“Protesta në formë koncerti të mërkurën në Tiranë, qe një shembull frymëzues reagimi qytetar, të cilin do ta ruajnë në kujtesë më shumë ata që e panë sesa ata që u kujdesën ta pasqyrojnë virtualisht”, shkruan fotoreporterja e BIRN.
Disa nga muzikantët më origjinalë shqiptarë u bashkuan të mërkurën në Tiranë për një thirrje në kor kundër ndërtimit të hidrocentraleve në natyrën shqiptare, veçanërisht në lumin e fundit të egër të Europës, lumin Vjosë.
Sheshi përpara Muzeut Historik Kombëtar u popullua nga grupmosha të ndryshme, të cilët ulur ose në këmbë, kënduan dhe kërcyen në tingujt e muzikës, që e vuri theksin te bukuritë e Shqipërisë, te detyra qytetare për ta mbrojtur atë dhe te heqja dorë e qeverisë nga planet shkatërrimtare të natyrës.
Një dëshmi, e cila përsëritet për të dytin vit në Shqipëri, kjo lloj proteste në formën e një koncerti, me disa nga këngëtarët dhe aktivistët më të veçantë – qe padyshim një dhuratë e vogël shprese në një kohë kur lajmet kryesore përbëhen prej largimit nga atdheu.
Kënaqësia më e madhe që marr nga puna si fotoreportere më vjen nga të tilla protesta, të cilat përbëjnë një rëndësi të veçantë për historinë bashkëkohore shqiptare, pasi përfaqësojnë një kulm të reagimit qytetar, pas një periudhe paralizimi të reagimit popullor, si shkak i ndrydhjes komuniste.
Megjithatë, me keqardhje pashë që në këtë detyrë fotografike të ilustrimit të një ngjarje kaq të këndshme dhe ngacmuese për ndërgjegjen, më ishin bashkuar edhe një grup “kolegësh” që zunë hapësirën përpara skenës.
Ata ishin fëmijë të moshave 5 deri në 13 vjeç, të cilët me celularë në duar regjistronin video ose shkrepnin vazhdimisht foto, duke dëshmuar protestën nga mbrapa ekranit.
Kjo më kujtoi eksperimentin e studentëve të dërguar në një muze me një aparat fotografik dhe të atyre që iu kërkua thjesht të vëzhgonin. Në fund ata që fotografuan kishin një eksperiencë të gjymtuar të vizitës në muze, pasi kujtonin më pak detaje të asaj që kishin përjetuar. Studime të tjera kanë treguar se fotografimi impulsiv gjithashtu ndikon në humbje të kujtesës afatgjatë për një ngjarje të dhënë.
Natyrisht që smartfonët janë të kudogjendur dhe t’i sfidosh ata është si të luftosh mullinjtë e erës, por gjithsesi nga eksperienca personale, prania në një ndodhi si fotoreportere më ka lënë gjithnjë me një lloj keqardhje për mospraninë time 100 për qind në të.
Ta shohësh realitetin pas një syri fotografik rezulton shpesh të jetë një sakrificë e përjetimit këmbyer me premisën e dëshmimit të një ngjarje.
Kjo lloj sakrifice nuk është e nevojshme për asnjë grupmoshë; as për fëmijët që i kaluan dy orët e protestës së të mërkurës pas celularëve dhe as për të rriturit që tashmë kanë hyrë në rrethin vicioz të virtualitetit që i kërkon të jenë live, të komentojnë, të postojnë apo të zbrazin ç’i ka mendja.
Kur koha të piqet për të treguar ndërgjegje qytetare për kauza kaq të rëndësishme dhe jetësore të protestave mjedisore dhe civile, siç qe protesta frymëzuese e muzikantëve në Tiranë, do të duhet më shumë se një foto për të arsyetuar të drejtën dhe të gabuarën.
Këtë do të mund ta bëjmë vetëm duke pasuruar brenda nesh një mozaik, jo fotografish apo videosh, por kujtimesh të shembujve dhe rrjedhave logjike, që do të jenë më pas bazë për reagime nga e cila mund të varet e ardhmja jonë dhe e vendit ku ne jetojmë.