Mijëra mbështetës të opozitës u përplasën me forcat e rendit përpara kryeministrisë gjatë një proteste që kërkon dorëheqjen kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Dhjetëramijëra mbështetës të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim u mblodhën të shtunën në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për korrupsion dhe manipulim të zgjedhjeve.
Një pjesë e protestuese thyen kordonin e policisë dhe sulmuan hyrjen e godinës së Kryeministrisë duke tentuar të hynë brenda. Policia ju përgjigj duke hedhur gaz lot sjellës për të shpërndarë turmën.
Protestuesit gjithashtu hodhën gurë dhe fishekzjarrë ndaj një markiza e instaluar nga skulptori, Philipe Parreno, ndërkohë që policia u përgjigj duke hedhur kanistra gazi lotsjellës nga taraca e ndërtesës.
Forcat e rendit bën gjithashtu thirrje nëpërmjet megafonave, duke i kërkuar protestuesve që mos të ndërmerrnin akte të dhunshme ndaj institucioneve.
Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje protestuesve të vetëpërmbahen dhe mos të ndërmarrin akte dhune ndaj institucioneve.
“Duke ndjekur me vëmendje të veçantë protestën e opozitës bëj thirrje për vetëpërmbajtje nga të gjithë për evitimin e konfrontimeve dhe dhunës,” tha ai. “Qytetarët duhet të protestojnë të lirë dhe duhet të respektohen institucionet,” shtoi Meta.
Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare në Tiranë u bënë gjithashtu thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje.
“E drejta e qytetarëve për t'u shprehur përmes protestës paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane,” u shprehën BE dhe SHBA nëpërmjet një deklarate.
“Megjithatë, dëmtimi i pronës publike dhe përdorimi i dhunës nuk janë të pranueshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të bëjnë çmos për të shmangur dhunën dhe çrregullimin e mëtejshëm,” shtuan ato.
Në këtë video protestuesit po sulmojnë kryeministrinë në Tiranë më 16 shkurt 2019. Video: Loreta Çuka/BIRN
Në këtë video policia shikohet duke hedhur një bombë tymosëse për të shpërndarë protestuesit e opozitës të cilët po sulmojnë kryeministrinë në Tiranë më 16 shkurt 2019. Video: Gjergj Erebara/BIRN
Në këtë video protestuesit po sulmojnë kryeministrinë në Tiranë më 16 shkurt 2019. Video: Ivana Dervishi/BIN