Komisioni i Çështjeve Ligjore mbajti të martën në Kuvend një seancë dëgjimore me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri për raportimin e veprimtarisë vjetore të KQZ-se për vitin 2019, duke u fokusuar në auditimin e financimit dhe shpenzimeve të partive politike.
Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri – i cili po i afrohet fundit të mandatit të tij, dorëzoi sot pranë Komisionit të Çështjeve Ligjore raportin vjetor mbi aktivitetin e KQZ-së për vitin 2019, ku janë trajtuar çështje shqetësuese si ato të dekriminalizimit, regjistrimit të kandidateve dhe financimit të partive politike gjatë dhe pas fushatave zgjedhore.
Gjatë seancës dëgjimore anëtarët e Komisionit të Ligjeve i kërkuan kreut të KQZ-së të hidhte dritë mbi auditimin dhe monitorimin e partive politike.
“Problemi më i madh në Shqipëri është numri fiktiv i partive politike,” u shpreh deputeti Bashkim Fino, duke theksuar se pjesa më e madhe e partive nuk i nënshtrohen fare procesit të auditimit, por ato vazhdojnë të militojnë në skenën politike shqiptare.
Sipas raportit vjetor të KQZ-së për vitin 2019, në Shqipëri janë të regjistruara 128 parti politike nga të cilat 15 nuk kanë adresë dhe kryetar partie të deklaruar. KQZ shortoi për auditim vitin e kaluar 113 parti dhe emëroi 23 ekspertë kontabël për auditimin e fondeve te përfituara dhe të shpenzuara në vitin 2018.
Nga kjo shifër në zgjedhjet vendore të qershorit 2019 – të cilat u bojkotuan nga opozita, u regjistruan 36 parti politike dhe 3 koalicione. Koalicioni më i madh ishte Aleanca për Shqipërinë Europiane – i udhëhequr nga Partia Socialiste e Shqipërisë, i përbërë nga 21 parti politike, i ndjekur nga Koalicioni Shpresa për Ndryshim me 6 parti politike, ndërkohë që 9 parti politike kandiduan në vete.
Këto koalicione dhe parti politike propozuan 97 kandidatë për kryetar bashkie, ndërkohë që 16 kandidatë të propozuar nga zgjedhësit u regjistruan gjithashtu si subjekte zgjedhore. Gjithashtu në zgjedhje u regjistruan 9872 kandidatë nga lista shumëemërore për këshilltarë bashkiak.
Edhe pse numri i partive politike nuk ka qenë i vogël, konkurrenca në zgjedhje ka munguar për shkak të bojkotit nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim – partitë kryesore opozitare. Bojkoti i zgjedhjeve nga opozita erdhi si pasojë e një krize të thellë politike pas largimit të deputetëve të saj nga parlamenti për shkak të dyshimeve për përfshirje të krimit të organizuar në favor të Partisë Socialistë në pushtet në fushatën parlamentare të viti 2017.
Duke folur përpara deputetëve, Zguri nënvizoi se kriza politike e kishte çuar në zgrip funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke e kufizuar ndjeshëm rolin monitorues të këtij institucioni gjatë fushatës.
“Konflikti dhe përplasja politike në fushatën zgjedhore të vitit 2019, kanë ndikuar ndjeshëm në performancën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,” tha Zguri, duke shtuar se “kontrolli u dobësua e besimi u zbeh.”
Zguri u shpreh se kritikat e ODIHR në lidhje me procesin e monitorimit të zgjedhjeve të vitit 2019 kanë qenë me vend dhe institucioni i KQZ-së i ka pranuar me përulësi vërejtjet.
“Konflikti politik i 2019-ës ishte provë sfilitëse për KQZ-në,” tha Zguri, duke shtuar se “kësaj radhe i mbijetuam përplasjes, por një tjetër përplasje si kjo do e rrëzonte institucionin”
Kreu i KQZ-së i kërkoi Kuvendi të ndërhyje në mbrojtjen e këtij institucioni nëpërmjet reformës elektorale, e cila po diskutohet në tryezën e partive politike.
“Vetëm reforma institucionale mund të na mbrojë,” nënvizoi Zguri.
Bashkim Fino, deputet dhe anëtar i Komisionit të Reformës Zgjedhore, u shpreh se lista e gjatë e partive fantazmë vazhdon të mbetet një problematikë, pasi KQZ e ka të pamundur monitorimin e aktivitetit të tyre financiar vjetor.
“Në Shqipëri janë 113 parti politike të regjistruara, ndërkohë që vetëm 22 prej tyre kanë dorëzuar raporte financiare të rregullta për monitorim,” tha Fino, duke shtuar se 56 parti të tjera nuk arritën të kontaktohen për t’u kontrolluar nga ekspertët kontabël për shkak se atyre u mungon adresa e kontaktit që kanë paraqitur, ose ajo adresë është e gabuar.
“30 parti të tjera kanë deklaruar se ato nuk përfitojnë fonde, 2 parti nuk kanë denjuar të bashkëpunojnë për procesin e auditimit, ndërsa 3 të tjera nuk kanë dorëzuar fare raporte”, shtoi ai.
Kreu i KQZ-së ra dakord me shifrat e deputetit Fino që dalin nga raporti i KQZ-së, duke nënvizuar se vetëm 22 parti prej listës së gjatë të regjistruar kanë bashkëpunuar në lidhje me procesin e auditimit, por nënvizoi se gjatë fushatës zgjedhore Komisioni kishte angazhuar auditues shtesë për monitorimin e fondeve të fushatës
“KQZ-ja ka emëruar 34 auditues ligjor për monitorimin e fondeve të financimit gjatë fushatës zgjedhore, e ndërsa institucioni ynë akreditoi 2091 vëzhgues, nga të cilët 678 ishin të huaj,” u shpreh Zguri, duke theksuar se komisioni e kishte kryer detyrën me gjithë kompetencat e veta.
Një shqetësim i njëjtë u ngrit edhe nga deputetja, Vasilika Hysi e cila i kërkoi Zgurit përgjigje ne lidhje me një zgjidhje potenciale për shmangien e partive fantazmë nga fusha elektorale, por ky i fundit nuk u përgjigj me detaje, duke deklaruar se çdo përgjigje gjendej në raportin vjetor që ai ka dorëzuar pranë Komisionit të Ligjeve.
“Partitë fantazmë nuk e prekin buxhetin e shtetit, përse ju shqetëson kaq shumë kjo gjë,” reagoi deputeti i opozitës Adriatik Alimadhi.
Financimi nga burimet e buxhetit të shtetit i partive politike gjatë fushatës zgjedhore, ishte një tjetër çështje që hapi debat gjatë seancës dëgjimore .
Për ushtrimin e aktivitetit normal të tyre, partitë politike financohen nga buxheti i shtetit. Ligji për partitë politike ngarkon KQZ-në të përcaktojë masën e fondit publik që përfiton çdo parti politike në formën e ndihmës financiare vjetore. Për vitin kalendarik 2019 kjo ndihmë financiare kapte vlerën 190 milionë lekë. Ndërkohë për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve vendore të qershorit 2019-të, KQZ i ka financuar partitë politike me 65 milionë lekë shtesë nga buxheti i shtetit.
“Janë dhënë 6 milion lekë të reja nga buxheti i shtetit për dy partitë politike opozitare, ndërkohë që këto të fundit as nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2019,” iu ankua Fino kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Zguri replikoi se në dijeninë e tyre këto parti nuk kanë marrë fonde dhe se KQZ-ja është e detyruar me ligj që vendimin për dhënien e fondeve ta bazojë në votat e fituara për Kuvend në zgjedhjet e kaluara.
Një tjetër çështje e sjellë në vëmendje nga deputeti Korab Lita kishte të bënte me dekriminalizimin dhe kontrollin e pastërtisë së figurave. Lita u interesua nëse Komisioni i Zgjedhjeve aplikon standarde të posaçme për të verifikuar të shkuarën e kandidatëve të dyshuar për precedentë penalë.
“Në lidhje me dekriminalizimin, ne kemi për detyrë t’i drejtohemi Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për verifikimin e deputeteve të ri,” u përgjigj kryetari i KQZ-së.
Deputetja Hysi tha në përmbyllje të seancës se KQZ-së i duhet një kod etike për rregullat e sjelljes, pasi nuk ekziston një i tillë i miratuar nga ky institucion. Zguri e pranoi mungesën e një kodi etike, por kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ndërhyri duke komentuar se ai nuk e shihte të nevojshëm.
“Rregullat e lojës shkruhen qartë në Kodin Zgjedhor, prandaj KQZ-së i mbetet veç të kujdeset për mirëzbatimin e tyre,” tha Manja, ndërkohë që kreu i KQZ-së u zotua se do ta vazhdojnë luftën për administrimin apolitik të zgjedhjeve.