Shoqëria civile në Shkodër marshoi në protestë pas rastit të fundit të përdhunimit të një të miture në Tiranë, ndërsa vunë në dukje se rastet e dhunës në qytet e rrethina përsëriteshin dhe masat e marra nuk mjaftonin.
Qindra aktivistë shumica studentë e të rinj dolën të protestonin në Shkodër kundër dhunës ndaj grave, nisur nga rasti i përdhunimit të një 15 vjeçarje në Tiranë. Por organizatat e shoqërisë civile që mbështesin gratë e dhunuara në Shkodër thonë se rasti nuk është arsyeja e vetme, ndërsa dëshmojnë se mbi gjysma e rasteve të denoncuara të dhunës në vitin 2019 janë të përsëritura. “Në vitin 2019 kemi patur 140 raste të reja të dhunës ndaj grave dhe total 300 raste pasi ka patur që përsëriten”, thotë Denda Shpuza, aktiviste pranë qendrës së gruas “Hapa të lehtë”.
Shpuza i tha BIRN se nisur nga kjo ishte e rëndësishme që të protestohej dhe nuk duhej të heshtej “pasi sa më shumë heshtim aq më tepër rritet dhuna”, tha ajo. “E rëndësishme është që shoqëria të reagojë dhe ligji të veprojë më ashpër dhe ndëshikimi të jetë i tillë që të mos ketë përsëritje”, tha Shpuza.
Një pjesë e mirë e të rinjve pjesëmarrës thanë se kjo ishte protesta e parë që merrnin pjesë dhe kauza e parë që mbështesnin. Me pankarta në duar kundër dhunës të çdo lloji, me thirrje për barazi gjinore dhe respektim të drejtave të çdo njeriut, të rinjtë shkodranë u mblodhën para bashkisë Shkodër dhe marshuan nëpër pedonalen “Kolë Idromeno”.
Protesta të ngjashme u mbajtën më herët në Tiranë, Durrës, Lezhë, Elbasan dhe Korçë. Protestuesit edhe në Shkodër përsëritën thirrjet se “Viktima nuk ka faj”, “Mbroni jetën”, “Mbroni fëmijët” apo “Unë jam zëri yt”.
Dea Guri, studente e mjekësisë, një nga organizatoret e këtij marshimi thotë për BIRN se së bashku me një shokun e saj menduan që dhe Shkodra e qytetarisë duhet të thotë fjalën e saj për një kauzë t’i tillë siç është mbrojtja nga dhuna e fëmijëve, të rinjve, grave.
“Kemi gjetur mbështetjen e shoqërisë civile në Shkodër për të sensibilizuar të gjithë komunitetin kundër dhunës të çdo lloji dhe jo thjesht për ta denoncuar si fenomen, por për të synuar edukimin gjinor të shoqërisë dhe të japim mesazhin se ne duhet të veprojmë dhe të mos heshtim asnjëherë”, tha Guri.
Studentja tha se ky manifestim mori shkak nga një ngjarje e shumë rëndë e bërë publike, por duhet theksuar se reagimi nuk duhet fokusohet vetëm tek ngjarje të veçanta. “Duhet të fokusohemi dhe të luftojmë fenomenin, i cili nuk është se ka të ndaluar, nuk do ndalohet as me marshime, as me peticione, por ne duhet të luftojmë që ta lidhim me ligje të forta, me zërin tonë, me denoncime e reagime”, tha Guri.
Ndërsa Ardis Cani, një tjetër i ri organizator i marshimit në Shkodër tha se dhuna gjinore nuk njeh dallim, ndërsa tha se duhej edukim kundër dhunës. “Ajo godet gjithë shoqërinë, jo vetëm të dobëtit që bien viktima të të fortëve. Janë të shumta rastet e dhunës të çfarëdo lloji dhe ne duhet të pëpiqemi që të ndikojmë në ligje më të ashpra për dënimin e fajtorëve, në mundësinë e strehimit e mbështetjes psikologjike për viktimat e dhunës seksuale dhe për përfshirjen në kurrikulat e shkollave të edukimit kundër dhunës”, Cani.
Ndërkohë që Atrida Ferketi, një veprimtare e shoqërisë civile i tha BIRN se marshimi e kishte bërë krenarë. “Marshimi i sotëm është për tu patur zili nga politika e cila pavarësisht kauzave të saj nuk arrin të mbledhë këtë pjesë të shëndoshë të shoëqrisë siç janë të rinjtë, nxënës apo studentë”, tha ajo.
Ferketi tha se mes protestuesve kishte nga ata që i kishin provuar në kurriz ngacmimet apo dhunën seksuale dhe sot gjetën forcën për të protestuar dhe për t’i thënë “Ndal” këtij fenomeni. “Është e rëndësishem që brezi i ri përfshihet në kauza të tilla dhe apelojnë për ndërgjegjësim të institucioneve që kanë shumë për të bërë”, tha ajo.