Arbitrazhi i Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, ICC rrëzoi të gjitha pretendimet e kompanisë së Becchettit dhe i dha Shqipërisë një dëmshpërblim fillestar prej 1.2 milionë eurosh. Një vendim i dytë pritet të vendosë vlerën e dëmshpërblimit në favor të Shqipërisë për mosrealizimin e kontratës.
Ministria e Transportit dhe Energjisë njoftoi të enjten se Arbitrazhi Ndërkombëtar i Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, ICC rrëzoi padinë e shoqërisë Hydro S.R.L të Francesco Beçhettit kundër Shqipërisë. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë, trupa e gjykimit vendosi të rrëzojë të gjitha pretendimet e kompanisë së Becchettit, duke e ngarkuar këtë të fundit me faj për mospërmbushjen e kontratës koncesionare për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit si dhe për pagesën e kamatë-vonesave dhe të gjitha kostove ligjore të procesit të arbitrazhit.
Hydro S.R.L e paditi Republikën e Shqipërisë në arbitrazh në tetor 2014, duke kërkuar një dëmshpërblim me vlerë 137.2 milionë euro për zgjidhjen e marrëveshjes së koncesionit bashkë me të gjitha kostot për procesin e arbitrazhit. Republika e Shqipërisë, e përfaqësuar në këtë proces nga Ministria e Transportit dhe e Energjisë u përgjigj me kundërpadi, duke e akuzuar kompaninë e Becchettit për shkelje dhe mospërmbushje të kontratës për faj të tij, duke shkaktuar një dëm për 158 milionë euro.
Krahas pagesës së këtij dëmi, Shqipëria kërkoi edhe pagesën e kamatëvonesave në vlerën e 12.9 milionë eurove si dhe kostot ligjore të procesit të arbitrazhit. Në vendimin e saj, Arbitrazhi ICC vendosi që paditësi t’i paguajë Shqipërisë 1. 258.642 euro për kamatë vonesat dhe kostot ligjore të procesit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Transporteve dhe Energjisë, trupa e gjykimit do të marrë një vendim të dytë për të vendosur vlerën e dëmshpërblimit që Hydro S.R.L do t’i paguajë Shqipërisë për mospërmbushjen e kontratës së koncesionit “për faj të tij”.
Çështja e rrëzuar në ICC me seli në Paris është njëra nga tre paditë e arbitrazhit që Beccheti ngriti kundër Shqipërisë në vitin 2014. Dy çështjet e tjera “Hydro S.R.L & Others kundër Republikës së Shqipërisë” dhe “Albaniabeg Ambient, M.Angelo Novelli dhe Construzioni kundër Republikës së Shqipërisë” ndodhen në gjykatën e arbitrazhit ICSID me seli në Uashington.