Pas dënimit të Mirit për korrupsion, prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur procesin për sekuestrimin e mbi 34 milionë lekë që iu kapën në banesë në çastin e arrestimit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda dorëzoi në gjykatë kërkesën për sekuestrimin e një shume të majme monetare, e cila iu bllokua fillimisht në cilësinë e provës ish-gjyqtarit Shkëlqim Miri, i cili ndërkohë është dënuar për korrupsion me vendim të formës së prerë.
Miri, i cili para se të arrestohej ishte gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Tiranë dhe ish-anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai kishte filluar punë në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe deklaratat e tij të pasurisë tregonin një pasuri modeste.
Ai u arrestua në nëntor 2017 pas një hetimi nën dyshimin se një i dënuar me 20 vjet burg për vrasje ishte në tentativë për të korruptuar Mirin si gjyqtar apeli për uljen e dënimit. Pas një operacioni special, Miri u arrestua në banesën e tij ku u gjet edhe shuma e parave e përbërë nga euro dhe lekë.
Në kërkesën për konfiskimin e pasurisë thuhet se, duke qenë se Shkëlqim Miri është person i dënuar për korrupsion, ai është subjekt i Ligjit nr.10192 datë 2 dhjetor 2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave prandaluese kundër pasurisë” dhe se mundet që t'i nënshtrohet masave parandaluese pasurore.
Prokurori i çështjes Klodjan Braho konkludon se Miri ka pasuri të pajustifikuara, konkretisht vlerat monetare që i janë gjetur në banesë gjatë kontrollit të ushtruar në nëntor të vitit 2017. “Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij ka rezultuar se janë gjetur dhe janë sekuestruar një sasi prej 174.819 euro, 1000 USD dhe shuma prej 10.149.000 lekë”, citohet në kërkesën për konfiskim.
Miri u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me masën minimale të parashikuar për këtë vepër penale, me dy vjet e gjysmë burg, ndërkohë që Apeli e zbuti dënimin ndaj tij me 6 muaj.
Ekspertimi kontabël i kryer nga prokuroria sugjeron se Miri nuk ka pasur burime ekonomike për të justifikuar pasuri të tillë dhe për këtë arsye kjo pasuri duhet sekuestruar.
Miri është deklaruar në gjyq i pafajshëm.