Presidenti serb Aleksandër Vuçiç do të takojë Emmanuel Macronin e Francës të martën, një ditë para se të vazhdojë dialogu i Serbi-Kosovë i udhëhequr nga BE-ja.
Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, do të rifillojnë negociatat e tyre të ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel pasi Vuçiç të takohet me Emmanuel Macron të Francës të martën për të folur për Kosovën dhe çështje të tjera.
“Presidenti Vuçiç do të bisedojë me presidentin Macron rreth çështjeve bilaterale, sidomos për marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve dhe situatën në rajon, me theks të veçantë në dialogun Beograd-Prishtinë dhe integrimin europian të Serbisë,” tha zyra e Vuçiçit në një njoftim për shtyp.
Takimi i Vuçiç me Macronin ndodh një ditë para se Serbia të vazhdojë negociatat në Bruksel me provincën e saj të mëparshme, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008. BE kërkon normalizimin e marrëdhënieve mes tyre për anëtarësimin e tyre eventual në BE.
Kosova njoftoi të premten se kryeministri Ramush Haradinaj dhe zyrtarë të tjerë gjithashtu do të takohen të mërkurën me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Frederica Mogherini.
“Drejtuesit e institucioneve të Kosovës do t’i konfirmojnë znj. Mogherini angazhimin e tyre të dialogut me Serbinë, si dhe angazhimin e tyre për përfshirjen e opozitës së Kosovës në krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës,” tha qeveria.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, gjithashtu prezantoi një dokument ku theksohen pikat në negociatat që Kosova nuk do të negociojë më, domethënë “shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial”.
Opozita e Kosovës ka kritikuar ashpër mungesën e transparencës në negociata dhe këmbëngul që presidenti Thaçi nuk ka mandat për të drejtuar dialogun. Opozita thotë se parlamenti duhet të ketë rolin kryesor në vendosjen e negociatave me Serbinë.
Gjatë takimit të tyre të mëparshëm më 24 qershor, Vuçiç dhe Thaçi ranë dakord të intensifikojnë punën për normalizimin e marrëdhënieve. Megjithatë, korriku është shënuar me tensione, pasi zyrtarët serbë u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës të largohen nga Forca e Sigurisë së Kosovës, FSK, të cilën Prishtina synon ta transformojë në një ushtri të rregullt.
Më 10 korrik, autoritetet e Kosovës arrestuan pesë serbë në qytetin lindor të Gjilanit, ndonëse i lanë ata të lirë të njëjtën ditë, pasi Beogradi kërcënoi se do të ndalte bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja.
BE-ja i ka bërë thirrje të dyja palëve të zbatojnë katër marrëveshje kryesore të nënshkruara nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës dhe ai i Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiç, në gusht 2015.
Vetëm një, ajo mbi telekomunikacion, që i mundësoi Kosovës që të kishte prefiksin e saj ndërkombëtar, është zbatuar deri më tani.
Tre të tjerat – për energjinë një Asociacion autonom të komunave me shumicë serbe dhe për urë në qytetin e ndarë të Mitrovicës – janë ende në pritje.