Lideri i opozitës e nxiti qeverinë malazeze të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës pasi Prishtina nuk po arrin ta ratifikojë marrëveshjen e shumëpritur të kufirit.
Një nga liderët kryesorë të opozitës në Malin e Zi, Nebojsa Medojeviç i bëri thirrje qeverisë të mbrojë kufirin me Kosovën dhe të tërheqë njohjen e pavarësisë së vendit – pasi Kosova vonoi sërish votimin në parlament të marrëveshjes së demarkacionit.
Lideri i Frontit Demokratik pro-rus të mërkurën tha se Mali i Zi duhet ta tërheqë njohjen e Kosovës për të mbrojtur interesat e vet kombëtar dhe dinjitetin e vendit.
Reagimi erdhi pasi qeveria e Isa Mustafës në Kosovë u mund të mërkurën në mocionin e mosbesimit të ngritur nga opozita.
Opozita ka kërkuar zgjedhje prej dy vjetësh, kryesisht për shkak të marrëveshjeve polemike që qeveria nënshkroi në Bruksel në vitin 2015 për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi – që mbetet për t’u votuar në parlament – dhe për krijimin e një asociacioni autonom të komunave me shumicë serbe.
“Ky vendim i pritur i parlamentit të Kosovës është dëshmia më e fundit e një projekti të Shqipërisë së Madhe përqendruar në një pjesë të territorit të Malit të Zi dhe tregon se Kosova nuk e njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të Malit të Zi”.
“Qeveria e Malit të Zi duhet të tërheqë ambasadorin e saj nga Prishtina dhe ambasadori i Kosovës në Mal të Zi duhet të shpallet persona non grata,” tha Medojeviç.
Fronti, i përbërë nga disa parti me qëndrime të ndryshme ndaj NATO-s dhe Rusi-së, ka premtuar se nëse fiton zgjedhjet e ardhshme, do të revokojë sanksionet e vendosura prej Malit të Zi ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë dhe se gjithashtu do të revokojë njohjen e Kosovës, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.
Mali i Zi njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, duke zemëruar Serbinë dhe komunitetin serb në Malin e Zi.
Serbia ende pohon se Kosova është provincë e saj edhe pse të dyja vendet kanë rënë dakord të “normalizojnë” marrëdhëniet për t’u integruar në BE.
“Sovraniteti i Malit të Zi dhe integriteti territorial i vendit është vlera supreme që nuk mund të jetë subjekt i pazareve politike të përditshme,” tha Medojeviç.
Kosova dhe Mali i Zi vendosën marrëdhënie diplomatike në 2010, por Mali i Zi ende ka dërguar vetëm një të ngarkuar me çështjet e jashtme në Prishtinë, jo një ambasador.
Njohja e ekzistencës së një komuniteti malazez në Kosovë ka qenë një nga kushtet e vendosura nga Mali i Zi përpara se të dërgojë ambasador. Komuniteti i vogël malazez i Kosovës po kërkon njohje kushtetuese dhe një vend për pakicat në parlamentin e Kosovës.
Qeveria në Prishtinë ka qenë nën presion të fortë ndërkombëtar për të vulosur marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi. BE-ja thotë se nuk mund ta vazhdojë liberalizimin e vizave për Kosovën – një çështje e rëndësishme për vendin – derisa çështja e kufirit të zgjidhet.