Ministri i jashtëm Glauk Konjufca po trondit shërbimin diplomatik të Kosovës duke propozuar shkarkimin e disa diplomatëve të lartë nga postet e tyre nëpër botë, përfshirë edhe ambasadoren e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku.
Glauk Konjufca tha të martën se ka vendosur të shkarkojë disa krerë të misioneve diplomatike nga postet e tyre jashtë vendit, përfshirë ambasadoren e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.
Konjufca tha se përfaqësuesit e Kosovës në Bullgari, Holandë, Hungari, Francë, Mal të Zi dhe Zvicër gjithashtu duhet të shkarkohen nga postet e tyre.
Njoftimi erdhi pasi ai shkarkoi 14 konsuj në të gjithë botën. Shumica e tyre u raportua se kishin pasur lidhje politike ose familjare me zyrtarë të lartë ose parti politike.
“Do të ketë shumë vendime të kësaj natyre”, shkroi Konjufca në një postim në Facebook duke shpjeguar arsyet e veprimeve të tij.
“Që nga në fillim të mandatit tim, jam zotuar të krijoj ligj dhe rend në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Një nga hapat e ardhshëm është një kërkesë për kthimin e ambasadorëve politikë që kanë përfunduar mandatin katër vjeçar të parashikuar me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”, shtoi ai.
Çdo propozim i qeverisë për emërimin ose shkarkimin e krerëve të misioneve diplomatike kërkon miratimin e presidentit. Zyra e presidentit Hashim Thaçi tha për gazetën Telegrafi se asnjë propozim i tillë nuk është pranuar ende zyrtarisht.
Por Çitaku, ambasadorja e Kosovës në Uashington, tha se ajo pranon vendimin e qeverisë.
“Edhe pse e kam të qartë se vetëm presidenti i Kosovës ka të drejtë të emërojë dhe shkarkojë ambasadorët e Kosovës, për mua mjafton të di që nuk jam e dëshiruar. Megjithatë, mendoj se meritoja konsultime paraprake në lidhje me propozimin”, shkroi ajo në Facebook.
Shkarkimet e lajmëruara vijnë pasi Çitaku u vu në qendër të një skandali kur ajo dezinformoi presidentin Thaçi së fundmu se Xhamajka kishte njohur Kosovën.
Ministrja e jashtme e Xhamajkës, Kamina Smith, e mohoi këtë nëpërmjet një postimi në Tëitter: “Deri më sot, Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën si një shtet i pavarur”, shkroi Smith.
Kjo bëri që Fitore Pacolli, një deputete e Vetëvendosjes, të bënte thirrje për shkarkimin e Çitakut.
“Nëse ambasadorja Çitaku ka dhënë informacione të rreme në lidhje me njohjen, ajo duhet të mbahet përgjegjëse për këtë dhe të mbajë përgjegjësi. Kosova ka nevojë për ambasadorë të aftë, profesionalë dhe të përgjegjshëm”, shkroi Pacolli në Facebook.