Vetëm pak kilometra nga Tirana, fshati i Baldushkut është një mundësi e mirë për një shëtitje të shkurtër brenda Tiranës, ndërsa aventurierët mund të shkojnë edhe tej në një eksplorim të ujëvarës së Kakunjës.
Nëse po kërkoni të shkrydhni trupin nga një javë monotone, një aventurë e shkurtër me biçikletë në Baldushk, 22 kilometra në jugperëndim të Tiranës, mund të rezultojë aktiviteti i duhur.
Në një largësi optimale nga kryeqyteti, rruga për në Baldushk kërkon rreth dy orë e pak pedalim me një ritëm të relaksuar, por varet edhe nga modeli i biçikletës suaj.
Baldushku është një fshat i rrahur nga çiklistët për shkak të rrugës së asfaltuar, e cila nuk frekuentohet nga shumë makina dhe panoramës së jetës së fshatit.
Dy janë rrugët që do t’ju çojnë në Baldushk, njëra është e rrezikshme ndërsa tjetra e lodhshme, por aventuriere. Ju mund të ndiqni të tatëpjetën e Saukut 2 për të dalë në Picallë dhe më pas në Stermas dhe të ktheheni djathtas për në Vishaj si mundësinë aventuriere ose të ndiqni rrugën e rrezikshme e cila kalon krah makinave nga autostrada Tiranë-Elbasan deri në Stërmas dhe pastaj të ndiqni kthesën në të djathtë për në Vishaj.
Nga fshati Vishaj deri në Baldushk, rruga alternon fushën me kodrinat e ulëta për 10 kilometra të tjera. Megjithatë, tashmë të qetë nga makinat mund të shijoni natyrën e zonës. Përgjatë rrugës ka disa lokale ku mund të pushoni për një kafe, por ushqimet e marra me vete janë gjithnjë të rekomandueshme.
Një nga destinacionet e tjera të nxehta të entuziastëve të çiklizmit në kryeqytet është kthyer gjithashtu edhe ujëvara e Kakunjës, 8 kilometra nga Baldushku. Për të shkuar te ujëvara, aventurierët thonë se shpesh u duhet të lidhin biçikletat pas ndonjë trungu peme dhe të vazhdojnë ecjen për disa minuta.
Me temperaturat e favorshme të pranverës, udhëtimi juaj i shkurtër në Baldushk do të rezultojë një pedalim i këndshëm dhe jo shumë i lodhshëm, nga i cili do të ktheheni me dëshirën për të mos ndaluar eksplorimin tuaj për destinacionet tërheqëse përreth.