Vetëvendosja e Albin Kurtit i tejkaloi të gjitha pritshmëritë me fitoren e saj surprizë të zgjedhjeve që u mbajtën të dielën, duke dalë mbi Partinë Demokratike të Kosovës, PDK, dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK.
Partia opozitare Vetëvendosja përshëndeti fitoren e saj në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Kosovë pasi u numëruan më shumë se 80 për qind e votuesve, duke lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës, PDK, e cila doli e treta pas Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK.
PDK fitoi 21.09 për qind të votave, LDK 24.87 për qind dhe Vetëvendosja, 25.93 për qind. Pjesëmarrja ishte 44 për qind. Rezultati i ngushtë do të thotë që vendi do të ketë, si zakonisht, një qeveri koalicioni.
Menjëherë pas mbylljes së votimeve, Kadri Veseli, kryetari i PDK-së, pranoi humbjen në zgjedhjet e parakohshme, të cilat u mbajtën pas dorëheqjes së papritur të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. “Ne nuk fituam. PDK do të kalojë në opozitë dhe ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë kombit dhe shtetit,” tha Veseli në një konferencë për shtyp, duke konfirmuar se PDK kishte humbur pushtetin pas 12 vjetësh.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha për televizionin T7 në Prishtinë se votuesit kishin ndërhyrë për të shpëtuar vendin nga katastrofa. “Vetëvendosja ishte fituese e zgjedhjeve sepse ishte partia më e votuar, por është shumë mirëpritëse që si opozitë (së bashku me LDK-në) ne do të kemi të paktën 60 deputetë,” tha Kurti, kandidati i partisë për postin e kryeministrit.
“Fitorja e Vetëvendosjes është një festë kombëtare. Ajo që ndodhi sot ishte një ndërhyrje nga njerëzit në skenën tonë politike për të parandaluar që drama e shtetit tonë të ketë një fund tragjik,” shtoi ai.
Pasi humbi zgjedhjet e së dielës, Ramush Haradinaj, ish-kryeministri dhe drejtuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shkroi në një postim në Facebook se “vendimi për t’ia kthyer sovranit vendimmarrjen, sot u vërtetua se ishte një veprim i drejtë”.
“Gara e drejtë dhe e qetë e ngriti Kosovën dhe qytetarët e saj në një standard të ri të pjekurisë politike dhe demokratike, duke shërbyer si një model shembull në rajon,” shtoi ai.
Partia e tij ishte në një koalicion me Partinë Socialdemokrate, PSD, duke fituar rreth 11 për qind të votave.
Ndërkohë, në Beograd, presidenti serb Vuçiç përgëzoi Partinë Lista Serbe të mbështetur nga Beogradi, për të cilën ai tha se kishte fituar 98 për qind të votave në qytetin kryesisht etnik serb të Mitrovicës së Veriut dhe mbi 90 për qind në të gjitha komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë. “Lista Serbe ka fituar fitoren e saj më bindëse në historinë e saj. Kjo është një nga fitoret e mia të preferuara, sepse ndodhi në kushtet më të vështira,” tha Vuçiç.
Votuesit e Kosovës të dielën zgjodhën një parlament të ri për herë të shtatë që nga viti 2001, kur vendi mbajti zgjedhjet e para të përgjithshme pas luftës për pavarësi nga Serbia.
Më 19 korrik, kryeministri Haradinaj i habiti të gjithë kur njoftoi dorëheqjen e tij pasi u thirr për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, e cila po heton krimet e kohës së luftës dhe pas luftës në Kosovë. Më 22 gusht, parlamenti votoi për shpërbërjen e tij dhe katër ditë më vonë presidenti Hashim Thaçi shpalli 6 tetorin si datë për zgjedhjet e reja të parakohshme.
Prokurorët regjistruan 16 shkelje të procesit zgjedhor dhe 20 persona u arrestuan për pengim të procesit të votimit, tha Zyra e Prokurorisë.
Pesë raste të shkeljes së fshehtësisë së votës u regjistruan në rajonin e Prizrenit dhe shtatë persona u arrestuan. Në rajonin e Pejës, dy persona u arrestuan për keqpërdorim të të drejtës së votimit. Pesë raste pengimi të procesit zgjedhor u raportuan në rajonin e Gjakovës. Pesë persona nga ky rajon u arrestuan dhe një është në kërkim. Në rajonin e Gjilanit, një person u ndalua për shkelje të të drejtës së votimit, ndërsa në rajonin e Mitrovicës, u raportuan dy raste, të cilat rezultuan në pesë arrestime. Një person në Ferizaj u arrestua për pengim të procesit të votimit.
Një total prej 1,972,466 votuesish u regjistruan për votimet e së dielës, që është një rritje me rreth 115,000 krahasuar me zgjedhjet e fundit të mbajtura në vitin 2017.