Turma njerëzish që festonin në qendër të Prishtinës mirëpritën ish-kryeministrin e Kosovës dhe ish-guerilasin Ramush Haradinaj, pasi një gjykatë franceze refuzoi ta ekstradonte atë në Serbi që të përballej me akuzat për krime lufte.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ramush Haradinaj mbajti një fjalim emocionues para mijëra mbështetësve që u mblodhën në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë të enjten në mbrëmje për ta pritur atë pasi mbërriti direkt nga aeroporti pas lirimit të tij.
“S’di si ta përshkruaj ndjesinë e të pasurit gjithë këta njerëz që s’më lanë të ndihesha vetëm gjatë gjithë kësaj kohe,” tha Haradinaj për turmën e njerëzve.
Ai u rikthye në Prishtinë pasi Gjykata e Apelit në qytetin Colmar në Francë hodhi poshtë një kërkesë nga Serbia që ai të dërgohej në Beograd ku do të përballej me akuzat për krime lufte.
Haradinaj tha se ai ishte i zhgënjyer që institucionet shtetërore nuk e kishin mbështetur atë siç ai do të kishte dashur.
“Fatkeqësisht, u ndjeva përsëri pa shtet,” tha ai.
Në fjalimin e tij, Haradinaj akuzoi Serbinë se kishte bërë përsëri thirrje për agresion kundër Kosovës duke kërkuar ekstradimin e tij për t’u përballur me akuzat për krime lufte.
“E thashë hapur që kërkesa për të më ekstraduar mua në Serbi është një thirrje për luftë,” tha ai.
Politikani dhe ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që humbi dy vëllezër gjatë konfliktit, kujtoi atë ditë në mars 1999 kur familja e tij u sulmua nga forcat serbe.
“Por për ata që na sulmojnë, ne përgjigjemi duke u mbrojtur,” tha ai.
Haradinaj është liruar dy herë nga akuzat nga Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavinë për krime lufte gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 në Kosovë.
Megjithatë, zyrtarët serbë këmbëngulin se ata kanë prova që ai ishte i përfshirë në krime të tjera lufte, për të cilat s’është ndjekur ende penalisht.
Ata thonë se ai dyshohet për vrasje civilësh, përfshirë vrasjen e një foshnje dy javëshe, torturim dhe përdhunimin e një të mituri.
Arrestimi i Haradinajt në një aeroport francez pasi ai u nis nga Kosova në fillim të këtij viti rriti tensionet midis Beogradit dhe Prishtinës.
Kjo shkaktoi gjithashtu protesta nga shqiptarët brenda dhe jashtë Kosovës, të cilët bëjnë thirrje për lirimin dhe e dënojnë arrestimin e tij si një akt politik.