Dy studente prej një muaji po çojnë përpara nismën e tyre duke mbledhur më shumë se 200 libra për gratë e dënuara në burgun 325 në Tiranë, ndërsa shpresojnë që ky 8-Mars tu përçojë atyre mesazhe feministe dhe të përfshirjes shoqërore.
Klea dhe Inesi janë dy motra të pasionuara pas leximit, të cilat po përgatisin një dhuratë speciale që përkon me aktivitetet e muajit mars.
Ato kanë vendosur të bëhen pjesë e një nisme për të dhuruar libra në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, te gratë që aktualisht vuajnë dënimin në burgun 325 në Tiranë.
Vajzat që prej disa vitesh kanë krijuar një hapësirë për leximtarët në internet përmes faqes së tyre “Librat që Dua” thonë se e shohin leximin si mënyrën më të mirë për të ndryshuar jetën përmes dijes.
“Me rastin e 8 Marsit ishte kënaqësi për ne të bashkoheshim me nisëm e dy vajzave për të dhuruar libra për gratë që vuajnë dënimin në burgun e Tiranës,” tha për BIRN Ines Ibrahimi.
“Themi që libri do të jetë për ato një formë shprese dhe frymëzimi për të ardhmen,” shtoi ajo.
Për Klean, librat e përzgjedhur për të dhuruar nuk kanë qenë rastësorë.
“Vendosëm të zgjidhnim disa tituj specifik, romane që kishin në historinë e tyre, histori të ngjashme me këto gra, por gjithashtu vendosëm të zgjidhnim disa autore feministe, të cilat me anë të shkrimeve të tyre i japin forcë e kurajo këtyre grave,” tha Klea Ibrahimi.
Nisma “Dritarja e Lirisë” ia ka dalë të mbledhë deri më tani të paktën 200 libra të dhuruar që I përkasin zhanreve të ndryshme.
Leolida Xhufi dhe Joana Beja, dy të rejat pas kësaj nisme thanë për BIRN se kanë zgjedhur posaçërisht gratë në qeli për t’i dhënë forcë e kurajo përmes librave në Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe për t’u përcjellë atyre mesazhin e përfshirjes në shoqëri.
“Ishte një ide spontane faktikisht ideja e nismës. Duke qenë se kam një profil nga juridiku dhe kam pikë të dobët mbrojtjen e të drejtave të grave, mendova të ndërthur dy pasionet e mia: mbrojtjen e të drejtave dhe librat,” thotë Xhufi.
“Duke qenë se femrat që janë në atë institucion vuajnë dënimin e heqjes së lirisë dhe librat janë një mënyrë… që të krijojmë lirinë tonë, mendova se ishte një dritare lirie për to, çdo libër që ne do të dhurojmë,” shtoi ajo.
Studentet thonë se pavarësisht sfidës së mbledhjes së librave në pika të ndryshme të kryeqytetit, ato janë të lumtura që 8 Marsi do t’i gjejë gratë e burgut të Ali Demit me romane frymëzuese në duar.
“Kjo ka qenë një sfidë për ne dhe normalisht që ka qenë e vështirë. Jemi munduar që të marrim libra në çdo cep të Tiranës, duke sakrifikuar nga koha e studimit për sezonin e provimeve,” tregon Joana Beja.
Ajo shton se dixhitalizimi i botës e bën më të domosdoshëm librin.
“Librat janë lënë në harresë, por ne jemi munduar që edhe aty ku libri është më pak i arritshëm, ne ta mundësonim,” përfundon ajo.
Përgjigjja pozitive nga publiku, i ka nxitur vajzat të planifikojnë nisma të tjera që bashkojnë pikëpamjet feministe dhe të drejtat e grave në Shqipëri.
“Kjo është nisma e parë, por definitivisht nuk do të jetë e fundit,” shprehet me optimizëm Xhufi, ndërsa i bën thirrje publikut t’i bashkohet nismës së tyre dhe të dhurojë një libër për gratë në qeli.
Ju mund të kontaktoni duke klikuar këtu nismëtaret e “Dritarja e Lirisë” për t’u përfshirë.