Regjisorët dhe aktorët kroatë po nisin një fushatë që i nxit autoritetet të mos e ndryshojnë sistemin aktual të financimit të filmave, duke i shpëtuar kështu ndikimit politik në industrinë e filmit në vend.
Një grup aktorësh kroatë, regjisorësh dhe artistësh të përfshirë në industrinë e filmit po lançojnë një fushatë në Zagreb të hënën, të quajtur ‘Puk’o nam je film’ (shprehje kroate për “Na ka ardhur në majë të hundës”), e cila kërkon të lirojë industrinë e filmit në vend nga ajo që shihet si ndikim politik.
Iniciativa, e filluar nga Shoqëria e Regjisorëve Kroatë të Filmit, ka mbledhur tashmë mbështetje nga më shumë se 100 njerëz të përfshirë në industrinë e filmit në vend.
Nebojsa Slijepceviç, një regjisor dhe anëtar i komitetit ekzekutiv të Shoqërisë, tha për BIRN se ai e mbështet iniciativën sepse mendon se disa politikanë synojnë “të shkatërrojë kinematografinë dhe artin e pavarur për të rikthyer vitet 1990, kur filmat kroatë nuk mund të konsideroheshin si cilësorë”.
“Kushdo që i do filmat dhe demokracinë në Kroaci duhet ta mbështesë këtë iniciativë,” tha ai.
Iniciativa u lançua pasi financimi i filmave kroatë u bë subjekt i një debati politik në javët e fundit.
Më herët këtë muaj, auditorët shtetërorë raportuan se kishin gjetur disa lloj parregullsish financiare në Qendrën Kroate Audio-Vizive, HAVC, organi i pavarur shtetëror që ndihmon financimin dhe promovimin e filmave kroatë.
Auditorët pretenduan se ndërsa analizuan të dhënat financiare të HAVC nga 2015, gjetën se shefi organizativ Hrvoje Hribar, ishte përgjegjës për disa parregullsi.
Ata pretendojnë se HAVC pagoi për një vend parkimi për makinën personale të Hribar përpara zyrës së tij në Zagreb, pagoi në mënyrë të paligjshme persona duke përdorur kontrata të paguara dhe pagoi për telefona për njerëz që nuk ishin të lidhur me ta.
Ata gjithashtu pretendojnë se Hribar nuk kishte miratimin e komitetit ekzekutiv të HAVC kur i dha shumën prej 26,800 euro regjisorëve apo miratimin e ministrit të kulturës kur dha shumën prej 67,200 euro.
Aktivistët argumentojnë megjithatë se auditi ngatërroi paratë e nevojshme për operimin e qendrës – për të cilën Hribar do të kishte nevojë për miratim të komitetit apo ministrit – me paratë e dhëna për financimin e filmave.
Nëse paratë për filmat kanë nevojë për miratim nga lart, argumentoi Slijepceviç, çdo film i financuar nga shteti do të kishte nevojë për firmën e ministrit të kulturës, gjë që do të përfaqësonte “një ndikim të fortë politik mbi regjisorët”.
“Kjo që po dëshmojmë në vitet e fundit janë sulme të vazhdueshme mbi zemrën e sistemit të HAVC. Kjo është plotësisht e gabuar, ngaqë është një prej institucioneve të pakta që funksionon siç duhet në Kroaci – pavarësisht gabimeve të vogla – dhe arrin rezultate të mëdha,” tha Slijepceviç.
Ai këmbënguli se HAVC është një institucion i pavarur politikisht të cilën politikanët duan ta marrin në kontroll.
Që nga ngritja e HAVC në 2008, industria kroate e filmit ka prodhuar shumë filma të cilët kanë fituar çmime të shumta në festivalet e mbajtura kudo në botë – ndryshe nga vitet 1990, kur financimi i filmave ishte më shumë në kontroll politik.