Njëzetë vjet më pas, shkrimtari amerikan Joe Tripiciani risjell në mendje eksperiencën e tij për shkrimin e një biografie të financuar nga shteti të presidentit kroat të viteve 1990 Franjo Tuxhman dhe se si ndërgjegjja e tij e prishi projektin.
“Ai tha: ‘Do të duhet ta ndryshosh titullin kryesor.’ Unë thashë: ‘Ku qëndron problemi me titullin ‘Nën hijen e Titos’? Është shumë përshkrues.’ Ai tha përsëri: ‘Nuk duhet të përmendësh asgjë nga ish-periudhat komuniste.’ Unë thashë: ‘Mirë, kjo do ta bëjë shumë të shkurtër librin.’”
Joe Tripician po i tregon BIRN-it për reagimin e regjisorit kroat Jakob Sedlar në lidhje me dorëshkrimin e tij të biografisë zyrtare që shkrimtari amerikan shkroi për presidentin e viteve 1990 të Kroacisë Franjo Tuxhman dhe pakënaqësinë e kroatit për faktin që në titull përmendej ish-kreu komunist Josip Broz Tito.
Tripiciani, 63 vjeçar, është një burrë me shumë talente në biznesin e spektaklit dhe botimeve – një producent, shkrimtar, skenarist, regjisor, kompozitor, dramaturg dhe interpretues – i cili u punësua në vitin 1997 nga Sedlari, atasheu kulturor i Kroacisë në Nju Jork në atë kohë, për të shkruar biografinë zyrtare të liderit të fuqishëm Tuxhman.
Ai u takua me Sedlarin në fillim të vitit 1997, kur kompania e Tripicianit realizoi një hartë të animuar të Kroacisë për udhëtimin e Sedlarit.
Më vonë, në të njëjtin vit, ai ndihmoi Sedlarin të realizonte dokumentarin “Tuxhmani”, i cili përshkruan jetën e presidentit kroat si një “Xhorxh Uashington kroat”. Edhe pse Tripiciani përmendet si bashkë-regjisor, ai pretendon se nuk ka punuar fare për realizimin e dokumentarit.
“E pashë dorëshkrimin dhe bëra disa korrigjime, por kjo ishte e gjitha. Dhe ai erdhi muaj më vonë dhe tha “Ja ku është!”. Unë u trondita kur pashë emrin tim në të,” thotë ai duke qeshur.
Sedlari u caktua më pas nga qeveria kroate që të gjente një autor për të shkruar një biografi që do të përmirësonte imazhin ndërkombëtar të Tuxhmanit, i cili kritikohej shpesh për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe problemet me lirinë e medias pas luftës së viteve 1990.
Pasi Tripiciani dhe Sedlari ranë dakord për një kontratë për biografinë – 40.000 dollarë dhe shkrimtari do të kishte kontroll të plot për redaktimin – Tripiciani u nis për në Kroaci.
“Ata po bënin një fushatë të plotë për të ndërtuar turizmin dhe ekonominë, por gjithashtu, sidomos, për ta mbajtur Tuxhmanin larg gjykatës së OKB-së për krime lufte në Hagë. Kjo ishte arsyeja për këtë libër,” shpjegon ai.
Ai shton se kjo nuk u theksua kurrë në mënyrë të drejtpërdrejt, “por ishte mëse e qartë”.
Tuxhmani dhe krimet e luftës
Tripiciani vizitoi Kroacinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, duke takuar zyrtarë të ndryshëm, gazetarë, aktivistë, kriminelë lufte dhe të tjerë. Si rezultat, ai e bazoi shumicën e biografisë në jetën e hershme të Tuxhmanit, si edhe karrierën e tij në Jugosllavinë socialiste.
Tuxhman kaloi nga veteran i luftës i Luftës së Dytë Botërore në gjeneral ushtrie dhe historian i lëvizjes së punëtorëve në një nga disidentët më të shquar kroatë dhe u burgos për pikëpamjet e tij nacionaliste.
Në dorëshkrimin origjinal të biografisë, Tripiciani përmend gjithashtu rolin e tij të dyshuar në luftën e viteve 1990 në Bosnjë dhe krimet e luftës të kryera atje.
Tripiciani tha se një nga zyrtarët që e udhëzoi atë në atë drejtim ishte Vladislav Pogarçiç, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të shtetit të vogël të Herceg-Bosnjës, shtet i udhëhequr nga kroatët në vitet 1990, Mate Boban.
Ai pretendoi se Pogarçiç tha se kishte dokumente që linin të kuptohej se komandat për trupat kroate të Bosnjës “vinin nga shumë lart” dhe të çonin te Tuxhmani – duke e implikuar atë në krimet e luftës të kryera nga trupat.
Megjithatë Pogarçiç tha për BIRN se “ai kurrë s’i tregoi atij ndonjë gjë të tillë pasi është një konfiguracion i qartë”. Ai shtoi se nuk mund të kishte pasur dokumente të tilla, pasi ai ishte përgjegjës për diplomacinë e huaj.
“Përplasja e qytetërimeve”
Tripiciani bisedoi me ish-kryeministrin e Herceg-Bosnjës, Jadranko Priliç – aktualisht në gjyq në gjykatën e OKB-së në Hagë, i cili vlerësonte udhëheqjen e Tuxhmanit në kohën e luftës.
Por ai bisedoi gjithashtu me diplomatin amerikan Richard Holbrooke, një figurë kyçe gjatë negociatave të paqes në Bosnjë, i cili ishte kritik ndaj rolit të Tuxhmanit në luftë.
“Tuxhman, për sa kohë sa e njihja, nuk mbajti asnjëherë as edhe një premtim që ai bëri për Bosnjën,” tha Tripiciani t’i ketë thënë Holbrooke.
Në biografi, Tripiciani donte të trajtonte narrativën ekzistuese kroate rreth luftës së viteve 1990 dhe rolin e Tuxhmanit në të, rol i cili ai mendonte se ishte i njëanshëm.
Ndërsa shkruante biografinë, Tripiciani kaloi dy mëngjese me Tuxhmanin në rezidencën e tij presidenciale në Zagreb. Mëngjesin e parë, pasi e pyeti Tuxhmanin për të kaluarën e tij, lideri kroat “foli pa ndalim për 35 minuta”.
Tripiciani më pas vendosi të ishte më i drejtpërdrejtë me pyetjet e tij dhe e pyeti Tuxhmanin me krimet e luftës të kryera nga kroatët e Bosnjës, disa prej të cilëve u ekstraduan në Hagë të njëjtin vit që u zhvillua intervista.
Ai shpjegoi se ai “nuk do të ishte në gjendje të jetonte dot i qetë me veten” po të mos e kishte pyetur për krimet.
Tuxhmani iu përgjigj tepër nervoz Tripicianit për të paditurit kroatë: “Unë e përkrah dhe mbështes padyshim hetimin e të gjitha rasteve të tilla, por … Nuk jam pro qenies në të njëjtat kushte të atyre që shkaktuan agresion (ushtarëve serbë), që shkaktuan të gjitha këto tragjedi, që vunë në rrezik si ekzistencën e Kroacisë ashtu edhe jetën e qytetarëve të saj, dhe ata njerëz (ushtarët kroatë) të cilët gjatë operacioneve të ndryshme nuk mund të ndalonin, s’i kontrollonin dot ndjenjat e tyre të hakmarrjes, dëshirat e tyre për t’u hakmarrë,” tha ai.
Tripiciani thotë se perceptimi i Tuxhmanit për luftën në Bosnje ishte shumë i ndikuar nga libri “Përplasja e qytetërimeve”, i shkruar nga shkencëtari politik amerikan Samuel P. Huntington.
“Në Bosnjë, nuk është vetëm një çështje tre komunitetesh të ndryshme entike, tre popujsh, por edhe tre qytetërimesh të ndryshme. Dhe ky fakt nënkupton konfliktin e thellë që u zhvillua dhe që çoi në të gjitha përvojat tragjike që kemi pasur deri më tani,” i tha Tuxhman atij.
Një problem me propagandën
Ndërsa libri vazhdonte, autori hasi probleme të tjera.
Përveçse kërkoi që gjithçka që kishte lidhje me të kaluarën komuniste të Tuxhmanit të hiqej, Sedlari, në emër të qeverisë, i tha Tripicianit të hiqte gjithçka në lidhje me krimet e luftës në Bosnjë.
Tripiciani tha se ai nuk pranoi të shkruante “copëza propagande” dhe tha se nuk do t’i bënte ndryshimet e kërkuara.
“U përpoqa ta bindja Jakovin (Sedlarin) që të përfshinte më shumë nga gjërat që shkrova. Në atë mënyrë, libri do të ishte më autentik, nuk do të hidhej poshtë si propagandë. Por ai nuk e hëngri këtë,” thotë ai duke qeshur.
Ai humbi të gjitha kontaktet me Sedlarin dhe biografia e Tuxhmanit nuk u botua kurrë.
Tripiciani është i sinqertë kur shpjegon arsyet e tij se përse e pranoi këtë punë. Ai fillimisht pranoi të shkruante biografinë sepse ishte “në borxhe të mëdha”, si edhe ishte divorcuar së fundmi dhe prandaj “i interesonte të takonte femra që mund të impresionoheshin me pasaportën e tij amerikane”.
“Atëherë e dija që kishte disa gjëra të mira të shkruara për Tuxhmanin dhe se kishte edhe disa gjëra të këqija të shkruara për të. Kështu që mendova, pse të më bëhet vonë? Unë jam i paanshëm,” shpjegon ai.
Megjithatë, ai thotë se ai “filloi të ndërgjegjësohej” për atë që po bënte pasi foli me njerëzit që kishin përjetuar luftën.
Në fund, Tripiciani vendosi ta dërgonte të gjithë dokumentacionin që mblodhi gjatë hulumtimit të tij në Gjykatën e Hagës.
Të dhënat e tij për të gjithë eksperiencën e tij me Tuxhmanin dhe udhëtimin e tij në Kroaci dhe Bosnjë u botuan në vitin 2010 në librin e tij “Balkanized at Sunrise” me një version të rishikuar në vitin 2016.
Ai shkroi gjithashtu një pjesë one-man show pjesërisht të trilluar, në të cilën ai performoi duke përdorur disa video të realizuara gjatë udhëtimit të tij.
Tripiciani thotë tani se një nga njerëzit që pati një impakt special tek ai në atë kohë ishte aktivistja veterane kroate Vesna Terseliç, me fjalët e së cilës ai përfundoi “Balkanized at Sunrise”.
“Secili prej nesh ka copëzën e tij të përgjegjësisë. Jo të fajit,” citohet në libër të ketë thënë Terseliç. “Dhe secili prej nesh ka një pjesë përgjegjësie që lidhet me sasinë e pushtetit që ne kemi. Dhe secili prej nesh ka ca pushtet. Ndoshta është një sasi e vogël, por është gjithsesi pushtet.”
– See more at: http://www.balkaninsight.com/al/article/udh%C3%ABtim-propagand%C3%AB-pse-u-rebelua-biografi-i-franjo-tuxhmanit-04-27-2017#sthash.u3GV7NCJ.dpuf