Marrëveshja e Maqedonisë me Greqinë për çështjen e emrit të saj kaloi pengesën e saj të parë, pasi parlamenti i vendit e ratifikoi atë të mërkurën.
Parlamentarët maqedonas miratuan të mërkurën marrëveshjen e negociuar me Greqinë mbi emrin e vendit, ku të 69 deputetët që morën pjesë në seancë votuan pro. Megjithatë, deputetët e opozitës e bojkotuan seancën. Parlamenti ka 120 deputetë.
Sipas marrëveshjes historike, Maqedonia do ta ndryshojë emrin e saj në “Republika e Maqedonisë së Veriut” në këmbim të hyrjes së shpejtë në NATO dhe fillimit të bisedimeve të pranimit në BE.
Zoran Zaev, kryeministri maqedonas dhe kreu i Bashkimit Social Demokrat, SDSM, tha para votimit se ftesa që Maqedonia t’i bashkohet NATO-s do të diskutohet në samitin e ardhshëm të NATO-s më 11 korrik.
Tani që marrëveshja është ratifikuar nga parlamenti i Maqedonisë, Greqia gjithashtu pritet të lejojë BE-ja të fillojë bisedimet e pranimit me Maqedoninë.
Edhe pse me qindra njerëz protestuan kundër marrëveshjes në ditët pas nënshkrimit të saj, asnjë protestë e tillë nuk shoqëroi votimin e së mërkurës në Shkup.
Megjithatë, kundërshtarët e marrëveshjes kanë menduar të mblidhen në mbrëmje.
Presidenti Gjorge Ivanov, një kundërshtar i marrëveshjes, bëri një deklaratë më herët të mërkurën duke ripohuar se ai nuk do ta mbështesë marrëveshjen edhe nëse kryeministri Zaev fillon procedurat për ta paditur atë.
Deklarata e tij pasoi intervistën e Zaevit për TV Kanal 5, të transmetuar të martën, në të cilën ai tha se koalicioni i tij ishte gati të merrte masa kundër Ivanovit.
Presidenti i Maqedonisë mund të vonojë, por jo ta ndalë ecjen para të marrëveshjes, pasi pushteti i tij është i kufizuar.
Hapat e radhës për vënien në zbatim të marrëveshjes këtë vit përfshijnë një referendum të rrezikshëm për marrëveshjen në Maqedoni, i cili do të vërë në provë qeverinë e Zaevit.