refugjatë të arsimohen, ne besojmë se arsimi për të gjithë fëmijët duhet të jetë pjesë e përgjigjes humanitare ndaj konfliktit dhe katastrofës – një e drejtë që duhet të ruhet bashkë me ofrimin e ushqimit, strehimit dhe kujdesit shëndetësor.
Arsimi i sjell fëmijëve dhe familjeve të tyre shpresë, sigurinë e një rutine dhe aftësinë për të planifikuar të ardhmen. Dërgimi dhe mbajtja e fëmijëve në shkollë gjithashtu i mban ata të sigurt nga rreziqet e tjera si puna e fëmijëve, martesa e hershme dhe radikalizmi.
Theirworld ishte e para fushatë për të financuar një sistem pionier me dy turne të arsimit të fëmijëve refugjatë sirianë, që është bërë shumë i suksesshëm në Liban, Jordani dhe së fundmi Turqi. Koncepti është i thjeshtë: një grup fëmijësh marrin mësim në mëngjes dhe të njëjtat ndërtesa dhe burime përdoren për të akomoduar më shumë fëmijë pasdite. Qindra mijëra fëmijë janë regjistruar dhe ne po punojmë për të zhbllokuar financimet që do të ndihmojnë rreth 1 milionë fëmijë në Lindjen e Mesme të kthehen në shkollë në 2017.
Deri më sot, Turqia ka shpenzuar më shumë se 8 miliardë dollarë për krizën, më shumë se çdo vend tjetër dhe ka mirëpritur rreth dy milionë refugjatë, duke premtuar vend në sistemin arsimor për çdo fëmijë kur fondet të bëhen të disponueshme. Deri më tani, autoritetet turke kanë krijuar mbi 200,000 vende shkollimi për fëmijët sirianë – më shumë se gjysma e kapacitetit të nevojshëm deri më tani.
Vendet pritëse si Turqia qëndrojnë gati për të zbatuar këtë sipërmarrje të jashtëzakonshme; por na takon të gjithëve ne të sigurohemi se fondet e premtuara do të jepen në kohë. Në prill, BE-ja u zotua të paguajë 3 miliardë euro për të mbështetur refugjatët sirianë në Turqi dhe arsimi u listua si një prioritet. Tani të gjithë duhet të bëhen bashkë në një tryezë dhe të garantojnë se asnjë problem politik apo barrierë praktike nuk do të pengojë fëmijët të humbin shansin për t’u kthyer në shkollë.
Komuniteti ndërkombëtar ndërmori një hap gjigant në këtë drejtim muajin e shkuar në Stamboll në Samitin Botëror Humanitar, ku u lançua fondacioni Arsimi nuk Mund të Presë për t’u marrë me emergjencën e ardhshme dhe të pashmangshme. Fondi i ri synon të krijojë burime të përhershme për të financuar kapërcimin e hendekut mes ndërhyrjeve humanitare gjatë krizave dhe zhvillimit afatgjatë post-krizë.
Për tani, arsimi është në fund të ndihmës së menjëhershme pas krizës, ku përbën vetëm dy për qind të ndihmës humanitare, ku pjesa më e madhe shkon për shëndetin, strehimin dhe ushqimin. Por me një shënjestër të 3.85 miliardë dollarëve gjatë pesë viteve, Arsimi Nuk Pret shpreson të ndihmojë më shumë se 13.6 milionë fëmijë si Mohammed, që ndryshe do të prisnin me vite për t’iu rikthyer studimeve të tyre.
Për fëmijët në pjesën më të madhe të botës, kanë mbërritur pushimet e verës; shumë fëmijë refugjatë do ta kalojnë atë duke punuar për të sjellë përfitime të vogla parash për familjet e tyre ose duke qëndruar pa bërë gjë në qytete që nuk i njohin ose në kampe. Por le të shpresojmë se financimi shkollor i fëmijëve refugjatë nga Siria do të zgjidhet në Turqi, Jordani, Liban dhe kudo që është e nevojshme në mënyrë që të fillojë planifikimi për të akomoduar çdo fëmijë. Komunitetet ku refugjatët ndodhen janë të gatshme ta realizojnë këtë plan; është koha të zhbllokohen fondet e nevojshme.
Ky artikull u botua me bashkëpunimin e Women and Girls Hub dhe Project Syndicate.