Numri i rasteve të reja është rritur sërish në 24 orët e fundit, ku 17 persona rezultuan pozitivë. Harta e infeksionit u zgjerua në Tiranë, Fier, Elbasan dhe në Shkodër.
Një muaj pas futjes në hartën e vendeve të prekura nga COVID-19, Shqipëria numëron 400 persona të infektuar nga koronavirusi i ri. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico deklaroi të mërkurën se në 24 orët e fundit ishin zbuluar 17 raste të reja nga 236 teste të kryera në total.
Numri i rasteve të reja gati u trefishua nga e marta, kur ISHP deklaroi kuotën më të ulët prej 6 personash të infektuar në 24 orë. Harta e infeksionit është zgjeruar me 9 raste në Tiranë, 6 raste në Fier dhe nga një rast në Elbasan dhe në Shkodër.
Nga personat e prekur me COVID-19, 58 pacientë ndodhen aktualisht të shtruar në shërbimin Infektiv në Tiranë si dhe në spitalin e mushkërive “Shefqet Ndoqi”, i kthyer tashmë në COVID2.
Dhjetë pacientë ndodhen në terapi intensive, nga të cilët 4 në gjendje më të rëndë dhe të intubuar në sanatoriumin “Shefqet Ndroqi”.
Tirana mbetet vatra më e nxehtë e koronavirusit të ri, duke numëruar 190 raste deri të mërkurën ose 47% të totalit të personave të prekur në Shqipëri. Në vendin e dytë vjen Shkodra me 45 raste, e ndjekur nga Durrësi me 38 raste.
Që prej fillimit të epidemisë, 22 persona e kanë humbur betejën me sëmundjen në Shqipëri. Vdekshmëria nga sëmundja SARS-CoV-2 në Shqipëri është 5.5% e numrit total të të prekurve.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 23 pacientë të tjerë nga sëmundja, duke e çuar numrin total të të mbijetuarve në 154. Personat e shëruar nga koronavirusi zënë 38.5 % të numrit total të të prekurve.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, rastet e reja me COVID-19 po identifikohen më së shumti në vatrat familjare të personave të prekur më parë. ISHP përsëriti apelin që masat e distancimit social si dhe ato të kontrollit të infeksionit të zbatohen me rigorozitet edhe brenda rretheve familjare.