Planet e Bukureshtit për të filluar nxjerrjen e gazit në zonën e Detit të Zi dhe për të ndërtuar një gazsjellës rajonal synojnë të garantojnë sigurinë energjetike të Rumanisë dhe ta kthejnë këtë vend në një eksportues të rëndësishëm të gazit në rajon.
Brenda pak viteve të ardhshme, Rumania pritet të fillojë shfrytëzimin e gazit në dy vendburime në Detin e Zi.
Black Sea Oil&Gas, një kompani me bazë në Rumani nën pronësinë e Carlyle International Energy Partners, pritet të fillojë shfrytëzimin e burimeve të gazit në vitin 2018 ndërsa kompania amerikane Exxon dhe kompania më e madhe e naftës së Rumanisë OMV Petrom pritet të fillojnë punë në vitin 2020.
Për të lehtësuar nxjerrjen e gazit natyror në Detin e Zi, Rumania pritet të fillojë ndërtimin e projektit të gazsjellësit BRUA (Bullgari – Rumani – Hungari – Austri) nga fundi i këtij viti. Punimet për gazsjellësin pritet të përfundojnë në vitin 2019.
Qeveria ka dëshirë ta kthejë këtë vend në një qendër të energjisë për Ballkanin. Analistët dhe diplomatët thonë se prania e Exxon në Detin e Zi është një avantazh i madh jo vetëm në termat e energjisë por edhe në termat e sigurisë.
Në fund të shkurtit 2012, Exxon dhe kompania më e madhe e naftës në Rumani, OMV Petrom, konfirmuan zbulimin e një baseni me potencial të madh gazi në brigjet e Rumanisë. Më vonë ata vlerësuan se zbulimi mban 100 miliardë metra kub gaz dhe Exxon raportohet se ka investuar mbi 1 miliardë euro në kërkimet në Detin e Zi.
Shpimet filluan në vitin 2011 por shfrytëzimi i depozitës së gazit do të duhet të presë vitin 2020 për të filluar, sipas Ministrit të Energjisë së Rumanisë Toma Petcu.
“BRUA është një projekt shumë i rëndësishëm; ai do të lidhet me basenin,” deklaroi Petcu më 6 mars.
Black Sea Oil&Gas, BSOG, njoftoi në shkurt se ka në plan të fillojë nxjerrjen e gazit në vitin 2018. Kompania ka marrë në shfrytëzim perimetret Midia dhe Pelican në Detin e Zi.
Investime strategjike madhore
Investimi i një kompanie të madhe amerikane si Exxon në rajon mund të sjellë garanci ekstra për Rumaninë dhe për vendet e tjera të Ballkanit, në një kohë që Rusia po kërkon të ketë më shumë ndikim politik e kontroll ushtarak në rajon. Një raport i publikuar në shkurt nga Qendra për Analizë të Politikave për Europën me bazë në Uashington tha se Moska e sheh zonën e Detit të Zi si një fushë ku ka më shumë avantazhe për revizionizëm se sa për pushtim territoresh. Kontrolli i porteve dhe i kanaleve detare kërcënon të nxjerrë jashtë loje rrugët e tregtisë dhe energjisë për shtetet, të pengojë NATO-n nga projektimi i sigurisë për vendet anëtare të Detit të Zi dhe t’i japë Moskës një rol më të madh në shfrytëzimin e burimeve fosile në det.
Raporti tha se ushtria e Rusisë dhe përshkallëzimi i tensionit joushtarak përbën kërcënim për dy anëtarët e ekspozuar të NATO-s në këtë rajon, Rumaninë dhe Bullgarinë, për shkak se aftësitë detare të Rusisë janë shumë më superiore se sa kapacitetet e mbrojtjes detare apo ajrore të këtyre dy vendeve.
“Me aftësinë e kufizuar për projektim të fuqisë jashtë stërvitjeve periodike të NATO-s në Detin e Zi, Rumania është e papërgatitur për t;u përballur me Detin e Zi, i cili është i militarizuar rëndë, gjë që vë në rrezik rrugët tregtare dhe burimet energjetike që Bukureshti po shfrytëzon aktualisht,” tha ai.
“Një pasojë potenciale për krizën e sigurisë mund të jetë kufizimi i tregjeve mes porteve të Detit të Zi dhe Danubit drejt Europës Qendrore, duke bllokuar kanalin Danub-Deti i Zi dhe duke kufizuar tregtinë me vendet joanëtare të BE-së, veçanërisht Turqinë,” shton raporti.
Në këtë kontekst, një prani madhore ekonomike amerikane në Detin e Zi shikohet si po aq garantuese sa edhe një prani ushtarake. Ambasadori i Rumanisë në Uashington George Maior, i cilësoi investimet e Exxon si investime me rëndësi strategjike.
“Ne po ndjekim me kujdes investimet në sektorin e energjisë, të cilat janë me përmasa domethënëse dhe me ndikim strategjik, jo thjeshtë ndikim ekonomik,” tha ai në nëj intervistë me kanalin televiziv Digi 24 në mes të shkurtit.
Maior shpjegoi se vendimi për të filluar shfrytëzimin e gazit në Detin e Zi nënkupton një zgjerim masiv të investimit të Exxon dhe “mund të jetë një shtyllë e rëndësishme për ekonominë e Rumanisë.”
Ambiciet për qendër rajonale energjetike
Ministri i Ekonomisë Mihai Tudose thotë se ai synon ta transformojë Rumaninë në një qendër energjie për Ballkanin, duke u bazuar te projekti BRUA dhe te shfrytëzimet e gazit në Detin e Zi.
“Ne do të hartojmë një analizë të situatës dhe një plan masash për ta transformuar Rumaninë – bazuar në këto dy gjigandë të ekonomisë – Transgaz dhe Transelectrica – në një qendër për energjinë në Ballkan,” tha Tudose.
Sapo BSOG të fillojë shpimet në mes të vitit 2018, Rumania do të bëhet një vend eksportues neto i Gazit, shpjegoi Niculae Havrilet, kreu i Entit Rregullator të Energjisë së Rumanisë.
“Për vitin e parë, prodhimi do të jetë një miliardë metra kub dhe kjo do të rrihet hap pas hapi në vitet e tjera në 4 miliardë metra kub,” tha ai në fund të shkurtit.
“Praktikisht, nga viti i parë i prodhimit ne nuk do të kemi më nevojë për importe, por do të duhet të krijojmë kushte për eksporte, në mënyrë që investitorët të mund të rekuperojnë investimin e vet,” tha ai.
Eksperti i Gjeopolitikës Marius Vacarelu i tha BIRN se Rumania ka potencialin të bëhet qendër rajonale për energjinë.
“Kur një vend hyn në hartën e një kompanie të madhe ndërkombëtare si Exxon, Ford apo Renault, kjo nënkupton se ku vend është në gjendje të sigurojë mjedis për konkurrencë të ndershme dhe kjo përbën një mesazh të mirë për investitorë të tjerë,” tha ai.
“Përveç kësaj [Sekretari i Shtetit i SHBA-së dhe ish drejtori ekzekutiv i Exxon Rex] Tillerson ka informacion mbi këtë marrëveshje dhe ka gjasa do të ketë ndjeshmëri për rajonin, por jo domosdoshmërisht më shumë se sa me çështje të tjera të rëndësisë politike,” shtoi ai.