Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shkarkoi ministrin serb të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviç, se ky i fundit i përshkroi shqiptarët etnikë si terroristë dhe fabrikues të masakrave gjatë luftës në Kosovë.
Ramush Haradinaj njoftoi të martën se ka shkarkuar Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviç, një serb i Kosovës, për përdorimin e gjuhës së urrejtjes.
Haradinaj tha se vendimi për të shkarkuar Teodosijeviçin u mor pas komenteve të tij se viktimat shqiptare të Kosovës të luftës i sajuan krimet e kryera gjatë konfliktit të viteve 1998-1999.
“Është e pakuptimtë se si një nga kolegët tanë edhe sot flet me një injorancë të tillë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut (një masakër në vitin 1999), viktima të tjera të regjimit të Millosheviçit dhe pranimin dhe miratimin e tij të terrorit të këtij regjimi,” shkroi Haradinaj në Facebook.
Teodosijeviç tha se shqiptarët i kanë sajuar vetë krimet kundër tyre në Kosovë ndërsa kryen krime kundër serbëve.
“Arsyeja për agresionin në vendin tonë ishte e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut në vitin 1999 dhe ishin terroristët shqiptarë ata që i bënë të gjitha këto dhe kryen krimet më të mëdha në Kosovë”, pretendoi ai.
Një pjesë e justifikimit për sulmet ajrore të NATO-s mbi Jugosllavinë, e cila filloi në mars 1999, ishte vrasja e 45 shqiptarëve të Kosovës nga forcat e sigurisë të Beogradit në fshatin Reçak në janar të atij viti.
Fushata ushtarake 78-ditore e NATO-s, që synonte ta detyronte Millosheviçin të tërhiqte forcat e tij nga Kosova, në Serbi përshkruhet gjerësisht si “agresioni i NATO-s”.
“Shqiptarët e Kosovës kryen krime para agresionit të NATO-s, ata vranë kryefamiljarë dhe policë të mirë serbë në vendin e tyre të punës. Kolegët e tyre gjakatarë vazhduan të kryenin krime gjatë agresionit të NATO-s dhe pas ardhjes së të ashtuquajturit mision paqeje në Kosovë,” tha gjithashtu Teodosijeviç.
Haradinaj tha se një retorikë e tillë “nuk mund të justifikohet” në një kohë kur Kosova shënon përvjetorët e 20-të të masakrave të kryera nga forcat serbe në të gjithë vendin.
“Në qeverinë që unë drejtoj, nuk do të ketë vend për këdo që në ndonjë mënyrë fyen të tjerët në baza etnike, racore, fetare apo të tjera, as ata që synojnë të miratojnë politika të tilla”, tha ai.
Shkarkimi i Teodosijeviçit vjen pasi Haradinaj shkarkoi një tjetër zyrtaretë qeverisë serbe të Kosovës më 25 mars.
Zv/ministrja e drejtësisë Vesna Mikiç u shkarkuar për komentin e saj ku akuzoi NATO-n për “gjenocid” në 20 vjetorin e fillimit të fushatës së bombardimeve të aleancës ushtarake më 24 mars.
“Aleanca e NATO-s kreu një gjenocid të qëllimshëm dhe të planifikuar kundër një vendi sovran që luftoi terrorizmin shqiptar brenda kufijve të vet,” tha Mikiç.
Haradinaj tha se deklarata ishte kundër vlerave thelbësore të Kosovës.