Mijëra qytetarë u mblodhën të dielën në Tiranë për të protestuar kundër importit të mbetjeve dhe hidrocentraleve në Valbonë, duke zgjedhur këngën si mënyrë alternative të protestës për të përçuar kundërshtimin e tyre ndaj veprimeve të politikanëve; si dhe për të ‘festuar’ krijimin e frymës së revoltës qytetare.
Protesta nisi me këndimin e himnit të flamurit dhe përfundoi me një këngë të stilit të lirë “Mos ma prek Valbonën dhe jo plehrat në Shqipëri” nga artistët Eda Zari, Elina Duni, Gent Rushi, Jericho, Genc Salihu, Kamela Islamaj, Marsela Çibukaj, Armend Xhaferri, Ilir Bajri, Linda Rukaj, Emiljan Dhimo, Ermal Rodi, Olsa Papandili, Dj Oda.
Koncert – protesta, një organizim i lirë i artistëve dhe shoqërisë civile i shtohet dhjetëra protestave që shoqëria civile shqiptare ka organizuar gjatë vitit 2016 për probleme të ndryshme nga rritja e çmimit të biletave, rritja e taksave për bizneset, kaosi në universitete, HEC-et në Valbonë dhe Vjosë, falimenti i ARMO-s (etj) deri te më të fundit, protestat kundër importit të mbetjeve.
Duke kënduar dhe kërcyer, protestuesit i përcollën qeveritarëve jo vetëm mesazhet e kauzës, por edhe bindjen e tyre të patundur për ta ngritur zërin ndaj çështjeve që kundërshtojnë dhe vazhdimin e shpresës për ta bërë Shqipërinë një vend demokratik dhe të shëndetshëm për këdo.