Kryetari i Bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj zotëron pasuri me vlerë 36.8 milionë lekë, ndërkohë që investimet kryesore të familjes janë fokusuar në ngritjen e një ferme të bimëve medicinale në një sipërfaqe toke të marrë me qira nga Ministria e Bujqësisë.Petrit Sinaj u zgjodh kryetar i bashkisë së Beratit në zgjedhjet lokale të vitit 2015, si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe koalicionit të atëhershëm PS-LSI, Aleanca për Shqipërinë Europiane. Ai fitoi me 54.12% të votave kundrejt rivalit të tij politik.
Petrit Sinaj e ka filluar karrierën e tij si mësues në vitet 1995-1997, ndërsa në vitet 1997-2009 ka punuar si këshilltar dhe anëtar bordi në disa organizata. Në vitet 2006-2009, Sinaj ka mbaruar studimet për Drejtësi, ndërkohë që zotëron edhe një master të Shkencave në të drejtat civile.
Petrit Sinaj është angazhuar në politikë në fillim të viteve 2000, kur kandidoi për kryetar komune. Në vitin 2006, ai u bë pjesë e grupit drejtues të LSI-së për qarkun e Beratit, ndërsa prej vitit 2008 e në vazhdim është kryetar i LSI-së në këtë qark.
Sinaj ka punuar si drejtor i televizionit lokal “Onufri” në vitet 2008-2011, si sekretar i Përgjithshëm i Prefekturës Berat në vitin 2011 dhe në vitet 2011-2015 ka mbajtur postin e kryetarit të Këshillit të Qarkut. [Lexo CV-në e plotë]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit në fund të mandatit të tyre 4-vjeçar.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë së Beratit nga viti 2011 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Kryebashkiaku Petrit Sinaj zotëronte pasuri familjare me vlerë 18.9 milionë lekë në vitin 2011; kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private pranë ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare është gati dyfishuar, duke kapur vlerën e 36.8 milionë lekëve.
Pasuritë e patundshme përbëjnë zërin kryesor të aseteve me 22.9 milionë lekë, ndërsa kursimet në cash janë në vlerën e 6.1 milionë lekëve. Kryebashkiaku Sinaj deklaron gjithashtu 3.3 milionë lekë likujditete bankare, një automjet me vlerë 716 mijë lekë si dhe investime të kryera kryesisht mbi një sipërfaqe prej 43.6 hektarësh tokë të marrë me qira nga Ministria e Bujqësisë në vlerën e 3.6 milionë lekëve.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 37.1 milionë lekë. Të ardhurat e siguruara nga pagat e Z. Sinaj dhe bashkëshortes së tij janë në masën 44%, ndërsa të ardhurat e siguruara nga toka bujqësore zënë 23% të totalit. Të ardhurat e tjera janë siguruar nga një kompani sigurimesh, nga shitja e pasurive të patundshme si dhe dhuratat në cash.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 6 vite të deklarimit të Z.Sinaj, të cilat rezultuan pa probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi disa “flamuj të kuq”, të cilat lidhen me detyrimet e pashlyera, dhuratat nga të afërmit si dhe me një kontratë afatgjatë qiraje të lidhur me Ministrinë e Bujqësisë.
Më konkretisht në vitin 2013, subjekti deklaron marrjen e një detyrimi financiar prej 40 mijë eurosh, pa interes dhe pa afat. Nga ky detyrim janë shlyer 10 mijë euro, ndërsa në fund të vitit 2017 ai vazhdon të ketë hua 33 mijë euro.
Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar lidhet me dhuratat e përfituara nga bashkëshortja e Z.Sinaj; 700 mijë lekë nga motra në vitin 2013 dhe pajisje bujqësore për hapje gropash nga kunati emigrant në vitin 2014 me vlerë 2190 euro.
Në vitin 2014, bashkëshortja e Z.Sinaj ka marrë me qira për 99 vjet nga Ministria e Bujqësisë një sipërfaqe prej 43.6 hektarësh tokë, e investuar në vitet e mëpasme kryesisht për bimë medicinale.
Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar edhe shuma e parave të mbajtura jashtë sistemit bankar prej 6.1 milionë lekësh, e cila e tejkalon kufirin ligjor të lejuar prej 1.5 milionë lekësh. Kursimet në cash janë krijuar kryesisht nga shitja e aksioneve që Z. Sinaj zotëronte në televizionin lokal “Onufri” në Berat në vlerën e 6 milionë lekëve.
Vlen për t’u theksuar se në këtë analizë nuk është përfshirë deklarata periodike/vjetore e vitit 2012 për Z. Petrit Sinaj.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al