Policia dhe prokurorët rumunë bastisën Akademinë e Policisë së vendit të mërkurën në kërkim të një të personi që dyshohet se kërcënoi me vdekje një gazetare investigative.
Zyrtarët rumunë të zbatimit të ligjit dhe prokurorët të mërkurën bastisën Akademinë Kombëtare të Policisë në kërkim të një oficeri i cili dyshohet se kërcënoi me vdekje një gazetare investigative.
Emilia Sercan, e njohur për hetimet e saj për plagjiaturë që përfshijnë tezat e doktoraturës të ministrave, politikanëve dhe zyrtarëve të ndryshëm, duke përfshirë zyrtarë të lartë të ushtrisë dhe policisë, më 17 prill tha se kishte paraqitur një ankesë në polici pasi kishte marrë kërcënime me vdekje nga një person i panjohur.
“Personi që më kërcënoi me vdekje është identifikuar,” shkroi ajo në Facebook të mërkurën. “Ai është një oficer policie, një punonjës i Akademisë së Policisë. Padyshim që jam e tronditur nga kjo gjë,” shtoi ajo.
Burimet policore dhe gjyqësore e konfirmuan këtë për BIRN dhe media të tjera.
Sercan theksoi se hulumtimet e saj gjatë javëve të fundit ishin fokusuar në plagjiaturën në Akademinë e Policisë.
Reporterë pa Kufij dhe OJQ-ja rumune për lirinë e medias ActiveWatch i dërguan të mërkurën një letër të hapur ministres së brendshme Carmen Dan dhe shefit të policisë Ioan Buda, duke kërkuar një hetim mbi akuzat.
“Duket qartë se puna e saj është arsyeja për këto kërcënime me vdekje dhe se njerëzit që e kërcënojnë dëshirojnë ta kanosin atë në mënyrë që ajo të ndalë hetimet e saj gazetareske,” thuhej në letër.
“Do t’i mbajmë përgjegjëse autoritet rumune për mosveprim dhe mos marrjen e menjëhershme të masave të duhura për të mbrojtur gazetaren.” shtoi ajo.
Sercan, 42 vjeçe, shkruan për PressOne dhe jep mësim në Shkollën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Bukuresht. Doktoratura e saj mbi censurën gjatë epokës së komunizmit u botua në vitin 2015.