Një punonjëse e pastrim-gjelbërimit dhe një grup grash e vajzash në Durrës e Shijak kanë bërë kauzë të tyre shpëtimin e qenve të braktisur në këto qytete.
Donika mbërrin herët në mëngjes në shëtitoren në bregdet, ku punon për Ndërmarrjen e Pastrim Gjelbërimit të Durrësit, e shoqëruar me 7-8 qen, të cilët i rrethojnë biçikletën nga të katër anët. Një mesogrua e cila jeton vetëm, Donika Hamzai, 46 vjeç, ka pasion të ndihmojë qentë dhe macet e rrugës, që mbushin shtëpinë dhe jetën e saj. Ajo thotë se pas një traume familjare “gjeti shërim në përkujdesjen për kafshët e rrugës”. Gruaja është bërë tani bërthama e një grupi vullnetarësh që luftojnë për t’i ushqyer, kuruar dhe mbrojtur qindra “qen komunitarë”, siç i quajnë ato dhe për të cilët pak kush kujtohet ose edhe nëse kujtohet, siç u ka treguar eksperienca vullnetareve, mendon t’i heqë qafe me sa më pak kosto.
“Gjiganti”, “Pushka”, “Roza”, “Bela”, “Luna” e dhjetra të tjerë të racave dhe ngjyrave të ndryshme janë qentë për të cilët 46-vjeçarja kujdeset bashkë me Lorenën veterinere, Dorianën e cila drejton grupin, Miriamin, Santinën e Argjentinën dhe dy djem po ashtu pjesë e grupit. Gratë kanë nisur prej muajsh punën për të matrikuluar 100 qen, ndërsa i kanë sterilizuar vetë dhe kuruar dhjetra prej tyre. Por përpjekjet e tyre për të ndryshuar fatin e kafshëve të braktisura, janë të vetmuara. Madje nuk ka qenë e mundur të bashkohen, pavarësisht qëllimit as me dy grupe të ngjashme që veprojnë në Durrës dhe Shijak.
Ata që i vrasin nuk mund t’i shpëtojnë
Koha u ka treguar vullnetareve se politika lokale është larg kauzës që mbrojnë, madje premtimi i fundit i kryetarit të bashkisë për qentë e rrugës i ka shqetësuar. Duke iu përgjigjur pyetjeve të operatorëve turistikë, kryebashkiaku Vangjush Dako tha në takimin e organizuar nga prefektura disa javë më parë, se bashkia ka një projekt fillestar për numërimin dhe sistemimin e tyre.
Por Doriana Kondakçi, që drejton grupin, thotë se menjëherë pas kësaj ka patur një helmim masiv të qenve të rrugës në zonën e spitalit civil rajonal. “27 qen komunitarë janë asgjësuar brenda një nate duke përdorur copa mishi me bar miu dhe bashkë me to janë helmuar edhe disa qen të tjerë të zonës përreth,”tregon Doriana. Vajzat dhe djemtë që punojnë së bashku e kanë marrë njoftimin nga punonjës – roje të bizneseve pranë spitalit dhe sipas tyre ky nuk është një “aksion individual” i ndonjë banori të lagjes.
“Kufomat e qenve të nesërmen janë dërguar nga punonjësit e bashkisë për tu djegur në fushën e kompostimit të plehrave, në veri të qytetit,” thonë vullnetarët, të cilët shtojnë se përveç “metodave mesjetare” që përdoren nga njerëz që rrallë identifikohen, nuk janë të pakët ata që i keqtrajtojnë qentë e rrugës edhe haptas dhe me një dozë krenarie. “Sëmundjet e këtyre qenve mund të kurohen, por agresiviteti i njerëzve ndaj tyre shpesh është më i rrezikshëm,” thotë Doriana.
Vajzat vullnetare llogarisin rreth 200 qen për çdo lagje, ose afro 4000 qen komunitarë në të gjithë qytetin e Durrësit. “Megjithë dëshirën e mirë, është e pamundur që vullnetarët t’ia dalin vetëm,” thotë Doriana, por ajo nuk ka besim në organet vendore, të cilat sipas saj nuk e kanë marrë asnjëherë seriozisht zgjidhjen e problemit.
“Pavarësisht deklaratave mediatike që edhe Durrësi do të ndjekë shembullin pozitiv të Tiranës, deri tani në Këshillin bashkiak nuk është paraqitur asnjë projekt për këtë sektor” – thotë dr. Mira Kaurri, anëtare e këtij Këshilli. Ish-veterinerja e bashkisë tregon se deri në vitin 2011 qentë e rrugës janë ekzekutuar nga gjuetarët, kundrejt pagesës. Ishin zakonisht 2 gjuetarë, që punonin gjatë natës, nën vëzhgimin e punonjësve të bashkisë dhe policisë. Sekretari i shoqatës së gjuetarëve, Vasil Aleksi, tregon se “kishte një marrëveshje mes shoqatës së gjuetarëve dhe bashkisë për ekzekutimin e tyre, por kur përmasat dhe intensiteti i banesave në qytet u shtuan, atëherë edhe nën presionin e ndërkombëtarëve që interesoheshin për zgjidhjet animaliste filluan të kërkoheshin mënyra të tjera”.
Në takimin e përjavshëm në një nga bar-kafetë e periferisë Lorena, Donika, Doriana, Miriami, Santina e Argjentina mblidhen për të biseduar për punën dhe për qentë për të cilët kujdesen dhe të cilët shtohen.
Doriana thotë se pak kohë më parë në një kosh plehrash Donika gjeti 6 këlyshë, për të cilët u kujdes vetë, duke i ushqyer me biberon. Po ato ditë një “zotëri” tjetër hodhi në det pranë shëtitores një valixhe me 8 qenushë të tjerë që ende nuk kishin hapur sytë. “Fatmirësisht i shpëtuam në kohë. Situata u bë serioze dhe ne u kujdesëm që disa prej tyre të adoptoheshin nga familjarë, me të cilët kemi krijuar lidhje,”shton Doriana.
Ajo i është bashkuar nismës pasi është rikthyer nga Greqia në Durrës para 5 vjetësh. 15-20 orë në javë ia kushton vullnetarizmit pro qenve të rrugës, pa lënë mënjanë familjen dhe biznesin e specializuar që drejton në qendër të Durrësit. Edi dhe Landi, dy djemtë e grupit, janë më pak të pranishëm në takimet e vullnetareve, por nuk i bëjnë bisht asnjëherë detyrave të ndryshme apo lëvizjes me automjet të vajzave, e shpesh duhet të kujdesen për t’i “bindur” qentë e rrugës, për tu sterilizuar, apo thjesht për tu mjekuar.
Të vetmuar në përpjekje
Grupi i vullnetarëve ndërkohë është i shqetësuar për mënyrën se si qentë që ata ndihmojnë shihen prej njerëzve. Lorena Xharja thotë se një “pit bull” që tërhiqej nga një dalë i ri tre javë më parë kafshoi një nga punonjësit e bashkisë gjatë një feste në qendër të Durrësit. “Askush nuk u interesua, se cili ishte pronari, e po ashtu askush nuk u kujdes për rrezikun që i kanosej qytetarit,” shprehet Doriana.
“Pamjet e rrjeteve sociale kanë dëshmuar për raste flagrante të rreziqeve që vijnë nga qentë familjarë, madje edhe pamje makabre të qenve të rrugës që vriten para kamerave nga pit bullët e shfrenuar,” thotë Lorena, e cila është e bindur se dëmtimet e shkaktuara nga qentë komunitarë ndaj qytetarëve janë shumë më të pakta në numër. Vullnetaret që e kanë ndarë punën sipas lagjeve ku banojnë kujdesen për të gjetur ushqimet e mbetura në kopshtet dhe çerdhet e fëmijëve, ndërsa Lorena prej disa vitesh sterilizon qentë e rritur. Ajo është veterinere dhe kostot e operacioneve i kanë ulur deri në 30-40 për qind. “Paguajmë vetëm narkozën,” tregon Lorena, duke shtuar se “edhe në këtë rast jemi mbështetur te mirësia e Donikës, e cila ka vënë në dispozicion një mjedis të vogël në banesën ku jeton me qira. Lorena me ndihmën e Landit kujdeset për nevojat mjekësore, trajtim për parazitë, trajtim me antibiotikë e vitamina, sterilizime/kastrime, qethje, trajtim lëkure e të tjera”. Donika u ka dhënë strehë 25 qenve në shtëpinë e saj.
Para disa ditësh vajzat dhe djemtë vullnetarë kanë nisur të realizojnë sistemin e matrikullimit të qenve të sterilizuar. “Çokollata” është qeni i parë me matrikull-vath në vesh dhe mban nr 219 – thotë Doriana. Si fillim, ata kanë shpenzuar 50 dollarë për “vathët-matrikull”, të cilat do tu vendosen 100 qenve të parë që i janë nënshtruar më parë procesit të sterilizimit apo kastrimit dhe janë regjistruar prej tyre.
Edhe pse e njohin përparësinë që kanë shoqatat jofitimprurëse për kontaktet me vendorët, grupi i vullnetarëve nuk është organizuar si i tillë. Lorena thotë se procedura burokratike kushton dhe se paratë që mbledhin u duhen për tu ardhur në ndihmë qenve të sëmurë. “Të shohin si UFO kur u flet për një temë të tillë,” shton ajo.
Të njëjtin mendim ka edhe Miriam Deliallisi, një studente 20-vjeçare disa kilometra më të tutje në Shijak. E ëma, Santina, e cila ka ardhur nga vendlindja e saj, Asti (Itali) për të jetuar në qytetin e bashkëshortit, i ka mbështetur gjithmonë nismat e së bijës. “Në oborrin e një ndërmarrje private kemi krijuar kushtet për qëndrimin e një grupi qensh, por edhe macesh,” thotë Miriami, e cila pranon se është krejtësisht pa përkrahje në Shijak. Në këto mjedise private vullnetaret e vetme të Shijakut janë kthyer në shpëtimtaret e dhjetra kafshëve të braktisura.
Falë lidhjeve që kanë në Itali Santina dhe Miriami kanë bërë të pamundurën që kafshët që shihen rrugëve të Shijakut të kenë një të ardhme në vendin fqinj.
“Një qen të racës seter që kishte mbetur rrugëve e gjetëm poshtë një kamioni, krejtësisht të pisët,” dëshmon në gjuhën shqipe Santina, e cila thotë se disa muaj më vonë qeni i adoptuar nga një familje në Romë, u bë model i një seti fotografik në kryeqytetin e Italisë. “Ka muaj kur ne arrijmë të dërgojmë për adoptim në Itali 8-10 qen dhe mace,”ndërhyn Miriami, sipas të cilës të gjitha kafshët i nënshtrohen trajtimeve mjekësore, deri në largimin e dokumentuar drejt Italisë.
Miriami gjithsesi nuk e fsheh pezmin për gjendjen e Shijakut. “Të gjithë e dinë se Erzeni është kthyer në një varrezë kafshësh, por askush nuk do ta pranojë hapur këtë,”thotë e trishtuar studentja e inxhinierisë.