Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në punimet e Kuvendit të Shqipërisë të enjten, por u mblodhën në mënyrë simbolike në Durrës për të denoncuar atë që e quajnë “bashkëqeverisje të Ramës me krimin”. Gjithsesi opozita refuzon të deklarojë bojkot formal por thonë se kanë një “marrëdhënie të kushtëzuar” me parlamentin.
Stina parlamentare e vjeshtës pritej të ishte plot ngjarje të imponuara nga vendimi i pritshëm i Këshillit të Bashkimit Europian qershorin e ardhshëm për hapjen e bisedimeve për anëtarësim mes Shqipërisë dhe BE-së, vendim që kërkon ndërmarrjen e disa reformave me kompromis politik mes maxhorancës dhe opozitës, të tilla si reforma zgjedhore apo ajo e drejtësisë.
Gjithsesi, partitë kryesore të opozitës kanë refuzuar të ulen në ndenjëset e tyre në parlament dhe kanë zhvilluar ato që i quajnë “takime paralele” në qytete të ndryshme që janë goditur nga një valë dhune mes bandash apo që perceptohen gjerësisht si qytete nën kontrollin e krimit të organizuar.
Të enjten, ndërsa në Tiranë deputetët e Partisë Socialiste mbajtën fjalime për të sulmuar opozitën nga parlamenti dhe për të dhënë agrumente në mbrojtje të vendimeve të tyre, deputetët e opozitës u mblodhën në Durrës, duke deklaruar se ky qytet është aktualisht nën kontrollin e bandave kriminale dhe jo të policisë.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha: “Ne jemi këtu për të shpallur platformën tonë për nxjerrjen e vendit nga emergjenca kombëtare e krijuar nga bashkëqeverisja e Ramës me krimin”.
Deputetët e opozitës zhvilluan një takim të ngjashëm në Shkodër dy javë më parë dhe në Elbasan javën e kaluar.
Opozita thotë se dhuna mes bandave që goditi gjatë muajve të fundit Shkodrën dhe që mori jetët e tetë personave të vrarë më së shumti në atentate të stilit mafioz, është rezultat i ‘bashkëqeverisjes së qeverisë me krimin'.
Elbasani dhe Durrësi janë gjithashtu qytete të njohur për prani të madhe të rrjeteve të krimit të organizuar, të cilët aludohet se kontrollojnë administratat vendore dhe bizneset falë lidhjeve që kanë me politikanët. Së fundmi ka pasur raste të “biznesmenëve” që kanë miqësi me politikanët ndërkohë që janë në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese në vende të ndryshme të BE-së.
Zyrtarisht, opozita thotë se nuk po e bojkoton parlamentin. Petrit Vasili, kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cilësoi atë si “marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin”.
Partia Socialiste u përpoq të shfaqej si në një ditë të zakonshme pune, duke shpallur votën kundër dekretit të Presidentit Meta për të kthyer për diskutime të mëtejshme ndryshimet ligjore mbi barrën fiskale të industrisë së bixhozit. Meta e ktheu ligjin me dekret muajin e kaluar, duke argumentuar se deputetët duhet të mos e ndihmojnë industrinë e bixhozit por ta luftojnë atë. Duke njoftuar votën kundër dekretit, Ministri i Financave Arben Ahmetaj pretendoi se “Presidenti është keqinformuar” dhe se ligji “nuk e ul barrën fiskale për bixhozin”.
Shqipëria është përballur me një lulëzim të tejskajshëm të industrisë së bixhozit dhe me rritje dramatike të numrit të pikave të basteve gjatë dy viteve të fundit.