Visho Ajazi Lika dha dorëheqjen të hënën pas një mandati 5-vjeçar të mbushur me dritë-hije. Rama i propozon presidentit të Republikës zëvendësimin e tij me Helidon Bendon, i cili mban nr.2 të SHISH nga prilli 2016.
Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika dha dorëheqjen të hënën për arsye ende të paqarta. Dorëheqja e kreut të SHISH u konfirmua nga kryeministria, e cila përmes një njoftimi për shtyp tha se “kryetari i qeverisë e mirëpriti, duke e falenderuar zotin Visho Ajazi për kontributin e tij”.
Dorëheqja e kreut të SHISH u pasua nga një takim 30 minutësh mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të Republikës, Ilir Meta për emrin e ri që do të zëvendësojë Visho Ajazi Likën.
“Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim 30 minutësh me Presidentin e Republikës, ku paraqiti propozimin për lirim të Drejtorit të Shërbimit Informativ, Visho Ajazi dhe emërimin në këtë detyrë të zv.drejtorit të Shërbimit Informativ, Helidon Bendo,” thuhet në njoftimin për shtyp të kryeministrisë.
Visho Ajazi Lika u ngjit në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror në gusht të vitit 2012 si propozim i ish-kryeministrit Berisha dhe gjatë 5 viteve të tij në detyrë profili i tij është lakuar me dritë-hije nga palët e ndryshme politike. Në vitin 2016, përfaqësues të mazhorancës e akuzuan atë për përgjime të paligjshme deri edhe te kryeministri apo për qëndrime të njëanshme.
Ndërkohë, Helidon Bendo, i cili u propozua nga kryeministri Rama për zëvendësimin e Ajazit mban postin e zv.drejtorit të SHISH që prej prillit 2016. [Shiko CV-në]
I diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Bendo ka një eksperiencë 21 vjeçare në SHISH, ku ka mbajtur detyra të ndryshme nga inspektor terreni deri në drejtor të Aparatit Qendror.
Pozicioni i kreut të Shërbimit Informativ është shoqëruar vazhdimisht me debate politike në Shqipëri për shkak të varësisë së dyfishtë; zgjedhja e tij është kompetencë e Presidentit ndërkohë që varësia është nga kryeministri.
Pas propozimit të Ramës për zgjedhjen në krye të SHISH të Helidon Bendos, presidenti Meta nuk ka dhënë ende një qëndrim nëse do ta dekretojë apo rrëzojë këtë kandidaturë.