Pa u kryer një investigim i detajuar, është e pamundur që të nxirret një konkluzion nëse ka ndonjë të vërtetë në aludimet mbi trafikimin e organeve nga Kosova në territorin shqiptar.
Bëhet gjithnjë dhe më e vështirë teksa i afrohem finalizimit të temës së kërkimit në programin e ‘Balkan Fellowship for Journalistic Excellence’. Akoma më shumë nëse ju, ashtu si dhe unë, do të jetonit në Tiranën e nxehtë, ku temperaturat mesatare të 38 gradëve Celsius sa vijnë dhe rriten.
Dhe sikur të mos mjaftonte i nxehti dhe sensitiviteti i temës së kërkimit – krimet e luftës – vendi im gjendet në një situatë vërtet të tensionuar politike pas një procesi elektoral të tejzgjatur.
Zgjedhjet lokale të mbajtura më 8 Maj të këtij viti kanë ngjallur kontestime të shumta, kryesisht për shkak të rezultatit të ngushtë në Tiranë, por dhe ankesave të shumta që ka hedhur opozita mbi procesin e numërimit të votave.
Pothuajse dy muaj pas deklarimit të rezultatit final nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, opozita deklaron se është ende e vendosur të ankimojë rezultatin në institucionet më të larta dhe gjykatë.
Pas udhëtimeve në Kosovë, Gjermani dhe Kroaci, tashmë jam përqendruar në kërkimet dhe intervistat e fundit në Shqipëri. Njerëzit këtu, të paktën për momentin, duket sikur i preokupon vetëm rezultati i zgjedhjeve.
Sigurisht që, pavarësisht se Shqipëria nuk është përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në lufra dhe krime lufte, vendi im është i lidhur me këtë temë shumë të vështirë.
Vitin e kaluar, senatori zvicerian Dick Marty, përfaqësues i vendit të tij në Këshillin e Europës, hartoi një raport që sugjeronte se disa krime të tëmerrshme kanë ndodhur në territorin shqiptar pas luftës në Kosovë.
Sipas këtij raporti, të titulluar Inhuman Treatment of People and Illicit Trafficking in Human Organs in Kosovo, anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë përgjegjës për tregëtimin e organeve njerëzore të siguruara në mënyrë të paligjshme.
Autori i raportit shprehet se në qytete të ndryshme, jo shumë larg kryeqytetit, si Fushë-Krujë ose Burrel, organet u janë hequr serbëve dhe jo-shqipëtarëve të tjerë, të cilat më pas janë trafikuar në vendet e tjera.
Unë nuk kam qenë personalisht në këto vende të lakuara kaq shumë nga raportimet e medias, por kam ndërmend të shkoj gjatë javëve në vijim. Teksa po përpiqem të vihem në kontakt me familjet që jetojnë në këto vende, më kujtohen deklaratat e tyre të mëparshme në median shqiptare: “Asgjë e tilllë nuk ka ndodhur në këtë shtëpi pas luftës në Kosovë, të jeni të sigurtë. Si mund të ndodhin krime lufte këtu?”
Duket se askush nuk beson me të vërtetë në akuzat se në territorin shqiptar kanë ndodhur krime pas luftës së Kosovës.
Në janar, përpara diskutimit të raportit të Marty në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, një peticion kundër këtij raporti u nënshkrua nga shumë njerëz në Shqipëri dhe Kosovë. Por sërish gjërat ngelen të paqarta.
Ende nuk ka përfunduar ndonjë investigim dhe publiku nuk është i qartë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.
Kur isha në Kosovë, u takova me Matti Raatikainen, kreun e njësisë së krimeve të luftës në EULEX, misionin e sundimit të ligjit e Bashkimit Europian në Kosovë.
Ai është një njeri fjalëpakë dhe shumicës së pyetjeve të mia iu përgjigj me fjali të shkurtra. Ai më tha se autoritetet shqiptare nuk kanë qenë shumë ndihmuese ose bashkëpunuese në përpjekjet pët të investiguar këtë çështje.
Pa një investigim të plotë, kjo çështje do të vijojë të jetë e shumë-debatueshme në Shqipëri dhe Kosovë. Raporti i Marty është veçanërisht i vështirë për Hashim Thaçin, kryeministrin e Kosovës dhe njëkohësisht ish shefin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.
UÇK përmendet në raportin e Marty, ku ngrihen akuza se anëtarët e saj kanë qenë të përfshirë në trafikimin e organeve pas luftës. Megjithatë, pa një investigim të plotë, si do të ishte e mundur për njerëzit në Shqipëri dhe Kosovë të dinë se çka ngjarë në të vërtetë?
Ky artikull është botuar në kuadër të programit Balkan Fellowship for Journalistic Excellence.