Ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë do të vazhdojnë bisedimet e tyre të ndërmjetësuara nga OKB në Vjenë, në një përpjekje për të arritur një marrëveshje.
Ministri i jashtëm maqedonas Nikola Dimitrov dhe homologu i tij grek Nikos Kotzias do të takohen të premten në Vjenë së bashku me ndërmjetësin e OKB-së, Methju Nimetz, për të rinisur përpjekjet e zgjidhjes së mosmarrëveshjes mbi emrin e Maqedonisë.
Dy ministrat pritet të paraqesin secili projekt-marrëveshjet e vendeve të tyre, të cilat i kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin më parë, pas së cilës Nimetz pritet të hartojë një dokument unifikues për të zgjidhur mosmarrëveshjen.
Përpara takimit në Vjenë, Kotzias tha të mërkurën në Athinë se Greqia do të këmbëngulë për një emër që cilëson gjeografinë e fqinjit, që eliminon çdo pretendim kundër territorit grek dhe që do të bënte një dallim të qartë midis shtetit dhe krahinës greke Maqedoni.
“Duhet të gjejmë një emër të përbërë që do të shënonte pozicionin gjeografik të këtij vendi [Republikës së Maqedonisë] dhe në të njëjtën kohë nuk do të ofendonte asnjë nga palët”, tha Kotzias.
Ai përsëriti qëndrimin e Greqisë se Maqedonia duhet të ndryshojë kushtetutën për emrin e ri që do të dakordësohet, gjë që shihet si pengesë në bisedimet që po mbahen.
Ndërsa Greqia thotë se Maqedonia duhet të vendosë emrin e ri në kushtetutë, si garanci shtesë, Maqedonia kërkon një zgjidhje që do të aplikohej vetëm në përdorim ndërkombëtar.
Dimitrov i Maqedonisë tha përpara takimit se progresi do të arrihet vetëm nëse krijohet një ekuilibër mes interesave kyçe të të dyja palëve.
“Argumentet e të dy palëve duhet të merren në konsideratë… dhe do të ishte shumë e dobishme nëse marrim parasysh atë që është më e rëndësishme për Maqedoninë dhe çka është më e rëndësishme për Greqinë. Kjo është rruga që do të na çojë në një zgjidhje,” i tha Dimitrov Telma TV të mërkurën.
Mosmarrëveshja përqendrohet në këmbënguljen e Greqisë se përdorimi i fjalës “Maqedoni” nënkupton një pretendim territorial ndaj krahinës veriore greke me të njëjtin emër.
Si rezultat i mosmarrëveshjes së pazgjidhur, Greqia bllokoi anëtarësimin e Maqedonisë në NATO në 2008. Ajo gjithashtu ka bllokuar fillimin e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë në BE, pavarësisht disa raporteve pozitive vjetore nga Komisioni Europian mbi përparimin e vendit.
Bisedimet në Vjenë vijnë pas takimit në Shkup më 23 mars të dy ministrave. Ata i quajtën konstruktive bisedimet e Shkupit.
Yorgos Christidis, profesor i studimeve ballkanike, sllave dhe anatoliane në Universitetin e Maqedonisë në Selanik, tha se të dyja palët kanë vullnetin politik për të zgjidhur mosmarrëveshjen e vjetër.
Por në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve të Maqedonisë, MIA, botuar të enjten, profesori grek gjithashtu shprehu frikë se rruga drejt kompromisit nuk do të funksiononte normalisht, sepse të dyja palët kanë ende dallime në tema të ndjeshme.
“Dihet se pala greke do të donte emrin ‘Gornamakedonija’ [Maqedoniasipërme] të bashkuar, ndërsa pala tjetër do të preferonte “Maqedonia e Sipërme” si dy fjalë të ndara,” tha Christidis.
Dallimi i dytë kryesor, sipas profesorit, është hapësira e përdorimit të emrit të ri, ndërkohë që çështja e tretë ka të bëjë me identitetin dhe kombësinë e gjuhës maqedonase.
“Këtu pala greke do të dëshironte të shihte një ndryshim, por mendoj se pala tjetër e ka deklaruar qartë se nëse kjo çështje do të vihej në tryezë, do të eliminohej perspektiva për marrëveshje”, përfundoi Christidis.