Përgjatë 3 javëve të fundit, Policia e Shtetit ka gjobitur mijëra qytetarë dhe drejtues automjetesh për shkelje të kufizimit të lëvizjeve-ndërkohë që rregullat e ndalim-qarkullimit kanë ndryshuar vazhdimisht.
Masat e karantinës të përcaktuara nga qeveria prej 13 marsit me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, nuk u respektuan nga mijëra qytetarë e drejtues mjetesh dhe dhjetëra tregtarë e farmacistë, disa prej të cilëve nxituan të sigurojnë përfitime të paligjshme.
Gjatë dy javëve, policia ka raportuar çdo ditë masat ndëshkimore ndaj shkelësve, nga ku rezulton se një numër jo i vogël qytetarësh zgjedhin të shëtisin në kundërshtim me oraret e përaktuara – ndërkohë që duket se ka një ndërgjegjësim të drejtuesve të mjeteve.
Prej datës 13 mars e në vazhdim, në gjithë vendin janë evidentuar 2098 drejtues mjetesh të cilët kanë shkelur urdhrin e ndalim-qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti. Ndërsa 25 të tjerë janë proceduar penalisht, pasi janë evidentuar se drejtonin mjetin në gjendje të dehur; nuk i janë bindur urdhrit të forcave të policisë ose i kanë kundërshtuar ato.
Me masë administrative prej 20 mijë lekësh dhe bllokim të mjetit për një afat tre mujor janë ndëshkuar 14 drejtues mjetesh, të cilët kanë frekuentuar parqet gjatë ditëve të epidemisë. Sipas të dhënave të raportuara nga policia, vetëm gjatë datave 13 dhe 14 mars ishin konstatuar në shkelje të urdhërit të ndalim qarkullimit dhe penalizuar 745 drejtues mjetesh – ndërsa gjatë dy ditëve të fundit janë konstatuar vetëm 26.
Ndryshe paraqitet kurba e rasteve kur qytetarët kanë thyer masat ndaluese të lëvizjeve. Në total janë konstatuar 1909 qytetarë që kanë lëvizur jashtë orareve të përcaktuara, të cilët janë penalizuar me nga 10 mijë lekë gjobë. Kësaj shifre i shtohen edhe 41 qytetarë të shoqëruar për mosbindje të urdhërit të policisë dhe 10 të tjerë të arrestuar për kundërshtim të uniformave blu. Në dy raste, policia ka vënë në pranga dy persona të cilët dyshohej se shisnin lëndë narkotike.
Shkelja e rregullave kufizuese ka vazhduar edhe përtej 19 marsit. Më 31 mars, Policia raportoi se 281 persona ishin gjobitur brenda 24 orësh me nga 10 mijë lekë secili për dalje pa leje nga shtëpia apo për lëvizje në orët e pasdites.
Veç qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve, edhe qindra administratorë baresh apo subjektesh tregtare nuk kanë respektuar oraret kufizuese. Janë 143 administratorë subjektesh, të cilët janë penalizuar me masë administrative nga 100 mijë lekë secili.
Gjatë dy javëve të epidemisë së COVID-2019, dhjetra tregtarë dhe administratorë farmacish kanë tentuar të krijojnë përfitime të paligjshme nëpërmjet abuzimit të çmimeve. Sipas policisë, janë evidentuar gjithsej 33 raste kur administratorët e subjekteve tregtare apo të farmacive kanë abuzuar me çmimet, nga të cilët 15 janë proceduar penalisht. Ndërkohë, administratori i një “call center” në Durrës është gjobitur me 700 mijë lekë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e brendshme është konstatuar se punonjësit nuk ishin të pajisur me masa mbrojtëse.
Po me gjobë në vlerën 700 mijë lekë janë ndëshkuar edhe 8 persona, të cilët nuk kanë respektuar rregullat e vetëkarantinimit dhe janë kapur nga policia duke lëvizur në ambjente publike. Një tjetër qytetar është penalizuar me 500 mijë lekë për shkak se është futur pa leje në ambientet e urgjencës mjekësore, për të parë familjarin e tij.
Përmes aktit normative nr.3 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19 ”, qeveria përcaktoi penalizime për të gjithë ata që nuk zbatonin kufizimet e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së epidemisë. Oraret u ndryshuan disa herë: prej datës 13 mars e në vazhim u lejua lëvizja e qytetarëve për kryerjen e veprimeve të domosdoshme në orare të përcaktuara gjatë paradites dhe pasdites. Për shkak të mosrespektimit të këtyre masave, qeveria vendosi që më datë 21 të caktojë oraret e reja kufizuese, duke përcaktuar si fashën orare të lëvizjes 05:00-13:00, pa përfshirë ditën e dielë, kur është e ndaluar rreptësisht dalja nga shtëpia.
Por masat ndryshuan sërish fundjavën e kaluar. Prej të hënës më 30 mars, lejohet lëvizja e vetëm e një anëtari të familjes për një orë gjatë fashës orare të përcaktuar 05:00-13:00, ndërsa ndalohen të lëvizin të moshuarit qoftë edhe për nevoja emergjente. Vetëm pasditen e së hënës më 30 mars, u gjobitën 200 persona në rrugë, të cilët kishin shkelur këtë rregull.