Prokurorja speciale Drita Hajdari tha se ka hapur një hetim paraprak për vrasjen e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, dhe 58 anëtarëve të familjes së tij nga forcat serbe në vitin 1998.
Drita Hajdari tha për BIRN të enjten se Zyra e Prokurorisë Speciale e Kosovës ka hapur një hetim paraprak mbi sulmin e forcave speciale të policisë serbe ndaj kompleksit të familjes Jashari në Prekaz më 5-7 mars 1998, në të cilin u vranë komandanti gueril Adem Jashari dhe 58 të afërm të tij.
Hajdari tha se hetimi ishte nisur vitin e kaluar. “Ne po mbledhim prova”, shpjegoi ajo.
“Kam verifikuar nëse rasti është hapur nga EULEX-i apo UNMIK-u apo nga Tribunali i Hagës dhe pasi që kam kuptuar se nuk ka rast të hapur, kam vendosur për hapjen e hetimit”, shtoi ajo.
Të enjten u shënua 22-vjetori i fillimit të sulmit ndaj kompleksit të familjes Jashari, një incident që shpesh identifikohet si fillimi i luftës në Kosovë.
Jashari, një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dënua në mungesë për terrorizëm nga një gjykatë jugosllave në 1997. Ai shihet si një hero nga shqiptarët e Kosovës në luftën e tyre për pavarësi.
Trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës mbajtën një paradë në ceremoninë përkujtimore në Prishtinë të enjten për të shënuar përvjetorin e sulmit.
Ceremonia u parapri nga një seancë përkujtimore e Kuvendit të Kosovës, në të cilën morën pjesë të afërm të mbijetuar të Jasharit.
Ngjarjet përkujtimore do të vazhdojnë të premten dhe të shtunën, duke kulmuar në të ashtuquajturën “nata e zjarreve” në Prekaz, ku në kujtim të Jasharit do të ndizen pishtarë.