Pelegrinë, klerikë dhe politikanë serbë shënuan në mënyrë paqësore ngjarjet fetare dhe historike në Kosovë, të shoqëruar nga masa të rrepta sigurie.
Serbë nga Kosova dhe Serbia të martën vëzhguan festën fetare të Vidovdanit në të gjithë Kosovën.
Njëkohësisht, pelegrinët serbë përkujtuan Betejën e Kosovës në monumentin e Gazimestanit, rreth pesë kilometra larg nga Prishtina.
Princi serb Aleksandër ishte ndër pjesëmarrësit që kryen festimet nën mbikëqyrjen e patrullave të shumta të policisë.
Të dyja ngjarjet u zhvilluan pa incidente. Përkujtimoret e kaluara janë shoqëruar me përplasje të dhunshme dhe polemika, por këtë vit masat e sigurisë ishin të rrepta.
Në të gjithë Graçanicën, Prishtinën dhe Mitrovicën u hapën pika kontrolli sigurie.
Vidovdani, ose dita e Shën Vitusë, është e rëndësishme për serbët si dita kur forcat osmane mposhtën mbretërinë mesjetare serbe në Betejën e Kosovës në vitin 1389, e cila çoi në humbjen e pavarësisë serbe për më shumë se katër shekuj.
Klerikët ortodoksë serbë mbajtën një ceremoni për disa qindra pelegrinë në Monumentin e Gazimestanit, i cili shënon vendin e Betejës së Kosovës, ndërkohë që në qytetin me shumicë serbe të Graçanicës, një numër i madh qytetarësh u mblodhën në manastirin historik të qytetit.
Kryetari i Graçanicës, Vladeta Kostiç, zv/kryeministri i Kosovës Branimir Stojanoviç dhe zyrtarë të tjerë nga komuniteti serb morën pjesë në festime.
Stojanoviç tha se ishte shumë e rëndësishme që serbët të mblidhen bashkë në Vidovdan, siç kanë bërë për shekuj me radhë, për të vazhduar të punojnë për një të ardhme më të mirë.
“Më e shumta që mund të bëjmë është të rrimë këtu dhe të luftojmë për mbijetesën tonë, të mos heqim dorë nga ekzistenca jonë, të mbajmë mend ata që sakrifikuan më shumë sesa ne dhe të mos lejojmë që ky vend i shenjtë të mbetet pa emra dhe mbiemra serbë,” tha Stojanoviç.
Mirolub Milintijeviç, një banor i Graçanicës, tha për BIRN se Vidovdani është një kujtesë e triumfit ortodoks kundër ushtrive osmane.
“Vidovdani na kujton të gjithë ne ortodoksëve vitin 1389, kur një betejë midis turqve dhe serbëve ortodoksë mbrojti Europën dhe të gjithë Krishterimin. Pak e dinë se serbët e fituan këtë betejë, por historia është shkruar në një mënyrë që ishte e dobishme për dikë tjetër,” tha Milintijeviç.
Forcat pushtuese osmane të Sulltan Muratit I mposhtën ushtritë e princit serb Lazar Hrebeljanoviç gjatë betejës famëkeqe.
Në qytetin verior me shumicë serbe të Kosovës, në Mitrovicë, një statujë 17 metra e lartë e princit Lazar Hrebeljanoviç u zbulua si pjesë e festimeve të të martës.
Edhe pse disa burime historike thonë se Beteja e Kosovës u zhvillua më 15 qershor, serbët e përkujtojnë betejën më 28 mars, datë e cila përket edhe me festivalin e Vidovdanit, për shkak të mospërputhjeve të pretenduara pas miratimit të kalendarit gregorian.
Shumë shqiptarë janë gjithashtu krenarë për rezistencën e tyre kundër Perandorisë Osmane, duke qenë se ushtria që luftoi Muratin e I në Betejën e Kosovës ishte me etni të përzierë.