Të emëruar për të rritur besimin e publikut te gjykatat, ndihmës gjyqtarët e keqpaguar në Maqedoninë e Veriut janë bërë shënjestër për ryshfet dhe kanosje, sipas një investigimi të BIRN.
Kur Liljana Ivanovska Kockovska dha dorëheqjen këtë muaj, ajo bëri të pavlefshëm një nga gjyqet më të rëndësishme të profilit të lartë deri më tani në Maqedoninë e Veriut.
Por më shumë sesa riktheu në fillim gjyqin kundër ish-kryeministrit Nikola Gruevski, vendimi i Kockovskas solli në qendër të vëmendjes atë që ekspertët thonë se është hallka më e dobët në sistemin gjyqësor të keqpërdorur në vend – ndihmës gjyqtarët.
Sistemi – në të cilin anëtarë të zakonshëm të shoqërisë përzgjidhen që të ulen përkrah gjyqtarëve profesionistë – ka qenë prej kohësh një burim shqetësimi në qarqet ligjore të Maqedonisë, sipas një investigimi të BIRN.
Gjyqtarët profesionistë të intervistuar nga BIRN kanë rrëfyer raste të shumta që vënë në dyshim paanshmërinë dhe integritetin e ndihmës gjyqtarëve.
Në një rast, një ndihmës gjyqtar nuk deklaroi se ajo ishte motra e avokatit të mbrojtjes. Dorëheqja ose dalja në pension e një ndihmës gjyqtari, me ligj, e kthen gjyqin në fillim, duke kushtuar shpesh muaj apo edhe vite kohë në gjykatë.
Kohët e fundit, ndihmës gjyqtarët kanë qenë në qendër të komplikimeve procedurale në disa raste të profileve të larta që përfshijnë Gruevskin, ish-shefin e tij të policisë sekrete Sasho Mijalkov dhe ish-ministrin e Transportit Mile Janakieski – të gjitha këto të sjella nga një Prokurori Speciale tani e vdekur e krijuar në vitin 2016 për të ndjekur korrupsionin e nivelit të lartë, por që u shkatërrua nga vetë skandali i saj për korrupsion.
Të paguar shumë pak, por shpesh me pushtet të barabartë me atë të gjyqtarëve profesionistë, ndihmës gjyqtarët janë të ndjeshëm ndaj ryshfetit dhe presionit, paralajmërojnë ekspertët.
“Disa vjet më parë, në një nga gjyqet e mia, dy ndihmës gjyqtarë ishin blerë”, tha një gjyqtar që foli në kushte anonimiteti.
Ivan Djolev, kryetari i Gjykatës Penale të Shkupit, tha për BIRN: “Ndihmës gjyqtarët janë me të vërtetë një nga hallkat më të dobëta në sistemin tonë gjyqësor. Ata zgjidhen nga Këshilli Gjyqësor dhe më pas emërohen në gjykata, dhe nuk diskutohet asnjëherë për përgjegjësitë e tyre.”
Rrëzojnë me vota
Maqedonia e Veriut nuk është e vetme në përdorimin e ndihmës gjyqtarëve. Variacione të këtij sistemi mund të gjenden në të gjithë Europën, zakonisht si një mënyrë për të siguruar një kontroll civil dhe për të forcuar besimin e publikut te gjykatat.
Në Maqedoninë e Veriut, ndihmës gjyqtarët janë më të shumtë sesa gjyqtarët profesionistë. Raporti në një gjykatë të shkallës së parë është 2: 1 nëse akuza ka një dënim me burg prej pesë deri në 10 vjet. Për krime më të rënda, ka tre ndihmës gjyqtarë dhe dy gjyqtarë profesionistë.
E njëjta gjë ndodhi në rastin e vitit 2005 të tetë emigrantëve aziatikë të vrarë nga policia në vitin 2002 në një pritë të inskenuar dhe të shpallur “terroristë” në një përpjekje nga ana e Shkupit për t’u bashkuar me Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të 11 shtatorit. Ndihmës gjyqtarët i mundën me vota gjyqtarët profesionistë për të liruar oficerët e policisë të akuzuar për vrasje.
Dhe ndihmës gjyqtarët rrallë përballen me të njëjta kritike publike të cilave mund t’i nënshtrohen gjyqtarët profesionistë.
Ndërsa gjyqtarët profesionistë e kanë rreptësishtë të ndaluar të përfshihen në ndonjë veprimtari politike, ndihmës gjyqtarët nuk përballen me kufizime të tilla. BIRN zbuloi se një ndihmës gjyqtar i emëruar në maj 2018 kishte kandiduar më parë si këshilltar lokal në kryeqytet, Shkup, duke e mbushur profilin e tij në Facebook me foto dhe simbole të një partie politike.
Në një rast tjetër, në lidhje me mësymjen në parlamentin e Maqedonisë së Veriut nga nacionalistët në prill 2017, një kontroll i një ndihmës gjyqtari zbuloi se ai kishte qenë në mesin e atyre që hynë në parlament natën në fjalë, por se nuk ishte akuzuar për ndonjë krim. Ai u skualifikua nga shqyrtimi i këtij rasti.
Duke folur për BIRN, gjyqtarja Sofija Lalichic kujton se si kishte marrë një apelim të shkruar me dorë kundër një vendimi dhe theksoi se një nga avokatet dhe një nga ndihmës gjyqtaret e përfshira në këtë çështje ishin motra.
Ato fillimisht mohuan të kishin ndonjë lidhje me njëra-tjetrën, por e pranuan pasi u kërcënuan se do të merreshin në pyetje nga gjykata. Ndihmës gjyqtarja u pushua nga puna dhe ndaj avokates u morën masa disiplinore.
Ndihmës gjyqtarët shpesh janë tërhequr për të shmangur ndonjë konflikt interesi, por kjo është e rrallë. Në Gjykatën Penale, për shembull, në vitin 2018 kjo ndodhi vetëm një herë.
Kambana alarmi
Dorëheqjet e ndihmës gjyqtarëve kanë ngritur kambanat e alarmit kohët e fundit, pasi gjykatat në Maqedoninë e Veriut përpiqen të gjykojnë raste korrupsioni të profilit të lartë që përfshijnë ish-qeverinë e VMRO-DPMNE e kryeministrit Gruevski dhe që burojnë nga një sërë përgjimesh të publikuara nga Social Demokratët të cilët në atë kohë ishin në opozitë.
Dobrila Kacarska, një gjyqtare profesioniste në çështjen e ashtuquajtur “Tanku” kundër Gruevskit, ish-ministres së brendshme Gordana Jankulovska dhe ndihmës ministrit Gjoko Popovski, tha për BIRN se i ishte dashur të bindte një ndihmës gjyqtar të mos hiqte dorë nga çështja për arsye shëndetësore, pasi kjo do ta kthente çështjen në fillim dhe do të bënte që akuzat ndaj njëri prej të dënuarve të rrëzoheshin për shkak të statutit të kufizimeve.
“Ndihmës gjyqtari qëndroi deri në fund të gjyqit dhe nuk e përmendi më kurrë gjendjen e tij shëndetësore”, tha Kacarska. I shpallur fajtor për manipulim për blerjen prej 580,000 eurosh të një Mercedesi, Gruevski u dënua me dy vjet burg, Popovski me gjashtë vjet e gjysmë të reduktuar në katër vjet e gjysmë dhe Jankulovska me gjashtë vjet burg në shkallën e parë.
Gjyqtarja Aleksandra Risteska nuk ishte aq me fat kur një ndihmës gjyqtar në të ashtuquajturën çështja “Tortura” – në të cilën Mijalkov dhe gjashtë anëtarët e një njësie speciale të policisë akuzohen se torturuan drejtuesin e një partie të vogël politike gjatë arrestimit të tij në vitin 2011 – dha dorëheqjen duke përmendur arsyet familjare. Gjyqi u desh të riniste nga e para.
Në një rast ryshfeti në të cilin përfshihen profesorë të Fakultetit Ekonomik të Shkupit, një nga ndihmës gjyqtarët njofroi se kishte marrë vizë gjermane dhe se kishte vendosur të emigronte. Ai u nis shtatë ditë më vonë dhe gjyqi i cili kishte katër vjet që zhvillohej, filloi nga e para.
Pastaj, më 13 janar, çështja e ashtuquajtur “TNT” kundër Gruevskit, Janakieskit dhe ish-kryetarit të komunës Gazi Baba të Shkupit, Toni Trajkovski, për akuzat se shkatërruan në mënyrë të paligjshme një shtëpi që i përkiste një drejtuesi të një partie të vogël politike dëmtua për shkak të dorëheqjes së ndihmës gjyqtares Kockovska.
Kockovska plotësoi kushtet për të dalë në pension në fund të dhjetorit 2019.
Gjykata, Gjykata Penale e Shkupit, tha se nga ana e saj kishte pasur shqetësime të mëparshme “për presione dhe kërcënime të mundshme si dhe përpjekje për të ndalur procedurën”.
“Një ndihmës gjyqtar mund të njoftojë dorëheqjen e tij para gjyqit ose gjatë gjykimit dhe gjykata nuk mund të bëjë asgjë në lidhje me këtë”, tha Djolev i Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkup.
Këshilli Gjyqësor, i cili është përgjegjës për emërimin ose shkarkimin e ndihmës gjyqtarëve, nuk ka autoritet të shikojë motivet e dorëheqjes së tyre.
Problemi mund të adresohet nëse që në fillim të çdo gjyqi emërohen ndihmës gjyqtarë rezervë, Por një mungesë e përgjithshme ndihmës gjyqtarësh nënkupton se shpesh nuk ka zëvendësues në dispozicion.
Trajnim dy ditor
Më parë, ndihmës gjyqtarët duhet të mbaronin arsimin e lartë, por kjo kërkesë u hoq për shkak të mungesës së kandidatëve. Ndihmës gjyqtarët tani duhet të kenë mbaruar shkollën e mesme, të mos kenë precedentë penalë, të jenë nën 60 vjeç dhe me reputacion të mirë. Aktualisht janë rreth 1,100 të tillë në të gjithë vendin.
Testet e detyrueshme psikologjike dhe të “integriteti”, të cilat i kushtojnë secilit kandidat afërsisht 100 euro, u hoqën për të inkurajuar më shumë aplikues. Testet u zëvendësuan nga një kurs trajnimi juridik dy-ditor, pa provim.
“Trajnimi shërben për të përgatitur më mirë ndihmës gjyqtarët për zbatimin e procesit dhe ligjeve dhe për një shërbim profesional, etik dhe të paanshëm”, tha për BIRN Akademia për Gjyqtarët dhe Prokurorët Publikë, e cila zhvillon trajnimin.
Kandidatët e suksesshëm paguhen 600 denarë (pak më pak se 10 euro) për çdo ditë të kaluar në gjykatë, plus 75 denarë shpenzime udhëtimi, nëse ata jetojnë më shumë se 2.5 kilometra larg gjykatës. Para vitit 2018, pagesa ishte vetëm 125 denarë.
Ekspertët thonë se niveli i dobët i pagesës është shkak i mungesës së aplikantëve.
“Personat që duan të jenë ndihmës gjyqtarë është më mirë nëse punojnë për një kompani. Ata do të paguheshin më mirë”, tha për BIRN Kiro Zdravev, president i Këshillit Gjyqësor.
Djolev, megjithatë, aludoi për mënyrat e tjera se si i sigurojnë pagesat ndihmës gjyqtarët.
“Unë besoj se po të hetojmë mirëqenien e ndihmës gjyqtarëve, disa prej tyre do të rezultojnë në një situatë shumë më të mirë sesa unë”, tha ai.