Pyetja nuk është a do Rama të shkojë në Beograd dhe a bën mirë apo keq. Pyetja është a do politika serbe një vizitë të tillë dhe, nëse jo, çfarë është e gatshme të bëjë për ta ndaluar.
Vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd u shpall në Konferencën e Berlinit, një takim i organizuar nga Gjermania për Ballkanin Perëndimor, në emër të bashkëpunimit rajonal dhe të fqinjësisë së mirë, si dhe rolit të BE-së në Ballkan gjatë “ngricës së madhe”, pra faktit që BE-ja nuk do të pranojë vende të reja anëtare për së paku pesë vjet.
Ndërsa europianët duken të etur që vizita e Ramës në Beograd të kryhet, politika në Beograd nuk duket e gatshme për ta hedhur këtë hap. Debati i pafundmë mbi ndeshjen e futbollit Serbi – Shqipëri dhe fyerjet pa teklif të zyrtarëve serbë ndaj shqiptarëve në tërësi si popull, krijojnë përshtypjen se politika serbe po bën gjithçka që mundet për ta ndaluar vizitën, duke testuar njëkohësisht fuqinë e vet negociuese përballë Brukselit si dhe duke ushqyer popullin e vet me nacionalizëm, pikërisht në kohën kur ky vend përballet me krizën e vet identitare, afrimi me Bashkimin Europian ose afrimin me Rusinë.
Jelena Milic, drejtoreshë e Qendrës për Studime Euro-Atlantike, CEAS, një institucion kërkimor, komentoi për BIRN më herët këtë muaj se Serbia në fakt gjatë shtatorit ka hedhur tre hapa të rëndësishëm drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s, ndërsa sugjeron se vizita e Putinit është një masë propagandistike që synon të heqë vëmendjen ndaj marrëveshjeve reale me BE-në dhe NATO-n.
Në këto kushte, nuk është e paarsyeshme që retorika nacionaliste e politikës serbe kundër Shqipërisë të jetë pjesë e propagandës për konsumim të brendshëm të udhëheqësve serbë. Serbia është aktualisht jo vetëm në krizë ekzistenciale, të llojit “me Moskën apo me Brukselin” por edhe me një krizë të fortë ekonomike. Vetëm pak javë më parë kryeministri i Serbisë Ivica Dacic njoftoi se i duhet të bëjë shkurtime të konsiderueshme në shpenzime, gjë që do të sjellë reduktim të pagave dhe pensioneve të konsideruara si “të larta”, ndërsa premtoi se do të kursejë nga shkurtimet pensionet dhe pagat e konsideruara si “të ulëta”.
Fakti është që politika serbe nuk u tregua e gatshme të garantojë as kushtet më minimale të sigurisë gjatë ndeshjes kundër Shqipërisë. Për një shtet me aparat të zhvilluar policor si Serbia, vështirë se mund të pranohet se siguria “nuk qe e mundshme”. Vërshimi i huliganëve në fushë është produkt i tolerancës së politikës serbe dhe policisë serbe ndaj këtyre huliganëve.
Në këto kushte, sjellja e tyre në lidhje me ndeshjen me Shqipërinë apo vizitën e Ramës, duhen parë si propagandë e destinuar për konsum të brendshëm. Teoritë e konspiracionit mbi dronin me banerin e Shqipërisë së Madhe u krijuan dukshëm nga politika e Serbisë për të krijuar përshtypjen mes votuesve të tyre të një komploti botëror kundër Serbisë. Ky është i njëjti model propagande si ai i Shqipërisë komuniste që synonte të justifikonte dhunën ndaj popullit të vet me teorinë e një komploti botëror, e një sulmi iminent nga NATO dhe Traktati i Varshavës mbi Shqipërinë.
Por pavarësisht se çfarë arsyesh i shtyjnë politikanët e Serbisë për këto lloj lojrash propagandistike, fakti është që në situatën aktuale, Rama vështirë se mund të marrë garancitë e duhura nga politika serbe për zhvillimin e një vizite normale shtetërore të nivelit të lartë.
Politika e Serbisë po bën përpjekje të ethshme për të ndaluar vizitën e Ramës pa marrë parasysh kostot që mund t’i krijohen nga ky refuzim. Dukshëm Beogradi nuk është i përgatitur shpirtërisht për normalitet.