Aktori i njohur britanik Ian McKellen, i njohur ndër të tjera dhe për interpretimin në filmat “Lord of The Rings” dhe “X-Men,” ka shprehur mbështetjen e tij publike për lëvizjen LGBT në Shqipëri.
Aktori me famë botërore ka publikuar një foto të tij ku mban një shënim në dorë që shkruan në shqip: “Gjërat mund të bëhen më mirë për LGBT në Shqipëri nëse ne vendosim të reagojmë. Të dashur miq. Kurajo, ju mund t’ia dilni, ne ju mbështesim”
Në shënim duken qartë edhe logot e dy organizatave kryesore LGBT në vend, “Aleanca Kundër Diskriminimit” dhe “ProLGBT”.
Sir Ian McKellen, fitues i një çmimi Golden Globe dhe i shumë trofeve të tjera si dhe i nominuar dy herë për çmimin Oscar është pjesë e bordit të fondacionit Albert Kennedy Trust.
Ky fondacion që menaxhon disa streha për të rinjtë e pastrehë LGBT në Britani po asiston dy organizatat shqiptare “Aleancën Kundër Diskriminimit” dhe “ProLGBT” në punën që këto po bëjnë për të ngritur në Shqipëri të parën strehë për LGBT.
Drejtues të “Albert kennedy Trust” zhvilluan së fundmi një vizitë në Shqipëri ku u takuan, të shoqëruar nga drejtues të LGBT edhe me ministrin e Mirëqënies Sociale Erion Veliaj dhe me zv/ministren e Shëndetësisë Milva Ikonomi.
Streha që do të vijë në ndihmë për të rinjtë shqiptarë LGBT që përzihen nga shtëpia do të ketë një kapacitet prej 8 shtretërish (mbi 2000 netë-shtretër në vit) dhe do të jetë brenda të gjitha parametrave dhe standarteve të kërkuara nga shteti shqiptar. Streha pritet të hapet në muajin nentor të këtij viti.
McKellen, 75 vjeç dhe me një karrierë mbi 50 vjecare në kinematografi dhe teatër është ndër të parët artistë me famë botërore që mbështet publikisht LGBT në Shqipëri. Më herët gjatë një eventi për të drejtat e njeriut në Stokholm edhe Loreen, fituesja e festivalit Eurovizion, shprehu mbështetjen për LGBT shqiptarë në një video të postuar në Youtube.