Albasadorja Audrey Glover prezantoi objektivat e misionit të drejtuar prej saj për zgjedhjet për pushtetin vendor ndërsa theksoi se nuk do të luajë rolin e “policit zgjedhor”.
Drejtuesit e misionit të OSBE/ODIHR për vrojtimin e zgjedhjeve të 30 qershorit në Shqipëri deklaruan nisjen e punës në një konferencë për shtyp në Tiranë të Premten.
Misioni do të përbëhet nga 18 vrojtues afatgjatë, bëri të ditur drejtuesja e misionit, Ambasadorja Audrey Glover, ndërsa iu lut përfaqësuesve të ambasadave të huaja të akredituara në Tiranë të njoftonin qeveritë përkatëse për përfundimin e procedurave për zgjedhjen e vrojtuesve afatshkurtër, të cilët pritet të jenë 250 vetë dhe do të mbërrijnë pak ditë para zgjedhjeve.
Ambasadorja Glover, e cila ka qenë vrojtuese zgjedhjesh në Shqipëri edhe më 2015, 2009 dhe 1996, theksoi në fjalën e saj rolin e misionit si vrojtues të zgjedhjeve.
“Ne nuk jemi policë zgjedhorë”, tha ajo ndërsa shtoi se kur ata vërejnë shkelje, e raportojnë më vonë.
Pyetur nga gazetarët se si i duket fakti se opozita ka bojkotuar zgjedhjet, Glover tha se kjo ishte hera e parë për të që monitoronte zgjedhje të tilla.
Shqipëria pritet të zhvillojë zgjedhje për pushtetin vendor më 30 qershor, ku në shumicën e 61 bashkive të vendit janë paraqitur vetëm kandidatë të partisë socialiste për kryetarë. Për anëtarë këshillesh bashkiakë, lista kanë paraqitur vetëm partia socialiste dhe disa parti aleate me të ndërsa në opozitë janë paraqitur pak kandidatë nga partia Bindja Demokratike, një grup i ndarë nga Partia Demokratike.
Përveç të qenit pa kandidatë të opozitës, zgjedhjet e 30 qershorit duket se do të organizohen nga komisione zgjedhore të përbëra vetëm nga partia socialiste dhe aleatët e saj.
Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike, e njohur nga akronimi në anglisht ODIHR, ka monitoruar zgjedhjet shqiptare që nga viti 1996 duke lënë rekomandime me shkrim mbi atë që duhet të bëhet për të arritur standardet demokratike. OSBE/ODIHR i monitoron zgjedhjet në bazë të standardeve të vendosura në Dokumentin e Kopenhagës, [link], një deklaratë e përbashkët e firmosur nga vendet Europiane, SHBA, ish-Bashkimi Sovjetik dhe ish-Jugosllavia në vitin 1990.
Që nga monitorimi i parë, OSBE nuk i ka deklaruar asnjëherë zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri si “në përputhje me standardet” e përcaktuara në këtë dokument.
Shkeljet e klauzolës 5.4, “ndarja e shtetit nga partia në pushtet” kanë qenë shkeljet më të shpeshta të vërejtura në zgjedhjet e të shkuarës.