E zemëruar nga vrasja e një numri të madh ushtarësh në Sirinë veriore, Turqia tha se do të hapë kufijtë e saj për refugjatët që duan të shkojnë drejt Europës Perëndimore.
Turqia ka kërcënuar të lejojë një valë refugjatësh të mbërrijnë në Europë pasi të paktën 33 ushtarë turq u vranë në Idlib në Siri në një sulm ajror të enjten në mbrëmje.
Mediat thanë se ushtarët turq u vranë në një sulm ajror në qytetin veriperëndimor sirian, i cili ishte bastioni i fundit i rebelëve sirianë të mbështetur nga Turqia që qeveria e Damaskut dhe aleati i saj Kremlini janë të vendosur t’i shtypin.
Ministri i mbrojtjes Hulusi Akar pretendoi se Turqia kishte nisur një kundërsulm dhe kishte vrarë shumë ushtarë sirianë. “Forcat e regjimit na sulmuan. Madje, goditën ambulancat. Përgjigja e Turqisë ka shkaktuar dëme të mëdha dhe ka vrarë 309 ushtarë të regjimit”, tha Akar.
Në përgjigjen e saj ndaj katastrofës, Turqia tha gjithashtu se po hap kufijtë dhe portet e saj detare për emigrantët dhe refugjatët që duan të shkojnë në Europë.
Kjo lëvizje synon t’i bëjë presion aleatëve të Turqisë në NATO që të përfshihen më shumë në atë që po ndodh në veri të Sirisë.
Reuters raportoi se qeveria kishte urdhëruar tërheqjen e patrullave kufitare dhe detare dhe se rojet kufitare nuk do të ndalojnë më emigrantët dhe refugjatët që përpiqen të kalojnë drejt Bullgarisë dhe Greqisë.
Disa raporte të mediave turke thanë se mijëra emigrantë ishin nisur tashmë drejt kufijve, duke synuar të arrijnë Europën përmes të ashtuquajturës rrugë Ballkanike pas vendimit të qeverisë.
Sipas këtyre raporteve, disa mijëra refugjatë kishin mbërritur tashmë në provincat kufitare perëndimore të Edirnes, Kırklarelit, Izmirit dhe Muglas.
Turqia bllokoi të gjitha platformat e mediave sociale përfshirë Twitter-in dhe Facebook-un të enjten në mbrëmje për të ndalur fluksin të asaj që ajo e quajti dezinformim.
Në pallatin e presidentit Rexhep Tajip Erdogan u mbajt një takim në lidhje me krizën, por nuk është lëshuar ende asnjë deklaratë zyrtare.
Partneri i ri i koalicionit të qeverisë, Partia Lëvizja Nacionaliste, e udhëhequr nga Devlet Bahceli, ka kërkuar një fushatë masive ushtarake për të rifituar Idlibin.
Agjencia Anadolu raportoi se shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, të premten kishte dënuar sulmet e kryera nga forcat siriane dhe Rusia në Idlib.
Rusia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin ajror, megjithatë, dhe këmbënguli se kjo ishte vepër e forcave qeveritare.
Idlibi është bërë një vendstrehim për më shumë se 4 milionë sirianë që i shpëtuan konfliktit në pjesë të tjera të vendit të shkatërruar nga lufta.
Forcat qeveritare kanë intensifikuar sulmet në Idlib gjatë javëve të fundit me mbështetjen e Rusisë duke zemëruar kështu Turqinë, e cila ka thënë se nuk mund të pranojë më refugjatë sirianë.
Pretendimet për përfshirje ruse, pavarësisht mohimeve të Kremlinit, do të vënë në provë të madhe afrimin midis Rusisë dhe Turqisë që ndodhi vitin e kaluar.
Turqia më parë nisi disa operacione ushtarake në veri të Sirisë për të krijuar një zonë të sigurt për rebelët antiqeveritar dhe kishte poste ushtarake në zonën e Idlibit.
Siria i ka quajtur të paligjshme operacionet ushtarake të Turqisë në Siri dhe ka kërkuar një tërheqje të menjëhershme.
“Në rast të një sulmi ndaj ushtarëve tanë, ne do të sulmojmë dhe do të godasim forcat e regjimit jo vetëm në Idlib, por çdo front”, tha presidenti Erdogan javën e kaluar.