Një operacion i gjerë policor me angazhimin e qindra forcave, përfshirë forcat speciale, nisi mëngjesin e së martës kundër disa dhjetëra banorëve protestues të zonës së njohur si “Astiri” në Tiranë, ndërsa qeveria e kryeministrit Edi Rama shtyu përpara planin për zgjerimin e unazës së Tiranës, një projekt kontrovers i mbushur me akuza për korrupsion.
Policia rrethoi një zonë të gjerë prej qindra metrash duke bllokuar rrugët sekondare si dhe unazën e madhe të Tiranës nga Ura e Lanës te Kryqëzimi Shqiponja mëngjesin e së martës ndërsa familjarëve protestues të ndërtimeve të shënjuara për t’u shembur iu la pak minuta kohë për të nxjerrë plaçkat më të domosdoshme nga shtëpitë.
Mjetet e rënda të Inspektoratit Ndërtimor pasuan duke filluar shembjet e disa objekteve, përfshirë lokale dhe biznese, ndërsa disa kalimtarë bënë sehir ndërsa disa të tjerë u grindën me policinë për shkak se po bëheshin vonë për punë apo shkollë.
Sipas IKMT, institucionit që kryen shembjet e ndërtimeve në Shqipëri, pesë ndërtesa 1-3 kat u shembën deri në orët e para të mëngjesit.
Banorët e zonës kanë protestuar që prej një viti ndaj shembjes së ndërtesave duke kërkuar kompensim me vlerë tregu, gjë që qeveria shqiptare nuk e jep.
Projekti i unazës nisi korrikun e vitit 2018 me tre prokurime të mbushura me akuza për korrupsion, pasi që të tre tenderët u fituan me rezultat pranë fondit limit, gjë që sugjeron marrëveshje mes kompanive të ndërtimit dhe autoritetit prokurues. Në dhjetor, aludimet për korrupsion duket se u vërtetuan kur u zbulua se DH Albania, një nga kompanitë fituese të tenderit, ishte në fakt një kompani fantazmë me dokumente të falsifikuara. DH Albania rezultoi se kishte fituar edhe një tender të dytë te Operatori i Sistemit të Transmetimit, një kompani shtetërore. Të dy tenderët kishin një vlerë totale prej 30 milionë eurosh.
Një vit më vonë, ndërsa qeveria e kryeministrit Edi Rama po shemb shtëpitë e banorëve protestues, nuk ka asnjë të ndaluar apo të arrestuar për skandalin DH Albania.
Krahas skandalit DH Albania, qeveria u akuzua gjithashtu nga Partia Demokratike në opozitë se qëllimisht ka ndryshuar projektin për sistemimin e lumit Lana për llogari të një ndërtuesi me të shkuar kriminale. Rama e ka deklaruar veten të pafajshëm në të dyja rastet.