Bashkia e Tiranës ka marrë së fundi një seri masash për përmirësimin e transportit urban në kryeqytet; megjithatë, jo të gjithë qytetarët janë të kënaqur me standardet dhe cilësinë e shërbimit.
Transporti publik është prej vitesh një nga pikat më problematike të qarkullimit në kryeqytet. Ankesat për cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit të ofruar kanë qenë të shumta dhe të gjithë jemi dëshmitarë të sa e sa rasteve të mosfunksionimit si duhet të tij, duke filluar nga vonesat e autobusëve, pritjet e gjata në stacione, te numri i pakët i tyre, që shpesh çon në mbimbushje dhe një udhëtim në kushte jo normale, e deri te mungesa e higjienës, ajrosjes, apo ngrohjes. Jo të pakta janë edhe vërejtjet në lidhje me faturinot apo edhe shoferët dhe mënyrën e sjelljes së tyre.
Bashkia e Tiranës, në kuadrin e riorganizimit të plotë të transportit, përmes një sërë masash të marra së fundi në lidhje me përmirësimin e këtij shërbimi dhe shtrirjen e tij edhe në zonat e pambuluara më parë, është duke përgatitur parametrat teknike të shërbimit dhe pretendon se është duke i përmirësuar dukshëm kushtet për qytetarët.
Megjithatë, këta të fundit mbeten të dyzuar për sa i përket progresit të bërë nga bashkia në këtë drejtim.