Partitë kryesore opozitare të Shqipërisë nënshkruan krijimin e një koalicioni, por këmbëngulën se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje ndërsa ish-nënkryetari demokrati Astrit Patozi shpalli krijimin e një partie të re të quajtur “Bindja Demokratike”.
Një grup ish-drejtuesish të Partisë Demokratike krijuan një parti të re të quajtur “Bindja Demokratike” të martën në Tiranë duke premtuar se do të dalë kundër qeverisë dhe opozitës aktuale. Udhëhequr nga Astrit Patozi, ish-nënkryetar i Partisë Demokratike dhe rival i kryetarit aktual Lulzim Basha, Patozi deklaroi se do të luftojë atë që e quajti “regjim partitokratik” të krijuar nga dy partitë e mëdha për llogari të interesave të kryetarëve respektivë.
“Ne gjendemi sot nën një regjim atipik dhe hibrid, i cili është sistemi i partitokracisë, i prodhuar kryesisht nga nevoja që dy partitë e mëdha kanë pasur për të garantuar pushtetin brenda tyre,” deklaroi Patozi në Facebook pas shpalljes së partisë së re. [link]
“Ne mendojmë se fuqia e pakontrolluar e pushtetit të Edi Ramës, buron edhe nga pafuqia e opozitës zyrtare, sidomos nga pranimi prej saj i modelit të qeverisjes së partisë dhe më pas qeverisë,” shtoi ai.
Ndërkohë, Partia Demokratike nënshkroi protokolle koalicioni me shumë parti të tjera më të vogla, përfshirë partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila është nominalisht e majtë, por që ka bashkëqeverisur me PD-në dhe PS-në në të shkuarën. Kryetari demokrat Lulzim Basha përsëriti se koalicioni i udhëhequr prej tij nuk do të marrë pjesë në zgjedhje ndërsa përsëriti kërkesën për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama.
“Nuk do të ketë zgjedhje false,” deklaroi Basha.
Duke iu përgjigjur deklaratës së tij, Rama deklaroi në një postim në Tëitter se zgjedhjet do të zhvillohen sipas planit më 30 qershor ndërsa e cilësoi qëndrimin e opozitës si “vetëvrasje politike”.
“Koalicioni kundër zgjedhjeve një tjetër formë e padëgjuar vetëvrasjeje politike!,” deklaroi Rama. ” zgjedhjet as ndalen as shtyhen,” shtoi ai.
Partia Demokratike, e cila përfaqëson opozitën kryesore në Shqipëri, vendosi të tërheqë deputetët e saj nga parlamenti në shkurt ndërsa ka organizuar disa protesta masive që nga ajo kohë. Një pjesë e protestave kanë përfunduar me dhunë.
Gjithsesi, që kur doli nga parlamenti, disa nga kandidatët e listave të PD-së kanë pranuar të shërbejnë në parlament duke krijuar një grup të ri parlamentar. Udhëhequr nga Rudina Hajdari, vajza e një udhëheqësi legjendar demokrat të vrarë në Tiranë më 1998, grupi ka aktualisht 14 deputetë dhe po rritet dita-ditës. Gjithsesi, Hajdari, 32 vjeç, hodhi poshtë spekulimet mbi një aleancë mes grupit të deputetëve të rinj dhe partisë së re të krijuar nga çarja e PD-së.
Opozitat shqiptare kanë kërcënuar shpesh në të shkuarën me bojkot të zgjedhjeve vendore apo parlamentare por kanë ndryshuar mendje çastin e fundit apo kanë arritur ndonjë kompromis. Nëse zgjedhjet e 30 qershorit bojkotohen nga opozita kryesore, ky do të jetë i pari rast i këtij lloji në historinë e re të Shqipërisë.