Përpjekja e udhëheqësit de facto të Polonisë, Jarosław Kaczyński, për të ndaluar rizgjedhjen e Donald Tusk si President i Këshillit të Europës përfundoi me poshtërim dhe disfatë. Tashmë ne mund të presim që qeveria polake të hakmerret ndaj BE-së, pavarësisht pasojave gjeopolitike apo ekonomike që mund të ketë ky vend.
Deri në përpjekjen e tij të fundit dhe të dështuar për të bllokuar rizgjedhjen e Donald Tusk si President i Këshillit të Europës, udhëheqësi de facto i Polonisë Jarosław Kaczyński, qe dukur në sytë e shumë udhëheqësve të Bashkimit Europian si një politikan i ngjashëm me kryeministrin hungarez Viktor Orbán ose me shumë populistë të tjerë të Europës Perëndimore. Por në fakt nuk qe tamam kështu. Tashmë Europa ka shijuar kulturën politike të Polonisë, e cila ka një histori të sjellurit rrotull në përpjekje për të përmbajtur një njeri të çmendur. Kjo është ajo që Aleksander Këaśniewski bëri si president dhe ajo që mbajti të zënë me punë Tusk kur ai qe kryeministër. Tashmë kjo detyrë bie mbi opozitën e Polonisë – dhe mbi Europën.
Ajo që ndodhi në Bruksel nuk qe pjesë e një plani më të madh. Përpjekja e Kaczyńskit për të penguar Tusk nuk i shërbeu askujt, as Polonisë dhe as partisë në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS), të cilën Kaczyński drejton. Kjo nuk është surprizë, për shkak se Kaczyński përfaqëson antitezën e pragmatizmit, të cilin ai e sheh si etiketë të tradhtisë dhe dobësisë. Ndryshe nga Orbán, partneri i tij në “iliberalizëm,” Kaczyński është një fanatik me paranoja, jo thjeshtë një oportunist cinik.
Nuk mund të përfitosh gjë nëse përpiqesh të deshifrosh planet, qëllimet apo ideologjinë e Kaczyńskit. Ai nuk është një egoist; në termat e Frojdit, ai është një njeri me sjellje instiktive natyrore, i pushtuar nga vetëshkatërrimi. Modus operandi i tij është të sulmojë kundërshtarët e vet, të presë që ata t’i përgjigjen apo të organizojnë rezistencë dhe më pas të hakmerret me forcë të plotë. Dhe, si gjithmonë, mendimet e tij, aleatët dhe objektivat afatshkurtra janë jokonsistente, për shkak se ato në fund kanë pak rëndësi për të.
Duke marrë parasysh se Kaczyński beson se ai është poshtëruar në samitin e fundit, ai pritet të sulmojë tashmë BE-në. Ai do të provokojë, pengojë, injorojë dhe të shpallë fajtorë. Në një shenjë të asaj që pritet të vijë, ministri i Jashtëm i Polonisë, Witold Waszczykowski, i tha gazetës tabloide Superekspres pas samitit se BE-ja po ndjek “një politikë standardesh të dyfishta dhe hilesh.” Sipas Waszczykowskit, Polonia jo vetëm “duhet të reduktojë në mënyrë drastike nivelin e besimit te BE,” por “duhet të fillojë edhe një politikë negative,” duke “bllokuar iniciativat e tjera apo duke luajtur një lojë shumë agresive.”
Në fakt, Kryeministrja Polake Beata Szydło sakaq e ka nisur zbatimin e kësaj strategjie duke refuzuar të firmosë procesverbalin zyrtar të samitit, a thua se ky refuzim do ta bëjë konkluzionin e samitit të pavlefshëm për Poloninë. Lojëra të tilla fëminore janë bërë karakteristikë tipike e qeverisë së PiS, e cila ka refuzuar më herët të publikojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vendit, a thua se një masë e tillë i bën këto vendime ligjërisht jodetyruese. Qeveria pa dyshim e ka paralizuar gjykatën, rrjedhimisht duke minuar sistemin e sundimit të ligjit në Poloni.
Kaczyński beson se Këshilli i Europës meriton një fat të ngjashëm. Në këndvështrimin e tij, BE-ja e zgjodhi Tusk në mënyrë të paligjshme dhe për rrjedhojë, Këshilli i Europës është pa president. Polonia nuk do të punojë me një entitet të tillë për shkak se, sipas Waszczykowskit, “ajo që ndodhi të martën është një shenjë se ne nuk do të mashtrohemi.” Ne mund të presim që qeveria e Polonisë, pa marrë parasysh pasojat ekonomike apo gjeopolitike, do të vendosë veto mbi vendimet e Këshillit Europian, të pengojë apo bojkotojë samitet dhe të dhunojë ligjin e BE-së.
Një manovër e mundshme është arrestimi i Tusk, gjë që mund ta detyrojë BE-në të negociojë me Kaczyńskin për lirimin e tij. Financial Times ka raportuar se Kaczyński i ka thënë kancelares gjermane Angela Merkel se Polonia do të kërkojë shpalljen e tij në kërkim policor. Kjo mund të tingëllojë absurde. Por nuk ka asgjë më absurde se sa propozimi i Jacek Saryusz-Wolskit si kandidat për të zëvendësuar Tusk. Dhe është natyrisht jo më pak absurde se sa shpallja e Tusk në kërkim për t’u arrestuar: Kaczyński është i bindur se Tusk qe pjesë e një komploti bashkë me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin në rrëzimin e avionit në vitin 2010, aksident që vrau mes të tjerëve edhe Lech Kaczyński, president i Polonisë dhe vëllai i tij.
Është bërë e qartë se Kaczyński nuk do të bie në qetësi deri sa Tusk të bjerë në burg. Kjo dukshëm paraqet një problem për BE-në, për shkak se i dyshuari për kriminel është President i Këshillit të Europës.
Problemi për Poloninë dhe për Europën me luftën e Kaczyńskit kundër BE-së është se kjo mund të përfundojë me një “Polexit” – një dalje të Polonisë nga Bashkimi. Tashmë që ai ka përcaktuar se BE-ja “i mashtroi” polakët, ai do të joshet nga ky konkluzion në vijimësi. Dhe luftërat e Kaczyńskit nuk përfundojnë kurrë me kompromis. Ai duket i paprekur nga paralajmërimi i Presidentit të Francës François Hollande, i cili deklaroi se ndonëse Polonia “mund të ketë parime, BE-ja ka fonde strukturore,” për shkak se ai nuk është tipi që shqetësohet për kostot. Siç i tha ai Reuters, qeveria e tij është “një revoltë dhe në terma afatgjatë, kjo është me leverdi, edhe nëse ritmi aktual i rritjes ekonomike ngadalësohet.”
Por BE-ja mund të gjejë një fije shprese nga sjellja skandaloze e qeverisë së Polonisë, nëse ajo përdor përballjen aktuale për të emancipuar vetveten nga urdhrat më të këqij të vendeve anëtare. Dhe me të çmendur të tillë si Kaczyński, BE-ja ka nevojë të dëshpëruar për të emancipuar veten. Nëse BE mund të kundërshtojë dëshirat e një vendi anëtar në një rast, ajo mund ta bëjë këtë gjë sërish. Kjo do të thotë në praktikë se BE-ja duhet të përdorë votimin me maxhorancë të dyfishtë, të cilin zyrtarët e Brukselit kanë qenë deri tani shumë të frikësuar për ta përdorur, por që është një mekanizëm që mund ta bëjë BE-në më efikase dhe më të integruar.
Në fund, BE-ja do të triumfojë, për shkak se polakët e zakonshëm do të kuptojnë me shpejtësi se pavarësia e vendit të tyre nuk ka kuptim pa BE-në dhe pa NATO-n. Polonia nuk mund të mbijetojë gjatë si vend asnjanjës dhe se duhet domosdoshmërisht të jetë pjesë ose e Perëndimit gjeopolitik ose nën Rusinë satrape.
Për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë nëse ky vend largohet nga BE, Polakët kanë nevojë të shohim jo më tutje se sa në Ukrainën fqinje, e cila humbi Krimenë më 2014 dhe tashmë jeton me separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonet e veta lindore. Atyre së paku duhet t’i rikujtohet se Ukrainasit do të ishin shumë të lumtur të shkëmbenin rolet me ta.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Poland Will Take Revenge on Europe