Partia Social Demokrate në pushtet në Rumani po përballet me trazira të tjera pas protestave të fundit kundër qeverisë, pasi disa anëtarë vënë në pikëpyetje liderin e saj dhe opozita kërkon të mos lejojë që politikanët e dënuar për korrupsion të mbajnë poste publike.
Partia Social Demokrate e Rumanisë, PSD, po përballet me fërkime të brendshme, pasi disa anëtarë të njohur kanë vënë në pikëpyetje lidershipin e partisë në pushtet pas goditjes së dhunshme të protestave anti-korrupsion më 10 gusht ku mbetën 452 të plagosur.
Ndërkohë ndërsa partia në pushtet po mendon ende se kë të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019 kundër Klaus Iohannis, opozita të mërkurën njoftoi se ishte gati të paraqiste një projektligj në parlament që do të ndryshonte kushtetutën për të ndaluar politikanët e dënuar për korrupsion të mbanin poste publike.
Një fushatë me titull “Jo kriminelë në poste publike”, e mbështetur nga Unioni Shpëtoni Rumaninë, forca e tretë në parlamentin rumun, arriti të mbledhë më shumë se 750,000 firma nga 21 rajone anembanë vendit, më shumë se 500,000 të kërkuara nga ligji që nisma e popullit për të ndryshuar kushtetutën të paraqitet në parlament.
Unioni Shpëtoni Rumaninë njoftoi se projektligji do të dorëzohet para fundit të vitit 2018. Ai propozon të prezantojë një nen në kushtetutën rumune që do të ndalonte çdo politikan me një dosje penale të kandidonte për zgjedhjet lokale, legjislative dhe presidenciale, përveç nëse ata rehabilitohen ose falen.
Nuk është e qartë nëse partia opozitare do të mbledhë mbështetje të mjaftueshme në parlament për të miratuar ligjin, pasi social demokratët në pushtet së bashku me aleatin e tyre të vogël, Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve, mbajnë shumicën.
Megjithatë, fushata i drejtohet kryesisht Partisë Social Demokrate e cila ka një vit e gjysmë që kërkoj një zbutje të luftës kundër korrupsionit dhe ka akuzuar prokurorët se kanë abuzuar me pushtetin e tyre për të paditur politikanë të njohur.
Kreu i Social Demokratëve Liviu Dragnea, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të partisë, janë dënuar për marrje ryshfeti gjatë viteve të fundit.
Presidenti Iohannis ka qenë një përkrahës i zëshëm i përpjekjeve kundër korrupsionit gjatë vitit të kaluar dhe tashmë ka njoftuar se do të kandidojë në vitin 2019 për një mandat të dytë.
Ndërkohë, Social Demokratët kanë rënë në sondazhet e opinionit, pasi rumunët dolën në rrugë për të protestuar kundër ndryshimeve të kodit penal që zbutën dispozitat kundër korrupsionit.
Një sondazh i publikuar më 31 korrik nga Instituti Ndërkombëtar Republikan sugjeroi se vetëm 26 për qind e rumunëve do të votonin për partinë në pushtet, në krahasim me 32.5 për qind në dhjetor të vitit 2017.
Një tjetër 24 për qindësh do të votonte për Liberalët, partia kryesore opozitare, dhe 22 për qind e të anketuarve thanë se nuk dinin për kë të votonin, sipas sondazhit.
Sipas sondazhit të fundit të opinionit nga instituti kërkimor i CURS i Rumanisë, Iohannis do të fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 2019 me 43 për qind, ndërsa popullariteti i Dragneas ra në 12 për qind nga 22 për qind që ishte në maj.
Lideri social demokrat është përballur me kundërshtime brenda partisë së tij nga disa anëtarë të shquar dhe gjithashtu nga ish-anëtarët e partisë që u larguan pas mosmarrëveshjeve me Dragneas.
Ish-deputeti social demokrat Catalin Ivan, i cili dha dorëheqjen nga partia më parë, njoftoi të martën se ai do t’i kërkojë zyrtarisht socialistëve europianë të përjashtojnë partinë qeverisëse rumune.
Në gjestin e parë të këtij lloji, ish-ministrja e arsimit Ecaterina Andronesku, e cila është gjithashtu nënkryetare e partisë, i dërgoi një letër të hapur Dragneas të martën, duke i kërkuar atij që të bëjë “një gjest të nderuar dhe të japë dorëheqjen si kryetar i partisë” dhe jo “t’i vërë zjarrin vendit dhe partisë”.
“Për hir të Rumanisë dhe Partisë Social Demokrate, kryetari i partisë duhet të bëjë një hap pas, të tregojë përgjegjësi dhe pjekuri, të tregojë dinjitet politik dhe guxim dhe të japë dorëheqjen nga lidershipi,” tha Andronesku në letrën e saj me titull “SOS PSD”.
Dragnea nuk i është përgjigjur sugjerimit të saj, por disa social demokratë, të cilët janë afër liderit të partisë, e kritikuan Androneskun për “sulm ndaj kolegëve të saj” dhe se mban anën e presidentit Iohannis.