Banorët e dy fshatrave ku planifikohet ndërtimi i një impianti të dhënë nga Ministria e Mjedisit me koncesion për djegien e mbetjeve urbane kërkuan takim me kryebashkiakun e Fierit Armando Subashi, por dera e bashkisë qëndroi e mbyllur.
Dhjetëra banorë të fshatrave Vërri dhe Kallmi i Madh, protestuan të premten para Bashkisë së Fierit kundër ndërtimit të impiantit të djegies së mbetjeve urbane që qeveria synon ta ndërtojë pranë fshatit Vërri pasi ka nënshkruar një kontratë koncesionare me një kompani të quajtur “Integrated Technology Waste Treatment Fier”.
Paraditen e së premtes, banorët u shfaqën me pankarta në duar para Bashkisë së Fierit ku kërkuan të takohen me kryetarin e Bashkisë Armando Subashi, por dera e bashkisë qëndroi e mbyllur.
“Nuk do të lejojmë të merrni jetët tona! Jo plehrat!” shkruhej në pankartat e improvizuara të protestuesve.
Ndërkohë, banorëve të Vërrisë dhe Kallmit të Madh u janë bashkuar edhe banorë të fshatit Peshtan, të cilët kanë protestuar kundër situatës së rënduar të infrastrukturës rrugore. Ata e kanë cilësuar të padrejtë faktin se, pavarësisht se i paguajnë taksat e caktuara nga bashkia, ato nuk u janë kthyer në investime publike. Sipas banorëve të fshatit Peshtan, infrastruktura rrugore jua ka vështirësuar jetën dhe se në raste urgjence e kanë të vështirë të sjellin në spital të afërmit e tyre të sëmurë. Ata kanë shprehur indinjatë për indiferencën me të cilën i ka trajtuar institucioni i bashkisë.
Prej katër ditësh, banorët e fshatit Vërri dhe të Kallmit të Madh kanë protestuar kundër ndërtimit të impianitit të mbetjeve urbane pranë banesave të tyre dhe deri tanimë nuk kanë lejuar nisjen e punimeve. Përfaqësuesit e shoqërisë që ka fituar koncesionin ka tentuar të zhvillojë takime me banorët e zonës për të pasqyruar projektin. Në takimin e parë banorët e fshatit Vërri e braktisën sallën duke theksuar faktin se nuk do të lejojnë që tu vritet e ardhmja e tyre dhe e fëmijëve. Ndërsa në dëgjesën e dytë banorët e zonës nuk kanë marrë pjesë duke bërë që përfaqësuesit e firmës të prezantojnë projektin e impiantit në sallën e boshatisur. Ndërkohë, në vendin ku është tentuar të zhvillohen punimet nuk janë pasqyruar të dhënat rreth kontratës apo lejes zhvillimore që mbetet ende një mister për banorët e zonës.
Zona në të cilën është parashikuar të ndërtohet impianti i përpunimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier me rikuperim të energjisë, ndodhet në fshatin Vërri, njësia administrative Mbrostar, Bashkia Fier, Qarku Fier. Ajo gjendet në një distancë prej 7.5 km nga qëndra e Bashkisë së Fierit, ndërsa me fshatin Vërri e ndan një largësi vetëm 980 metra vijë ajrore në veriperëndim. Pranë kësaj sipërfaqe toke rreth 11.15 hektarë nodhen edhe fshati Kallm në një largësi 1700 metra vijë ajrore, fshati Vajkan 1700 metra dhe fshati Bubullimë i Lushnjës, 1500 metra vijë ajrore.
Në protestat e ditëve të mëparshme, banorët e zonës kanë ngritur shqetësimin për ndotjen që pritet të sjellë ndërtimi dhe përpunimi i mbetjeve urbane pranë banesave dhe tokave të tyre. Ata kanë shpjeguar se veç sëmundjeve që mund t’u shkaktohen si pasojë e ndotjes, do t’u shkatërrohen edhe ekonomitë e tyre familjare që bazohen në mbarështimin e gjedhëve dhe tregtimin e mishit e të qumështit. Sipas protestuesve, nëse impianti do të ndërtohet në fshatin e tyre, qindra fermerë nuk do të kenë mundësi të shesin qumështin e bagëtive të tyre pasi do të konsiderohet si i ndotur dhe i dëmshëm për shëndetin e njerëzve.
Qeveria shqiptare ka dhënë dy kontrata koncesionare për ndërtimin e incerneratorëve për djegien e mbetjeve urbane në Elbasan dhe në Fier. Kontrata për impiantin e Fierit ka afat gjashtëvjeçar dhe buxheti i shtetit do të paguajë 3.3 miliardë lekë në total ose 476 milionë lekë në vit.
Një koncesion i tretë është aktualisht në procedurë për djegien e plehrave të Tiranës.