Vetëm 7 përqind e fëmijëve në 73 vendet më të varfra në botë janë plotësisht të imunizuar. Ja si mund ta përdorim teknologjinë për të përmirësuar kujdesin shëndetësor global.
Gjurmimi i një fëmije mund të jetë i vështirë. Imagjinoni të gjenden miliona fëmijë që jetojnë të fshehur pa rekord formal të ekzistencës së tyre. Kjo është një sfidë për ne në komunitetin global të shëndetësisë që e hasim teksa përpiqemi të mbrojmë çdo fëmijë nga sëmundjet infektive që vaksinat i parandalojnë. Me një në katër fëmijë të lindur të paregjistruar, kjo është një krizë identiteti që tani përfaqëson një nga barrierat më të mëdha të synimeve tona të zhvillimit; një problem aq sistematik sa duhet një revolucion global si i Kopernikut për ta zgjidhur.
Ashtu si astronauti i shekullit 16 Nikolas Koperniku ndryshoi percpetimin tonë për sistemet solare me modelin e tij heliocentrik, duhet të ndryshojmë në mënyrë radikale pikëpamjen tonë për shëndetin global. Metoda aktuale e matjes së progresit, për shembull, bazuar te dozat e vaksinës që shpërndahen nuk na jep një panoramë të qartë të asaj që mungon.
Për të kuptuar vërtet sa progres po bëjmë, duhet të vëmë fëmijën në qendër të universit të imunizimit. Duhet një qasje e bazuar te vaksinat preçize që çdo fëmijë ka marrë, si dhe suplementët e ushqimit, luftimi i krimbave dhe ndërhyrje të tjera mjekësore. Deri tani, kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të metodave të vjetëruara bazuar te regjistrimi në letër që bëhet në vendet në zhvillim. Por me përhapjen e paepur të teknologjisë dixhitale dhe medias sociale, kjo mund të ndryshojë.
Teknologjia dhe kompanitë e mediave sociale janë tashmë në mision për të arritur përhapje globale, duke arritur një pikë ku kushdo në planet që dëshiron mund të ketë një prani dixhitale dhe online. Lloji i inovacioneve që kjo mundëson janë pikërisht nga ato lloje teknologjish që ne dëshpërimisht duhet të krijojmë për të arritur te ata fëmijë që nuk i gjejmë.
Nga sistemet biometrike dhe ato të analizimit të të dhënave te sensorët me valë dhe inovacionet teknologjike, tani duhet të jetë e mundur për shembull të krijohen sisteme dixhitale të reja, të përballueshme dhe të sigurta të identifikimit të afta të funksionojnë në kushte të kufizuara, edhe aty ku nuk ka energji të vazhdueshme elektrike. Duke anashkaluar sistemet e vjetruara ekzistuese, kjo do të bënte që çdo fëmijë të kishte një rekord mjekësor unik që i ndjek ato gjatë jetës.
Deri më tani e kemi bërë me sistemet ekzistuese bazuar te letrat dhe kemi bërë progres të jashtëzakonshëm; duke rritur imunizimin global të fëmijëve dhe duke përgjysmuar vdekshmërinë e tyre që nga viti 1990. Më shumë fëmijë kanë karta vaksinimi sesa certifikata lindjeje. Por kjo na ka sjellë deri këtu dhe nuk shkon më larg. Aktualisht 82% e fëmijëve në 73 vendet më të varfra të botës kanë akses te imunizimi rutinë – siç matet nga marrja e tre dozave të vaksinave të njohur si DTP3. Kjo nënkupton se nuk jemi larg, na duhet vetëm të vaksinojmë një nga pesë fëmijët që mungojnë. Problemi është se fëmija i pestë nuk jeton pranë atij të katërt, por jeton në pikën më të vështirë për t’u arritur, në komunitetet më të neglizhuara dhe më vulnerabël, nga fshatrat e largët rural te periferitë e qyteteve.
Për më tepër, ekziston një problem në thellim. Kur llogarisim sa fëmijë po marrin të 11 antigjenet që rekomandon Organizata Botërore e Shëndetit për çdo foshnje, shfaqet një panoramë e errët. Bazuar në një analizë nga organizata ime, Gavi, Vaccine Alliance, vetëm 7% e fëmijëve që jetojnë në ato 73 vendet më të varfra – ato që kanë nevojë për shumicën e vëmendjes sonë – janë plotësisht të imunizuar. Kjo nënkupton se më shumë se nëntë nga 10 fëmijë nuk po marrim mbrojtjen minimale kundër sëmundjeve infektive, përfshirë dy nga vrasësit më të mëdhenj të fëmijëve nën moshën 5-vjeçare: pneumoninë dhe diarrenë.
Përkundër kësaj, trendet globale, si ndryshimet klimatike, rritja e popullatës, urbanizimi në masë dhe migrimi njerëzor dhe kafshëror, ka gjasa ta bëjnë shëndetin global më sfidues në dekadat e ardhshme. Nëse nuk gjejmë një mënyrë për ta bërë imunizimin më të përqendruar te fëmijët, ka rrezik që progresi jo vetëm të mbetet në vend, por të bëjë hapa pas.
Për ta shmangur këtë, duhet të gjejmë zgjidhje teknologjike të sigurta për të gjurmuar çdo fëmijë. Për këtë, Gavi tani është angazhuar në sektorin teknologjik dhe po investon dhjetëra miliona dollarë në inovacion që mund të na sjellë më afër aftësisë për të monitoruar se cilët fëmijë janë imunizuar plotësisht dhe cilët jo. Përmes platformës së vet INFUSE , Gavi ka hapur thirrje për zgjidhje inovative nga zgjidhës të talentuar problemesh, sipërmarrës dhe korporata me fokus te teknologjia dixhitale për regjistrim dhe verifikim identiteti.
Inovacione si Flowminder, një mjet i përparuar që kombinon të dhëna gjeografike, demografike dhe të mobilitetit njerëzor për të përmirësuar vlerësimet e popullatës dhe optimizuar alokimin e burimeve. Ose Khushi Baby, një varëse që funksionon si pasaportë mjekësore. Të dhënat mjekësore mund të shihen apo përditësohen përmes një aplikacioni, thjesht duke afruar një smartfon pranë varëses. Po ashtu, vende si Qendra për Revolucionin e Katërt Industrial e Forumit Ekonomik Botëror mund të ndihmojnë duke krijuar një qendër shkencore dhe teknologjike globale me synim te të mirat shoqërore, ndërsa organizata të reja si ID2020 po krijohen për të sjellë koalicione në industri për të përballuar këtë problem duke përdorur teknologji inovative si bllokçein.
Këto janë pikërisht llojet e qasjeve të reja për të cilat kemi nevojë për të sjellë një revolucion Kopernikan në shëndetin global – por na duhen më shumë. Qofshin fshatra rurale të largëta apo zemra e lagjeve të varfra urbane, ne kemi nevojë për teknologji të reja që të vënë fëmijët në qendër të universit të imunizimit.
Marrë me autorizim nga Weforum.org