Transporti publik është aktiviteti i vetëm që ka mbetur akoma i mbyllur prej COVID-19, ndërsa përfaqësuesit e shoqatave të transportit kërkojnë prej qeverisë lehtësime fiskale për shkak të situatës së rënduar ekonomike.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, ajo e Transportit Ndërqytetas si edhe Shoqata Urbane dhe Interurbane Veri, kanë dërguar një kërkesë drejtuar institucioneve shtetërore përgjegjëse duke kërkuar zbritjen e taksave dhe rimbursim për kapacitetin e reduktuar të pasagjerëve, si pasojë e goditjes së madhe ekonomike që ato kanë marrë pas më shumë se 3 muajve pezullim të aktivitetit.
“Ju bëjmë me dije se situata e transportit publik në Shqipëri, më saktë shoqëritë tregtare të cilat operojnë, janë të fundit ende të mbyllura dhe si pasojë në kolaps ekonomik,” shkruhet në kërkesën e hartuar prej shoqatave.
Kërkesa për lehtësimin dhe rifillimin ekonomik të aktivitetit të transportit publik në kushte kapaciteti të kufizuar i është nisur Kryeministrisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrit për Rindërtimin si edhe Ministrit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Transportit publik në Shqipëri pritet të hapet të hënën më 15 qershor, megjithatë shoqatat shprehen se ky lajm nuk është marrë në formë zyrtare prej tyre.
Rifillimi i aktivitetit do të kryhet nën masa shtrënguese për parandalimin e COVID-19, të tilla si mbajtja e detyrueshme e maskave nga ana e pasagjerëve, lejimi i transportit të vetëm 70% të kapacitetit dhe kjo gjithmonë duke siguruar mbajtjen e distancës së detyrueshme.
“Kërkesat tona janë të panegociueshme për të mundësuar rifillimin e shërbimit,” shkruajnë përfaqësuesit e shoqatave të transportit publik në letrën e tyre.
Një prej kërkesave të tyre është heqja e akcizës dhe taksave për blerjen e karburantit nga shoqëritë e transportit publik.
Gjithashtu, kryetarët e këtyre shoqatave kërkojnë zyrtarisht zbritjen e TVSH-së në shitje nga 20% në 0% për vitin 2020 dhe rikthimin e saj në nivelet e sektorit të turizmit në 6%, pasi edhe transporti është një nga hallkat kryesore të zhvillimit të tij.
Shoqatat e përmbyllën kërkesën duke kërkuar rimbursimin e kapacitetit të munguar si arsye e protokollit të sigurisë, si edhe rimbursimin e kategorive të cilat përfitojnë shërbim falas .