Dhjetëra naftëtarë në protestë përpara ministrisë së Energjetikës u shprehën të vendosur të mos heqin dorë nga protesta e tyre, derisa të shlyhen pagat e papaguara, ndërsa pritën me mosbesim premtimin për dhënien e rrogave të premten në mesditë.
Nën reshjet e vazhdueshme të shiut, naftëtarët protestues të Ballshit dhe Fierit e pritën premtimin për dhënien e rrogave të prapambetura të premten, me britma mosbesimi dhe me thirrjet “Sot! Sot!”
“Pas një takimi me dy ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj, u vendos të detyrohet administratori i kompanisë të marrë një kredi dhe të shlyejë rrogat tona nesër në orën 1”, lajmëroi kreu i sindikatës së naftëtarëve Kamber Iliazi përpara ministrisë së Energjetikës.
Disa dhjetëra naftëtarë protestues u përgjigjën të revoltuar se kjo ishte një gënjeshtër e radhës dhe se ata nuk do ta ndërpresin protestën e tyre dhe se do të presin aty derisa të jetë e nevojshme dhe kërkesat e tyre të jenë përmbushur.
“Ata po tallen me ne, fëmijët tanë nuk kanë bukë të hanë”, tha për BIRN një protestues.
Pas dy ditëve protesta në Ballsh dhe Fier, disa qindra protestues u nisën të mërkurën në marshim drejt Tiranës për të kërkuar rrogat e prapambetura, pagesat e siguracionit dhe vazhdimin e punës në uzinën e përpunimit të naftës.
Në Lushnje ata vendosën të ndërpresin rrugëtimin në këmbë dhe ta vazhdojnë me autobus rrugën drejt Tiranës, ku mbajtën protestën në mesditën e të enjtes.
Naftëtarët kërkojnë t’u paguhet rroga e nëntorit, ndërsa një pjesë e tyre kanë rroga të prapambetura prej mbi një viti nga uzina e përpunimit të naftës. Punëtorët thonë se rrogat e tyre të papaguara nuk njihen nga administratori aktual i uzinës dhe se ata mendojnë se prej shumë muajsh sigurimet e tyre nuk janë paguar.
Kriza financiare e naftëtarëve, të cilët përbëjnë një përqindje të konsiderueshme në zonat e tyre ka krijuar një efekt domino borxhesh në ekonominë e qyteteve ku ata jetojnë, që është pritur me shqetësime se do të shkaktojë humbje të shpresës dhe rritje të kriminalitetit.
Një pjesë e naftëtarëve janë në proces gjyqësor për të marrë rrogat e shkuara, por vendimet e gjykatave marrin kohë për t’u konkluduar dhe në shumë raste nuk gjejnë ekzekutim.
Naftëtarët janë aktualisht pa punë, ndërsa kompania administruese IRTC tha për BIRN më herët se shkaku i mosdhënies së rrogave është mungesa e naftës bruto, e cila ka sjellë mbylljen e rafinerisë.
Kjo mungesë vjen për shkak se IRTC nuk ka arritur të sigurojë naftë bruto nga prodhuesi kryesor i naftës bruto në Shqipëri, Bankers Petroleum, por një zyrtar i Bankers i tha BIRN se kjo kompani nuk mund të furnizojë naftë te rafineria pa marrë pagesat.
Të dy rafineritë e vendit, ajo e Ballshit dhe ajo e Fierit, përbënin një ndërmarrje fitimprurëse të shtetit shqiptar deri në vitin 2008, e aftë për të mbuluar deri në 25% të konsumit vendës të nënprodukteve të naftës. Rafineritë hynë në kriza të përsëritura pas privatizimit në vitin 2008.
Një investigim i vitit 2016 nga BIRN zbuloi se si biznesmeni Rezart Taçi përvetësoi qindramilionë dollarë ndërkohë që institucionet e shtetit qëndronin pasivë përballë borxheve në rritje.
Në shtator 2016, qeveria aktuale bekoi në një ceremoni të veçantë atë që e shpallën si një marrëveshje private me një grup biznesmenësh për të rivënë në punë rafineritë. BIRN zbuloi më pas se shteti shqiptar lejoi shitjen e paligjshme të ARMO-s te Banka Credins, e cila më pas ia dha në përdorim kompanisë IRTC.
Por pavarësisht lavdeve të zyrtarëve të lartë të qeverisë, kompania e re filloi menjëherë të akumulojë borxhe të reja ndërsa punëtorët vijuan të mos marrim pagat në kohë.