Ndërsa Banka e Shqipërisë dhe dy institucione të tjera kanë ndërmarrë nismën e deeuroizimit, ose rritjes së përdorimit të lekut si monedhë kursimi e kredish, të dhënat statistikore të BSH tregojnë se gjatë viteve të fundit, shqiptarët kanë parapëlqyer t’i mbajnë depozitat e tyre më së shumti në euro dhe tendenca nuk ka ndryshuar pas shpalljes së deeuroizimit vitin e kaluar.
Një dekadë më parë, shqiptarët parapëlqenin të mbanin një pjesë të konsiderueshme të kursimeve të tyre në monedhën kombëtare, e cila në atë kohë jepte interesa ndjeshëm më të larta se sa depozitat në euro. Por që nga kriza e vitit 2008, interesat e depozitave të ofruara nga bankat janë ulur vazhdimisht si për euron ashtu edhe për dollarin, duke mbërritur praktikisht në zero gjatë dy viteve të fundit.
Në vitin 2006, shqiptarët kishin 500 miliardë lekë depozita në banka (rreth 4.1 miliardë euro me kursin e këmbimit të asaj kohe), nga të cilat, 62% mbaheshin në lekë ndërsa 38% mbaheshin në euro. Që nga ajo kohë, depozitat e shqiptarëve nëpër banka u rritën me ritëm të shpejtë, duke u dyfishuar në rreth 1 miliardë lekë në fund të vitit 2016. Por gjatë të gjithë kësaj periudhe, depozitat në euro u rritën më shpejt se sa ato në lekë ndërsa nga viti 2015, euro zuri më shumë se 50% të depozitave në banka.
Gjatë vitit të fundit, për herë të parë në historinë e re të Shqipërisë, depozitat e shqiptarëve nëpër banka nuk janë rritur. Përkundrazi, në shkurt 2018, depozitat ranë me 8 miliardë lekë ose 0.8%. Përkundrejt rënies së depozitave në total, depozitat në lekë u pakësuan me 10 miliardë lekë ose 2% ndërsa depozitat në euro u rritën me 1.4 miliardë lekë ose 0.3%.
Autoritetet shqiptare, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, shpallën në prill 2017 nisjen e një fushate që synonte rritjen e përdorimit të lekut në ekonominë shqiptare dhe uljen e përdorimit të euros. Megjithatë, që nga dita që kjo nismë u shpall, treguesit e depozitave dhe të kredive nuk kanë reflektuar ndonjë ndryshim të madh në tendencë. Gjatë kësaj periudhe, depozitat kanë ardhur në rënie si për lekun ashtu edhe për euron, por rënia te leku ka qenë më e madhe. Rënia e depozitave ka qenë veçanërisht e shpejtë në muajt janar e shkurt 2018. Në krahasim me dhjetorin 2017, depozitat në lekë në shkurt ranë me 6 miliardë lekë ndërsa ato në euro me 0.5 miliardë lekë. Rënia e depozitave në euro është shkaktuar pjesërisht edhe nga forcimi i lekut kundrejt euros. Për shkak se bilanci i depozitave mbahet në monedhën kombëtare, depozitat në euro në konvertohen në më pak lekë se sa më parë.
Interesat e depozitave në lekë dhe në euro janë në nivele të papërfillshme që nga viti 2014 kur bankat duket se humbën interesin për të thithur depozita, në kushtet kur borxhi publik, (ku investohet një pjesë e konsiderueshme e depozitave) pësoi rënie të interesave dhe të volumit të emetimit ndërkohë që kërkesa për kredi si dhe dëshira e bankave për të dhënë kredi pothuajse pushoi së ekzistuari. Në dhjetor 2015, interesi mesatar i paguar për llogaritë rrjedhëse dhe depozitat e reja në lekë nga ana e bankave ra në 0.19% në bazë vjetore ndërsa që nga ajo kohë ka qëndruar në të njëjtat nivele. Interesat e depozitave në euro ranë në 0.1% në dhjetor 2015 dhe vijuan të bien më shumë duke shënuar kuotën 0.04% në shkurt 2018. Interesat e depozitave janë kaq të ulëta si për euron ashtu edhe për lekun, sa nuk ndikojnë në vendimin për të mbajtur kursimet në monedhën kombëtare apo në monedhë të huaj.
Ndryshe nga interesat e depozitave, ku diferenca nga leku në euro është e papërfillshme, interesat e kredive në lekë vijojnë të mbeten ndjeshëm më të larta se sa interesat e kredive në euro. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se interesi i kredive të reja në lekë në shkurt ishte 7.1% ndërsa kreditë e reja në euro u dhanë përkundrejt interesit 4.35%. Siç shihet, kredia në lekë është 2.7% më e shtrenjtë se sa ajo në euro pavarësisht se kostoja që kanë bankat si për euron ashtu edhe për lekun është njësoj, pothuajse zero.