Barazia gjinore, aksesi në drejtësi dhe të drejtat e minoriteteve përbëjnë shtyllat e zhvillimit të një shoqërie të fortë dhe të qëndrueshme.
20 Marsi shënon Ditën Botërore të Drejtësisë Shoqërore. Ideja e përkujtimit është pranimi i nevojës për akses të drejtë në burime dhe mundësi, dhe që shoqëritë të bazohen te të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.
Gjithashtu duhet të nënvijëzojë përpjekjet për të çrrënjosur varfërinë, për të promovuar punën me dinjitet dhe për të siguruar akses në drejtësi. Identiteti është një tjetër faktor kyç në drejtësinë shoqërore, i lidhur me kombësinë, fenë, racën, gjininë, seksualitetin dhe prejardhjen socio-ekonomike.
1. Mbështetja për barazinë gjinore
“Barazia gjinore është një vizion i përbashkët i drejtësisë sociale dhe të drejtave të njeriut,” tha Phumzile Mlumbo-Ngcuka, drejtoreshë ekzekutive e UN Women, në një diskutim të Kombeve të Bashkuara mbi gjininë në Nju Jork.
Martesa në fëmijëri është një shkelje serioze e të drejtave të njeriut që kërcënon të drejtat e fëmijëve dhe grave për shëndetësi, arsimim, barazi dhe mos-diskriminim. Lufta për të zhdukur martesën në fëmijëri po ndodh në të gjithë botën. Javën e shkuar, Malavi e ndryshoi kushtetutën e vet për të bërë plotësisht të paligjshme martesën e fëmijëve pas një fushate një-vjeçare nga shoqëria civile. Duke e bërë këtë, vendi tani i jep vajzave një shans më të lartë për arsimim, për t’u çliruar nga dhuna dhe shfrytëzimi dhe për të shijuar një të ardhme më të sigurt. Nëse vendet nuk veprojnë tani, më shumë se 140 milionë vajza do të bëhen nuse në fëmijëri deri në 2020.
2. Mbrojtja e aksesit të lirë dhe të ndershëm në drejtësi
Vlerësohet se mbi katër miliardë njerëz në shkallë globale nuk kanë akses në drejtësi. Kjo e përkeqëson varfërinë, dhunën dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut. Sundimi i ligjit është themeli i një zhvillimi ekonomik gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm. Synimi 16 i SDG-ve adreson korrupsionin, dhunën, llogaridhënien dhe transparencën. Si rezultat i institucioneve të dobëta dhe mungesës së aksesit në drejtësi, njerëzit e pambrojtur janë gjithnjë e më shumë në rrezik. Matja e cilësisë së rezultateve të synimeve SDG do të ndihmojë në informimin e politikëbërësve për hapat që duhen ndjekur.
Individët gjithashtu mund të kontribuojnë për të mbështetur Iniciativën e SDG16. Është një përpjekje kolektive për të mbështetur gjurmimin e hapur të zotimeve globale të bëra nga më shumë se 194 vende për paqen, drejtësinë dhe institucionet e forta.
3. Promovim dhe mbrojtje e të drejtave të minoriteteve
Duke garantuar të drejtat e minoriteteve, shoqëria sigurohet që askush të mos përballet me diskriminim për shkak të identitetit, etnisë, fesë apo racës. Përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane në 2016, Qendra Pew e Kërkimit tregoi se 63% e votuesve thanë se trajtimi i minoriteteve ishte shumë i rëndësishëm në votën e tyre për presidentin. Pyetja është si të sigurohet që përmes kësaj të arrihet drejtësi sociale, veçanërisht tani që shumë vende pritet të zgjedhin liderë të rinj në 2017.
Në Davos këtë vit delegatët diskutuan se si mund të ndërtohen shoqëri më gjithëpërfshirëse në sesionin Toleranca në Pikë Kthese.
Marrë me autorizim nga Weforum.org